KosovaLajmePolitika

Ramush Haradinaj rrëfen për takimet me Milosevicin në burg

Ramush HaradinajIsh-kryeministri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj rrëfeu dje në “Tonight” detaje interesante nga jeta e tij në qelitë e Hagës.

Kur ju them “Hagë”, çfarë ju vjen ndërmend?

Një vend i bukur…

Një vend i bukur? Keni qenë, e keni vizituar dot Hagën?

Nuk kam pasur rast, por mendoj të shkoj një fundjavë kur të më jepet mundësia, për qejf.

Ke kuriozitet të shikosh qytetin?

Jo kuriozitet. Po kam jetuar atje, është një vend ku kam qëndruar 4 vite.

Po keni jetuar i mbyllur në burg…

Prapë edhe ajo ishte një lloj jete.

Keni pasur dritare me pamje nga deti?

Po.

Si ishte të qenët në një qeli që ka pamje nga deti në Hagë?

Mirë ishte, se ishte ajri i mirë, me aromë deti realisht. I pastër dhe me aromë deti. Kuptohet që, ta shikosh kur s\’e shijon, të mungon. Kur s\’mundesh, ajo molla e ndaluar e bën të vetën, por megjithatë, njeriu kur e di… T\’i thuash dikujt, \’nuk e ke një këpucë\’, ai detyrohet të gjejë zgjidhje me tjetrën. Si t\’ia bësh? E njëjtë është edhe kjo situatë. Edhe pse duken shumë të vështira, por nga momenti që ndodhin, ambientohesh me to.

E keni ndjerë mbështetjen e shtetit të Kosovës, të paktën nga momenti që u shpall shtet, në gjykimin që ju kishit në Hagë? Ndiheshit i mbrojtur që kishit pasur shtetin, se në fund të fundit për këtë shtet keni luftuar?

Jo, shteti ka qenë në hallet e veta, s\’ka mundur të mbërrijë deri tek mbështetja për mua.

Por do të kishit dashur që shteti të ishte pas jush, t\’ju mbështeste?

Kam pasur nevojë, jo vetëm që kam dashur, por kam pasur nevojë. Por nuk janë krijuar rrethanat që ta kisha një përkrahje shpirtërore.

Në kuptimin financiar?

Të gjitha, të gjitha.

Si e kalonit kohën në qeli?

Unë kam jetuar si ushtar atje, d.m.th. kam bërë një orar për vete. E kam ndarë kohën sikur të isha në një plan pune. Zgjimin e kam pasur deri në orën 7, nuk ka qenë obligativ. Nga ora 7 jam zgjuar, jam larë, jam rruar sikur të kisha për të dalë në punë. Orarin ia kam përshtatur orarit të rregullit ditor. Kur ishte koha e sportit, koha e muzikës, koha tjetër; pauzat i kam respektuar. Pjesën tjetër ia kam organizuar vetes. Kuptohet, aty ka pasur edhe pjesë për të ndenjur, për të pirë kafe, por shumicën e kohës e kam organizuar dhe kam funksionuar në bazë të orarit. Në orën 11 të mbrëmjes kam rënë në gjumë, me përjashtim ose të premten ose të shtunën, sikur të isha në punë, dhe në fundjavë për shembull edhe rrija më tepër. Kam ruajtur ciklin dhe ritmin. Një pjesë të madhe të kohës e kam pasur sport. Minimumi 3 orë në ditë deri në 6 orë brenda ditës. Por dita atje është diku 16 orë, sepse nuk e ke një punë dhe 8 orë të detyruara në punë. Pjesën tjetër e kam pasur media. Televizion, CNN, BCC. \’France 5\’, \’Euronews\’, mediat e Ballkanit. Një pjesë lexim. Një pjesë muzikë ose kënaqje si të thuash.

Nuk bënit biseda për luftërat…?

Ka ndodhur edhe kjo, si jo?! Por kam ikur, prej bisedave të ndjeshme, sepse s\’kam dashur të lëndohem ose të krijohet ndonjë situatë tjetër. Kam ikur, nuk i kam pranuar si partnerë për të biseduar kështu. Me zotin Gotovina kemi pasur simpati të madhe, edhe si shqiptarë, por ka qenë reciproke. Edhe ai ka pasur kujdes të jashtëzakonshëm ndaj nesh, edhe ndaj meje, dhe kemi një miqësi të përjetshme me të, të cilën edhe ai e ka ndihmuar realisht.

Millosevicin, e keni parë?

Herën e parë kur kam qenë, po. Dy herë.

Komunikuat me të?

Jo ndonjë komunikim, por ka ndodhur edhe interesimi i tij.

Si ishte momenti?

Po ai ishte…, nuk e njoha në fillim të them të drejtën. Shkoja në sallonin e vizitave, dhe duke pritur, prisje të hapej një derë xhami për të ndërruar vendin, të shkoje tek vendi i vizitës, dhe ata më thirrën, më thanë: “zoti Haradinaj”, ndërkohë pashë një person përballë dhe ai më tha në anglisht \’zoti Haradinaj\’. Unë e këqyra dhe i thashë “po”, dhe ai më tha “jam Millosevici”, në anglisht.
Nuk më bëri përshtypje gjë. Po! S\’munda ta besoja që ishte ai, dukej shumë i vogël, me pantallona të shkurta dhe një jelek si të peshkatarëve, me shumë xhepa, por vetëm hundën njoha, se ka pasur një hundë karakteristike kur dilte në televizor. I thashë: “O, po”. “Si është gjendja në Kosovë?”, më tha.

Ju pyeti për gjendjen në Kosovë?

Po. I thashë “mirë”. I thashë se “bashkësia ndërkombëtare po sillen keq me ne”. “Po pse?” – tha. “Po ne duam të bëjmë një ushtri sipas dëshirës sonë dhe ata duan ta bëjnë si të vetën, të amerikanëve”. Cinizëm ishte. Në fakt kjo ka qenë hera e dytë. Herën e parë më tha: “Oooo, mirë se ke ardhur, si po të duket këtu?” Isha duke kaluar, dhe i thashë: “S\’e di”; i thashë “po ti je më herët dhe duhet ta dish më mirë”. “E merr vesh vetë”, më tha. Kuptohet, në distancë, ishim dy-tre veta, kishte roje, ato që ishin prezent.

S\’pati tension?

Jo tension. Cinizëm pak, por s\’ishin rrethanat, s\’pati shtrëngim duarsh ta zëmë, dhe as kontakt fizik. Po ishte në distancë dhe pak cinizëm pati.

Ishte i rënë, i penduar?

Jo jo jo, hiç fare.

Të erdhi instinkt ta pyesje pse u solle ashtu me Kosovën? Pse e bëri spastrimin etnik?

Jo, përse ta pyesja?! Dhe nuk e mendoj as tani. Ti e di kush është ai, pse ka vepruar ashtu, çfarë ka bërë. Si t\’i bëj llogari atij?! Po të ishin rrethanat, ai e meritoi krejt ndëshkimin, por llogaria atij s\’i bëhet.

Do ta njohë ndonjëherë Serbia Kosovën?

Po.

Kur?

Nuk mund ta them. Nuk ia jap vetes…

Brenda këtij 10-vjeçari?

Po, shumë më shpejt.

Edhe më shpejt?

Po.

Pashë një deklaratë tuajën, ku thonit se do të donit të kishte fituar zoti Berisha, por e respektoni votën e shqiptarëve, dhe përmendni faktin se Berisha ka bërë liberalizimin e vizave, Rrugën e Kombit. A mjaftojnë këto, zoti Haradinaj, në ditën kur Kroacia u pranua anëtare me të drejta të plota në BE?

Asnjëherë nuk mjafton. Të flas nga këndi im. Nuk e kam thënë më herët, tani po e them. Kur ka disa mandate, e di që është e ligjshme. Po ashtu në përcaktim politik disa argumente vlejnë. Nuk mundesh me u ik disa momenteve kyçe. E gjithë Shqipëria ka ndihmuar në ndryshimin nga komunizmi në demokraci. Nuk është vetëm një forcë e vetme, por është identifikuar si ajo që është mbartëse e proceseve të ndërrimeve. Kjo është e vërtetë për Shqipërinë e re, për Shqipërinë e 23 viteve. E gjithë Shqipëria ka ndihmuar në anëtarësimin e saj në NATO. Ne e dimë gjendjen e ushtrisë shqiptare si ka qenë më përpara, ndoshta tani nuk është aq e mirë. Dhe së fundmi liberalizimi i vizave. Unë e kam quajtur kështu: Kjo forcë politike – e kam nga një aspekt personal – lidhet me kryeministrin Berisha, respektin që më ka bërë ai.

Respekt që i bëtë edhe ju. Pavarësisht se në \’97-tën, vëllai juaj Luani është vrarë në Shqipëri dhe ju u burgosët më pas. Pati shumë komente në Shqipëri. Nuk i mbajtët mëri zotit Berisha?

E vërteta është pak më ndryshe. Unë e di, një pjesë e jona, e UÇK-së, janë bij të afërt, ta zëmë me zotin Nano, me Pandeliun, me Ilirin, dhe nuk kam ndonjë vërejtje. Edhe sot kanë simpati; le të kenë! Luani është vrarë në kufi të Kosovës. Dhe, populli nuk e di asnjëherë se unë jam penguar shumë nga po këta shokë të mi me hyrë në atë kohë, këta që e duan këtë krahun që fola; kemi pasur pengesa të jashtëzakonshme prej tyre. Jo prej shtetit shqiptar të atëhershëm. Shteti shqiptar ka qenë në kaos. Nuk mundesh me ia atribuuar fajin Sali Berishës në \’97-tën; në maj e dini si ka qenë shteti shqiptar. Kurrkush nuk e ka pasur në kontroll shtetin shqiptar. Kush ka qenë atëherë kryetar qeverie apo kushdo qoftë. Luanin e vranë në territorin e Kosovës, jo në territorin e Shqipërisë, u vra nga forcat serbe. Kur jam kthyer mbrapa tek komisariati i atyshëm, as lidhje nuk ka pas, nuk mundesh me i quajtur fajtorë ata për kurrgjë. Një kryetar policie aty që i vjen dikush me një të vdekur. Ai në fund e ka për obligim derisa ta vërtetojë se çfarë ka ndodhur. A e ke vrarë ti, a ta ka vrarë dikush? Kush jeni ju? Por është një detaj që ne nuk po e harrojmë. Të mos harrojmë ne bazën kryesore, unë personalisht…. Nuk e them vetëm se është Berisha dhe tani ai ka hup dhe nuk është në zgjedhje dhe nuk është më, por bazën kryesore të logjistikës, të armatimit. Unë kam pasur shtab në shtëpinë e tij në Shqipëri. Shtabi ka qenë në kullën e Sulejman Berishës, axha i tij. Po në atë familje. Në shtab kanë qenë me qindra djem, kemi kaluar me ditë, jemi ngarkuar. I kemi nxjerrë prej shtëpie ata në fakt, se nuk kishin se si me jetu prej nesh. Prandaj edhe ndonjëherë njerëzit shikojnë për interesat partiake, politike. Ashtu si na kanë ndihmuar gjithë shqiptarët, na kanë ndihmuar njerëzit e Ramiz Alisë së asaj kohe, në stërvitje etj. Na kanë ndihmuar oficerët e Shqipërisë, që kanë pasur bindje të majta, por nuk ka lidhje. Ai ka ardhur si shqiptar. Gabojmë kur interesat partiake shpesh i kthejmë deri në luftë. Askënd nuk e ka penguar asnjë profil partiak, asnjë bindje mos me përkrah UÇK-në, citon BalkanWeb pjesë të intervistes në OraNews.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button