EkonomiaKosovaLajmePolitika

A i meritojnë deputetët pagat e larta?!

parlamentiPavarësisht krizës ekonomike më të cilën ballafaqohen qytetarët e Kosovës dhe pagave të ulëta që kanë, si duket e njëjta nuk vlen edhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Aktualisht paga bazë e një deputeti është 1488 euro, dhe me shtesa të cilat i marrin arrin në 2000 euro.

Përderisa përfaqësuesit e dy partive më të mëdha në vend LDK dhe PDK, theksojnë se ulja e pagës së deputetëve nuk është zgjidhje për krizën ekonomike në Kosovë, në anën tjetër, lëvizja Vetëvendosje thekson se pagat aktuale nuk reflektojnë barazinë shoqërore, e cila forcon besimin dhe solidaritetin mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e shëndoshë.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu tha për Telegrafin se ata si Vetëvendosje në vazhdimësi janë angazhuar për më shumë barazi ekonomike ndërmjet grupeve shoqërore.

“Sigurisht që ne mbetemi pranë këtij qëndrimi dhe do të angazhohemi në vazhdimësi për këtë”, shprehet ajo.

Sipas saj, projektligji për pagat e funksionarëve të lartë publik, do të shkojë në Kuvend deri në fund të muajit qershor të këtij viti.

Deputetja e VV-së, shprehet se sa i përket pensioneve suplementare e kanë ritheksuar që propozimi i tyre është i qartë.

“Ne jemi për heqjen e pensioneve suplementare. Deputetët nuk duhet të gëzojnë kurrfarë pensioni suplementar por vetëm pensionin që u takon në bazë të kontributeve të tyre në trustin pensional, dhe natyrisht vetëm pas moshës 65 vjeçare, njëjtë siç është e rregulluar për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Behar Selimi ka vlerësuar se pagat e deputetëve të Parlamentit të Kosovës nuk janë të larta, duke u bazuar në pagat të cilat i marrin kolegët e tyre në vendet e rajonit.

“Përderisa vendet fqinje e kanë përafërsisht të njëjtin standard me Kosovën, atëherë konsideroj që edhe pagat duhet të jenë të tilla”, tha ai për Telegrafin.

Selimi thekson se është interes i veçantë i grupeve të interesit që të kenë ndikimin e tyre mbi përfaqësuesit e legjislativit, e që sipas tij, ulja e pagave të deputetëve do të ju krijonte këtë mundësi.

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Teuta Sahatqija ka deklaruar për Telegrafin se ulja e pagës së deputetëve nuk mund të ndikojë në zbutjen e krizës ekonomike të Kosovës, sepse sipas saj, për dallim prej gjyqtarëve ose profesorëve të fakultetit deputetët janë vetëm 120, kështu që ulja e pagave nuk do të ndikonte në zgjidhjen e krizës ekonomike.

“Nëse vlerësohet se pagat janë të larta, atëherë nuk kam asgjë kundër, por duhet të analizohet problemi në mënyrë pak ma të detajuar para se të merret një vendim i tillë”, shprehet ajo për Telegrafin.

Sipas saj, deputetët janë përfaqësues të popullit dhe ata duhet që të kenë pavarësi financiare, në mënyrë që përfaqësuesi i popullit për një pagë ose të mirë materiale të mos ndikohet nga grupet e interesit.

Deputetja e LDK-së ka shprehur shqetësimin e saj, për mënyrën se si kanë përfunduar shumica e deputetëve të cilët kanë qenë në legjislaturat e kaluara, të cilët nuk kanë mundësi të kthehen në vendet e mëparshme të punës, duke shtuar se shqetësuese është edhe çështja e pensionit të deputetëve.

“Shumë deputetë deklarojnë në biseda private se po ta kishin pensionin, në shumicën e rasteve nuk do të konkurronin përsëri për deputet të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Sahatqija.

Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, tha për Telegrafin se paga mesatare e qytetarit të Kosovës është rreth 320 euro në muaj.

Sipas tij, një qytetar i zakonshëm duhet të punojë gjysmë viti për të marrë rrogën e një deputeti të Kosovës.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button