Kronika e ZezeLajme

Prita e hakmarrjes

Mensur Rashica është vrarë në pritë mbrëmjen e së hënës, në fshatin Babimofc. I plagosur ka mbetur edhe babai i viktimës. Djali i hasretit dha shpirt në dorën e nënës së tij. Doras dyshohet të jetë ish-baballëku i tij, kurse motivi lidhet me divorcin e Mensurit.

Kanë ardhur të gjithë së bashku për pushime në Kosovë nga Gjermania, ku edhe jetojnë tash e 21 vjet.

Mirëpo, kësaj radhe ky pushim ishte tragjik për familjen e Maliq Rashicës nga Studimja e Vushtrrisë.

Djali i tyre i vetëm, Mensuri, u vra në pritë, derisa babanë ia plagosën.

Mensuri, 28-vjeçar, së bashku me prindërit ishte duke shkuar te njëra nga motrat e martuara për darkë. Por udhëtimi i Mensurit përfundoi në fshatin Babimofc kur mbi veturën me të cilën udhëtonte është qëlluar me plumba nga njerëzit që deri para tre muajsh i kishe pasur miq shtëpie.

Mensuri vdes në vend, ndërsa babai i tij, Maliqi plagoset në dorë e nëna që ndodhej në ulësen e pasme të makinës BMW, nuk pëson asnjë lëndim. Por ajo e pa me sytë e saj djalin e hasretit duke dhënë shpirt në prehër të babait.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, ndërsa në familjen Rashica në Vushtrri është hapur e pamja për Mensurin. Të afërmit e djalit që u lindi pas pesë vajzave shprehen të tmerruar nga ajo që u ka ndodhur.

Njëri nga axhallarët e Mensurit teksa rrëfen për ngjarjen që i mori jetën nipit, por edhe për ngjarjen që i ka paraprirë vrasjes së Mensurit, nuk përmbahet nga lotët. Por as burrat tjerë e nuk durohen pa derdhur lot. Ata nuk mund të bëhen të fortë përballë një tragjedie të tillë, shkruan “Express”.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button