VIP

Odeta Dishnica dhe Ervis Nallbani: Si na bashkoi baleti

Që në fillim baleti ka qenë dashuria e tyre e përbashkët. Vazhdon të jetë sigurisht duke i lidhur përjetësisht, pasi zbuluan se pas tij fshiheshin shumë elementë të tjerë të përbashkët që do i mbanin më fort së bashku.

Odeta Dishnica dhe Ervis Nallbani janë çifti balerin, jo vetëm në skenën e baletit, por në jetën e përditshme. Janë shfaqur me performancat e tyre në Teatrin e Operës dhe Baletit, në spektakle të ndryshme televizive si dhe në “Dancing with the stars”, të cilët do i shohim sërish.  Aty kanë gjetur gjuhën që i bashkon përjetësisht, në këtë dialog të përditshëm që ata bëjnë për të zhvilluar pasionin e tyre, aty ndodh dhe të debatojnë, ka zënka të vogla, diskutime, mendime për të arritur në një konkluzion.  Në jetën e tyre është shtuar dhe një pjesëtar i tretë në familje. Është djali i vogël, Matiasi i cili ka kërkuar më tepër vëmendje, si për të thënë se “nuk është” baleti gjithçka. Në këtë rrugëtim të përbashkët ata i kanë besuar njëri tjetrit më tepër se dashuri, duke u ndjerë të lumtur në familjen e tyre të vogël, të sapokrijuar.

E kishit menduar kur ishit nxënës në Shkollën e Baletit që do martoheshit me një të profesionit tuaj?

Odeta: Jo. Por jo se e përjashtoja mundësinë që të ishte balerin.

Ervisi: Kurrë nuk e kisha menduar. Ngaqë e dija mirë që ishte një profesion i lodhshëm nuk do doja që personi i jetës sime të ishte balerin. Orë të zgjatura pune, shfaqje që mund të jenë çdo mbrëmje dhe nuk e mendoja se ishte personi i duhur për të mbajtur një familje.

Ju kur jeni njohur?

Ervisi: Jemi njohur qysh në shkollë të mesme. Kur Odeta erdhi në vit të parë në shkollën e baletit unë isha në vitin e katërt. Por ka qenë një njohje nga larg. Mua më tërhiqte vëmendjen jo vetëm nga ana e jashtme por edhe si tip. Ishte shumë e rezervuar e të jepte përshtypjen e një vajze shumë serioze. Ne të baletit jemi zakonisht karaktere më shprehëse e nuk ngurrojmë të flasim apo të japim përgjigje. Por në rastin e saj ishte ndryshe.

Nuk ka qenë një dashuri me shikim të parë?

Odeta: Absolutisht jo. Unë Visin edhe pse nuk e njihja nga afër e shikoja si një djalë të çilter e të sinqertë edhe pse ndonjëherë më dukej më i hedhur se sa duhej. Por mendimi për atë ishte ai i një njeriu pozitiv dhe me një shpirt të mirë. Do të duhej që të ishim në akademi të Arteve për t’u bërë miq të afërt. Visi pasi kishte mbaruar shkollën e mesme të baletit, u transferua jashtë për disa kohë. Përveç kësaj punonte edhe në Teatrin e Operës. Për këto arsye ai e filloi me disa vite vonesë Akademinë dhe qëlluam, kur unë shkova në vit të parë për koreografi të ishin në një klasë. Aty u miqësuam dhe rrinim e flisnim shumë bashkë. U krijua një marrëdhënie miqësore shumë e mirë, ku shpesh diskutonim jo vetëm për problemet e shkollës dhe të baletit por edhe më tepër. Ashtu si ndodh midis dy miqve të ngushtë.

Kur e kuptuat që jeni dashuruar?

Ervisi: Kishim kohë që frekuentoheshim dhe kalonim kohë bashkë, në shkollë e në Teatër të Operës. Dilnim edhe shpesh me shoqërinë tonë të përbashkët ku shumica ishin nga baleti. Kështu që koha që frekuentonim bashkë ishte relativisht e madhe.

Odeta: Edhe pse me fjalë nuk kishim thënë asgjë ndihej te të dy që diçka më tepër se miqësia po provonim për njëri tjetrin. Unë nga ana ime kisha filluar të ndieja rëndësinë e tij dhe këtë e kuptoja sidomos kur nuk e kisha pranë. Në këto raste njeriu i gjen justifikime pune apo shkolle tjetrit për t’u takuar më shpesh e per të ndenjur më pranë. Kjo ishte arsyeja që në njëfarë mënyre ne “gënjënim veten” për të qenë sa më shpesh e sa më pranë njëri tjetrit.

Cili prej jush e hodhi “hapin” i pari?

Odeta: Ishte Visi. Ndodhi natën e një fundviti. Ishim mbledhur bashkarisht me miqtë tanë për të festuar Vitin e Ri. Të gjithë miqtë ishin çifte. Të vetmit ishim ne, ende “single”. Kishim kaluar disa orë duke festuar, e natyrisht edhe duke ngrënë e duke abuzuar pak me pijen, një nga rastet e ralla që ne balerinët mund të pimë diçka alkolike, sepse dietat dhe regjimi janë primare në punën tonë. Ndodhi që Visi m’u afrua dhe më puthi. Unë nuk hezitova aspak. Përkundrazi

Është më interesante apo e kundërta që të dy në çift të jenë balerinë?

Ervisi: Mendoj që është gjëja e bukur që mund të ndodhë sepse jo çdokush mund të të kuptojë në profesion. E sidomos kur profesioni yt është baleti është akoma edhe më e vështirë. Oraret e zgjatura të provave në teatër, të ushtruarit e vazhdueshëm për të mbajtur trupin në formë, spektaklet dhe shfaqjet që janë gjithnjë në mbrëmje, janë arsyet kryesore që e bëjnë lidhjen midis dy balerinëve më të arsyeshme se me një profesion tjetër. E imagjinoni sikur unë të isha me profesion financier. Do komunikonim më njëri tjetrin me pusulla të shkruara, sepse vështirë se oraret do të na koincidonin.

Odeta: përvec kësaj një aspekt pozitiv është se ne diskutojmë pothuaj gjithë kohës në lidhje me punën, për një shfaqje, për një koreografi e deri tek detajet e një lëvizjeje baleti, ku japin mendime e kritikojmë njëri tjetrin. Sikur unë të isha dashuruar me një profesionist çfarëdo, përsëri duhej të shkoja tek Visi për të rahur mendimet për të realizuar diçka artistikisht mirë.

Lindja e fëmijës ua ka vështirësuar më shumë punën?

Ervisi: Natyrisht. Kohën e kemi të kronometruar çdo sekondë. Sepse ka shfaqje që duhet të vëmë në skenë, por ka edhe koreografi që duhet të krijojmë për spektakle të tjera. Pas lindjes së djalit duhet të llogarisim çdo gjë, në mënyrë që të gjejmë edhe kohën e nevojshme për të ndenjur me të. Për fat të mirë janë edhe prindërit tanë që kujdesen shumë për djalin. Pa ndihmën e tyre do të ishte shumë më e vështirë sidomos për Odetën, e cila përveç impenjimeve artistike tani ka edhe ato si nënë apo për familjen.

Ervisi është “djalë për shtëpi”?

Odeta: Shumë edhe pse nuk ta jep përshtypjen. Por është ai që më jep një ndihmë të madhe. Kur nuk na përputhen oraret ai qëndron edhe me djalin. Dhe është aq perfekt sa bën mos të ndihet mungesa ime. Alternohemi shumë mirë me njëri tjetrin. Kur unë duhet të merrem me ushqimin e djalit Visi na përgatit darkën. Nuk është se i jepet shumë për të gatuar por e rëndësishme është që përpiqet të bëjë maksimumin.

Cila është eksperienca më e bukur nga pikëpamja profesionale?

Odeta: Veprat e mëdha të njohura botërisht, ku kam interpretuar si soliste e Teatrit të Operas e Baletit si “Kopelia”, “La silfide” etj. Është e vështirë t’i veçosh nga njëra tjetra sepse të gjitha janë të bukura e secila ka tipologjinë e vetë artistike. Por nëse duhet të veçoja një prej tyre është baleti “Bajadera”, sepse profesionalisht është një balet më një teknikë të vështirë dhe kërkon  shumë impenjim. Realizimi me sukses i tij ishte me të vërtetë një nga sfidat më të mëdha të karrierës sime artistike deri tani.

Ervisi: Baleti. Eksperienca si solist i parë te Baleti “Carmen” i George Bizet.

Po nga ana emocionale?

Odeta: Kur udhëtuam për në Grand Canarie. Ishte shumë e bukur se isha në muajt e parë të shtatzënisë e ndihesha shumë e lumturuar edhe nga ky fakt, ndaj nuk e harroj këtë.

Si e përcaktoni punën tuaj?

Odeta: Një punë ku talenti vetëm nuk mjafton por kërkon edhe shumë impenjim dhe një punë të vazhdueshme të pandërprerë. Në çdo profesion tjetër mund të kesh luksin që të shkëputesh për një periudhë të caktuar e pastaj të kthehesh sërish. Në balet kjo nuk ndodh.

Ervisi: Edhe pse e lodhshme është shumë e bukur. Baleti është një art nga më elegantët dhe kërkon shije e ndjesi të veçanta. Është për një publik sqimëtar, me shije të hollë, e vetmja formë arti ku gërshetohen më së miri muzika, lëvizja, sporti, ekspresioni e format trupore. Nga sporti i zakonshëm i mungon vetëm elementi i garës dhe është e vështirë të përcaktosh fijen dalluese midis një sporti artistik apo arti sportiv.

Sa i rëndësishëm është vullneti?

Odeta: Është jo i rëndësishëm por i domosdoshëm. Kemi njohur njerëz shumë të talentuar por që u ka munguar vullneti për t’u ushtruar e për të punuar.

Ervisi: Baleti nuk është si kënga. Që mund të këndosh edhe pa shumë punë nëse Zoti të ka dhënë një zë të bukur e vesh muzike. Baleti kërkon talent, por mbi të gjitha kërkon shumë punë dhe djersë. Pa harruar edhe durimin.

Ka patur ndonjë moment që keni menduar të hiqni dorë prej tij?

Odeta: Asnjëherë. As nuk e kam menduar. Është gjëja që i trembem më tepër.

Ervisi: Në vërtetë unë kam patur një moment. Nuk është se doja të hiqja dorë por pata një dëmtim në gju, këputje menisku dhe iu nënshtrova një ndërhyrjeje kirurgjikale. M’u desh disa kohë të qëndroja pa lëvizuar dhe atë periudhë mendova se mos dëmtimi do të më detyronte të tërhiqesha nga baleti. Imagjinoni, një jetë prova dhe punë e papritmas frika e mendimi se të gjitha mund të kenë shkuar dëm.

A debatoni për arsye baleti? Çfarë konkretisht?

Odeta: Pjesën më të madhe të ditës (qesh). Sidomos kur hedhim një koreografi. Fillojmë e diskutojmë për mënyrën sesi mund të realizohet më mirë. Ervisi: (qesh) aty hahemi kokë më kokë. Na ndodh që të shohim një dvd me një shfaqje baleti që duhet të vëmë në skenë dhe duke parë lëvizjet diskutojmë sesi mund të realizohen për t’u bërë më të lehta. Por edhe kur jemi duke krijuar një koreografi. Unë mbroj fort idenë time apo një stil të caktuar. Pra, kompromise për punë nuk bëjmë, (qesh).

Keni menduar të bëni një kompani baleti?

Odeta: Kjo do të ishte një gjë e mrekullueshme. Do ta dëshironim shumë edhe për faktin se në Shqipëri nuk ka një të tillë.

A do të funksiononte?

Ervisi: Jam i bindur që do të fuksiononte. Por kuptohet që për këtë duhen edhe mbështetje financiare sepse ka kostot e veta. Natyrisht që publiku do ta priste shumë mirë. Deri tani publikut nuk i është afruar një gjë e tillë, por unë mendoj se nëse do t’i ofrohej një spektakël nga një kompani baleti jam i sgurt se do të mirëpritej kudo që të jepeshin shfaqje. Dhe kjo mund të bëhej në Shqipëri e jashtë saj nëse do të punohej mirë.

Cilët janë balerinët që i keni si pika referimi?

Odeta: Idhulli im është balerina e famshme ruse nga Shën Petërburgu, Nataliya Makarova, si dhe francezja Sylvie Guillem.

Ervisi: Balerini anglez Adam Cooper.

Çfarë raporti keni me publikun?

Odeta: Publiku është mjaft i rëndësishëm sidomos për ne, sepse kur shikon sallën që është mbushur plot e përplot ndihesh psikologjikisht më i sigurt, i vlerësuar dhe është pikërisht aty që një balerin jep maksimumin e tij. Nëse salla do të ishte me pak njerëz të humbet edhe entuziazmi e motivimi. Është çelësi i suksesit tonë, sepse ne bëjmë prova dy herë në ditë e për një kohë të gjatë pikërisht për atë moment kur ndodhemi përpara publikut.

Ervisi: Pa publikun nuk do të ekzistonte artisti sepse puna jonë është vetëm për ta. Gjithçka i dedikohet atij dhe bëhet për të. Natyrisht edhe duartrokitjet në fund të shfaqjes janë shpërblimi ynë më i madh.

Do të interpretonit më me dëshirë një balet klasik apo bashkëkohor?

Odeta: Më pëlqen shumë baleti klasik, sepse kërkon një interpretim me nivel më të lartë teknik dhe ka një shkallë shumë më të lartë vështirësie sepse kërkon më shumë korrektësi dhe nuk mund t’i shmangesh dot asnjë lëvizjeje sado të vogël.

Ervisi: Unë preferoj bashkëkohorin, sepse në Shqipëri vazhdon t’i dedikohen shumë baletit klasik, kurse në botë baleti bashkëkohor po zë një vend shumë të rëndësishëm. Është një formë e re e këtij arti ku lëvizja është revolucionarizuar tërësisht e mund të luhet për një kohë më të shkurtër nga një trup më me pak njerëz. Baleti klasik kërkon një masivitet balerinësh dhe orë të tëra shfaqjesh.

Kur realizoni një koreografi mendoni për publikun apo për emocionet tuaja?

Odeta: Në fillim për emocionet tona sepse është një gjë që duhet të të vijë nga shpirti. Duhet ta ndjesh vetë pikësëpari sepse vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet. Hapi i dytë është ndjesia që përcjell te publiku. Nëse balerini nuk ndien gjë e ka shumë të vështirë për të mos thënë të pamundur, të përcjellë emocion te publiku.

E keni menduar që baleti është një profesion që një ditë nuk mund të jeni më në skenë?

Odeta: Është mjaft e vështirë ta pranosh një gjë të tillë. Nuk e mendojmë por na shkon ndërmend kur na flasin njerëz më të rritur në moshë. Për momentin nuk duam të mendojmë por që është një gjë që nuk e shmang dot. Do të vijë një ditë që edhe neve do të na duhet ta lëmë. Është e trishtueshme.

Ervisi: Edhe kur vitet do kalojnë unë nuk e mendoj që mund të shkëputesh nga baleti. Mund të mos interpretosh në skenë por mund të jesh i rëndësishëm për skenën dhe publikun si koreograf. Kjo do të të bënte të ndiheshe gjithmonë pjesë e saj.

Do të kishit dëshirë që djali juaj të bëhej balerin?

Odeta: Varet, ndoshta po sepse duke patur dy prindër balerinë natyrisht do të kishte më shumë përkushtim dhe ndihmesë nga ana jonë. Kështu do të kishte atë mbështetje e këshillim të nevojshëm që ne nuk e patëm. Por nga ana tjeter, kur kujtoj sesa e mundimshme dhe sa sakrifica kërkon ky profesion atëherë mendoj që do të ishte mirë të kishte një zanat tjetër.

Ervisi: Pse jo! E mendoj shpesh sepse qysh tani që është vetëm një vjeç rri me ne, sheh dvd me shfaqje me të njëjtin përkushtim thua se e kupton për çfarë bëhet fjalë dhe nuk i ndihet zëri derisa dvd-ja mbaron. Më vjen ta pyes: “Hë! Si t’u duk?” (qesh).

Cilat janë planet e momentit?

Odeta: Këtë moment jemi shumë të zënë me provat e baletit klasik “Romeo e Zhuljeta” të Sergei Prokofiev, që do të vihet në skena pas disa javësh. Po ashtu jemi përfshirë me kërcimet në programin televiziv “Dancing ëith the stars” që do nisë në Vizion plus.

Visi: Edhe me koreografitë e kërcimeve të programit televiziv “Histori dashurie”

Një ëndërr?

Odeta: Të kërcej në një skenë të një teatri të famshëm europian.

Ervisi: Të themeloj një kompani baleti timen.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button