Robërimi dhe kthimi i Skëndërbeut sipas legjendave popullore

Skëndërbeu simbas legjendavet ka qënë sak në Turqi, i marrë peng prej Sulltanit, bashkë me të vëllezërit. Sulltani si e pa këtë që ishte i vogël dhe shumë i shkathët e i squët, nuk e prishi si të vëllezërit, po e futi në shkollë dhe e mësoi dhe e rriti si djalin e tij. Ai ja vuri dhe emrin Skëndërbe. Kështu më janë përgjigjur shumë fshatarë që kam pyetur, që para shtatorit 1934 e gjer tani vonë, në shumë krahina të Shqipërisë së Mesme. Dhe nuk e kuptoj dot origjinën e këtij besimi: Ky besim është sosur gojëpasgoje gjer më sot, qysh kur Ai ka qënë gjallë apo ka ndonjë lidhje me variantin përkatës të Barletit. Fjala vjen, të vërtetën, për të cilën na flet kallëzonjësi, nga kush e ka dëgjuar? A mund ta ketë marrë nga historia në atë kohë?

Skenderbeu heroi kombetar

Mbi robërimin e tij më ka folur muratori Kamber Sula, nga Tërnova e Zerqanit të Dibrës, që tani banon në Tiranë. U takova rastësisht në Vorë më 10 tetor 1959, ku ai po kthehej nga Tirana, për në Milot, ku punon. Atje Kamberi pati mirësinë e më foli kështu fjalë për fjalë:

Skëndërbegju ka qënë i dheti vëlla, siç e kemi me të nigjume prej të vjetrish dhe ka qënë më i vogli fare. Të nandë vëllazërit e Skëndërbegjut luftuan randë me Turqnin, ene ja preu në luftë Turqia. Meti sall Skëndërbegju që quhesh matëhere Xherxh Kastrioti, kalamai i vogël.

Komandanti i ushtrisë turke lajmëroi Sulltanin se nandë vocat e Xhon Kastriotit i preva e ka met sall nji voc, ma i vogëli.

Sulltani dha urdhën: Ma bini kha. Edhe ja çuen ku ka qanë m’at’ kohë Sulltani.

Sulltani kur e pa se ai voci ishte i vocërr 3-4 vjeç, e i zhdërvjelltë e majti edhe e futi në mejtep. Ja ndroi edhe emnin edhe ja vuni Skëndërbe.

Kam dhe pak të dhëna të tjera, këto:

Noel Lazri, nga Bllana e Lezhjes, më 18.9.1964, më ka thënë:

Skëndërbegun, kur ishte i vogël e muer Turkia vet i tretë vëlla në, Stamoll. Dy vllaznit e ti q’ishin ma të mëdhoj i preu Turku, po kit qi nuk dite me kuptue gja, e la ene e futi në shkollë. Kur maroi shkollën e provoi me luftë ene Skëndërbegu duël shum’ i fortë; kudo q’e çonte Mreti, i ecte lufta.

LETRA E S’EMES

Prindrit e Skëndërbeut e muarën vesh se i biri i tyre i vetëm që mbeti gjall, Gjergji, gjëndej në Edrene, pranë Sulltanit, i cili e mbante si djalë të vet me gjithë të mirat; me interes të madh po dëgjonin dhe përparimet e mëdha që bënte, për fitoret e shkëlqyera që korrte e për famën e madhe që mori; po dëshpëroheshin në vënd që të gëzoheshin, se nuk e besonin që t’i kujtonte ai më, të kishte mall për ta e t’i lirte gjithë ato të mira e të kthehej në Shqipëri. Prandaj e ëma vendosi t’i dërgonte një letër e t’i shprehte mallin e saj e dëshirat e flakta; ta përgjëronte që të kthehej në vëndin e tij e ta çlironte këtë.

Po si t’ja dërgonte? Kishte frikë se mos zbulohej letra e virte në rezik jetën e tij. Prandaj ja nisi me një njeri, që s’mund të birte në sy, me një lypës. Ajo grua ishte shum’e zgjuar e guximtare dhe e urtë.

Ja si m’u shpreh Ago Lekaçi, nga Allejbegia e Dibrës së Epër për këtë problem, kur e takova në Topojan të Dibrës më 4 gusht 1954:

E ëma e Skënderit, me njëa njeri që shkoi tuj lipë derë më derë njer në Stamoll, i çoi nji letër Skënderit e i shkruante: “Të kërkon veni kha, prandaj të vijsh në Shqipné”. E Skënderi erth në Shqipné e ja shkei Turqies.

Kjo legjendë ka rëndësi edhe për mënyrën e dërgimit të letrës, me anën e një lypësi, i cili nuk mund të binte në sy për keq e të pikasej kështu shërbimi i tij. Ky mjet dërgimi tregon fshehtësin’e lidhjes së Skëndërbeut me prindët e tij e me krerët e tjerë të Shqipërisë.

KTHIMI i SKËNDËRBEUT

Rasti që pritte Skëndërbeu, erdhi pas ca kohe.

Sulltani e shkeli Shqipërinë po nuk i shtronte dot shqipëtarët. Këta, duke mos duruar robërinë nuk pushonin së bëri kryengritje pas kryengritjesh, sidomos në Dibër. Ai dërgonte ushtëri të forta, po këto thyheshin e pashallarët ktheheshin të turpëruar. Nuk ja dilnin dot Moisiut e Golemit edhe trimavet të tyre shqipëtarë. Mbreti i turqëvet nuk dinte ç’të bënte dhe ishte në hall të madh, kur vjen Skëndërbeu e i thotë:

-Or babë! Më dërgo mua në Shqipëri, se unë do ta shtroj Dibrën e gjithë arnautllëkun, siç kam shtruar Anadollin dhe Arabistanin. Unë të kam dhënë prova të gjalla të zotësisë e besnikërisë sime.

Sulltani nuk donte në fillim, po mësëfundi kandisi, se nuk e besonte që ky të mbante mënt prindërit e tij e Shqipërinë, as që mund të hidhte poshtë nderet e lavdinë që kishte në Turqi. U detyrua dhe nga fakti se vetëm ky ua delte mbanë ndërmarjeve ushtarake të vështira.

Tani të shofim si më tha shoku Kamber Sula më 10 tetor 1959, në Milot. Ai ndër të tjera më tregoi:

“Skandërbegju, u rrit e ba burrë edhe duel i zgjuet shumë edhe u dallote në luftrat e Sulltanit, gjithëkund ká Arabia e kah s’e di unë. Po në Dibër po valote lufta prej Mozeut e prej Golemit të Dibrës. Sa pashallarë që i dërgonte Sulltani në Dibër të tanët humeshin.

Një ditë Skëndërbegju i thotë Sulltanit që të më dërgosh mua në Shqypné, se unë i baj istihak, dmth, tarbjet. Edhe Sulltani e dërgoi me ushtre.

Skëndërbegju së pari erth në Prizren, e manej ra në Lumëz, e së mrami ra në Kastriot. Kur ra në Kastriot erdhi ke një krue me ujë. Aty gjeti do gra tue mush’ujë. Në mes të atyne grave ka pasë qanë edhe nji plakë. Ato grat e reja e cucat u largjun prej friket të nizamit turkut. Por ajo plaka nuk u largue prej kronit.

I thotë Skëndërbegju: Largjoju moj plakë se do të penë ujë nizami.

Ajo plaka priti e i tha: Nuk largohem prej kronit se nandë djelm m’i preu Sulltani e të dhetin, voc të vocërr, ma muer prej krahnorit tem.

Bani çudi Skëndërbegju edhe u bind ene i u ul kalit poshtë edhe i thotë asaj plakës: Hajde pak ma kahnej, u hoq mënjanë që të mos e shifshin; e Plaka iu afrue e u largjuen të dy prej rreshtit të ushtresë, që pente ujë në kruë. Edhe i thotë plakës:

“Çfar i ma mënt ati gjalit që të ka marrë Sulltani?”

Unë i maj ment nji pullë të zezë në krahin e manjtë.”

M’at çast Skëndërbeu u xhvesh dhe i tregoi pullën q’e kishte në krahin e manjtë dhe i tha:

“Unë jam gjali yt, unë!”

Ajo priti e i tha:

-Tej je Gjergji gjali em! E i u hoth me lot për faqe ene e përqafoi. Matëhere e kuptoi Skëndërbeu se kishte pasë qënë prej Dibre e se Sulltani i kishte pre të nandë vllaznit e tij.

Mas këtyne fjalëve i tha plakës:

-“Shko më prit ke shpija”. Dhe nizamit i dha urdhën me kurdisë çadrat për me nejtë aty. Edhe do të shkoj fullakat të rtej në një kasolle këtu e do të kthehem në mëngjes tu’ dalë drita. Edhe gjithë natën nejti pa futë gjumë nër syt me nanën e me babën e vet. Edhe filloi tu’ hapë lajmin në popull se unë jam i jueji e s’jam i Sulltanit ma.

Edhe kshtu ja ktheu Sulltanit e filloi luftën me ta.

Unë ta kam dëftuar siç’e kam dëgjuar para 40 vjetësh prej pleqësh të qëmoçëm që kanë qanë 120 vjeç dhe e bisedonin kët muhabet, e unë kam qanë voc dhetë vjeç.

Shënim: Çka na thotë muratori mbi kthimin e Skëndërbeut nuk përkon me historinë në këto pika të rëndësishme, të cilat ai po i shpreh kështu: Në Dibër luftonin Mozeu e Golemi (dy persona dhe jo një i vetëm); Skëndërbeu kërkoi vetë nga Sulltani ta shtronte Dibrën dhe arriti në Kastriot me anën e Prizrenit dhe Lumës; e gjeti t’ëmën në krua, i u diftua kësaj dhe pregatiti kryengritjen; dhe të jatin e gjeti të gjallë.

Qëndrimin e s’ëmës së Skëndërbeut kundrejt turqve, kur këta ranë në Kastriot e paraqet të pikëllueshme, po trime e sypatrëmbur dhe me rastin e parë i shfryn komandantit turk mërrin’e saj kundër Sulltanit, i cili i vrau të nëntë djemt’e saj e të dhjetin, voc të vogël, ja rrëmbeu nga krahrori.

Po përsëritim ç’na thotë malësori Ali Zejneli nga Urxalla e Macukllit të Matit për kthimin e Skëndërbeut e për shkakun që e detyroi të largohet nga Turqia:

Mreti i Stamolles nuk i dha mretllëk ene Skandërbegju erth teposhtë e ra në Shqypné. M’at’ here Mreti i Stamolles i u lëshue me luftë e i ra me top e me pushkë e me potere, çi vloi tok’e truëll, njersa e çkuli ga gjyteti, e Skandërbegju ra në Kruë e zu ven. Mreti i Stamolles mrapa i bediti Lek Dukagjinin, po s’un muni me e kapë, se Skandërbegju ka qanë evlia ene e ruëte Zoti.

Simbas Noel Lazrit, nga Bllana e Lezhjes; kemi arsye tjetër për kthimin e Skëndërbeut:

Mrapa mreti i Turkies e çoi Skëndërbegun me shtru Shqipninë. Po Skëndërbegu ra në Shqipni me ushtrin’e Turkut ene mblodhi bajraktarët e pleqt e Shqipnisë e i pyeti:

-Or Shqiptarë, a doni me kenë në vedi a me ju sinu Turku?

-Jo, dona me kenë në vedi, than’ata.

-E pra të ngrinha e ti vejmë pushkën Turkut.

-Po u përgjegjën bajraktarët e paria.

-A jeni me kët besë? U tha përsëri Skëndërbegu.

-Po, me emnin e Zotit, jemi!

Ene u ngritën të tanë e i vunë pushkën ene e thenë ushtrinë turke ene e çliruen Shqipninë.

Shënim: Është për të vënë re se ky kallëzonjës prej Lezhje beson, si dhe Kamber Sula prej Dibre, se Skëndërbeu u dërgua prej Sulltanit për të shtruar Shqipërinë. Kështu beson dhe Nue Xhon Markaleka e të tjerë.

Simbas Nue Xhon Markalekës, Skandërbegu duel në Shëngjin:

Skandërbegu, me shumë daname e ushtri të Turkies, erdhi në Shënjin. Kur mrreni në Shënjin, danamet me xhithë ushtrin’e Turkies i thkei dal, se u diftoi urdhnin e Sulltanit. Kët urdhën e kishte shkruë vetë Skandri e i kishte vu’ vulën e Sulltanit. Vetë dul në tokë e shkoi fill e në Kruë. Edhe komandantin turk të Kruës e rajti me një shkresë që kishte vulën e Sulltanit. Komandanti iku dhe fuqin’e mur Skandërbegu. Ky, me t’ikun komandanti, e ngriti popullin më kamë edhe e përzuni ushtrinë turke. Kështu e liroi Shqipninë Skandërbegu.

Shënime: 1- Është për të vënë re përdorimi i emrit të rrallë Skandri. Këtë emër e kam dëgjuar edhe në Dibër të Epër.

2—Unë besoj se dalja e Skëndërbeut në Shëngjin me daname është motiv i vjetër, ndërsa shkresa me vulën e Sulltanit i ri, të cilin e ka shpikur, si mendoj unë ndonjë prift, në bazë të të dhënave të historisë të Barletit. Kështu kanë hyrë dhe janë njazuar dy a më tepër motive të kohëve të ndryshme. Po motivi i shkresës me vulën e Sulltanit…. Në legjendat popullore, disa elementë të pakët kanë hyrë gjer në ditët tona. (Kthimi i Skëndërbeut në Shqipëri, Luftrat e tij në Turqi….). Fshatarët kanë dashur t’u gjejnë legjendave mbështetje dhe në histori, fakt ky që provon besimin e madh ndaj tyre. Krijimi e ndryshimi, i legjendavet, pra ka vazhduar gjer në ditët tona (Mark Llesh Pepa).

Simbas Mëhill Pllumit, nga Gallata e Kurbinit:

I ra asqerit në pekë të zhegut ene e theu; e vuni përpara në Breg të Mates ke Arrat e Vromit njer në Kala të Kruës; ene Kalan’e Kruës mat’here e zaptoi Skandërbegu. Skandërbegu mat’heret kishte pas’ikë prej Turkiet e kishte pas ra në Shqipne e bani luftë për atdhen’e vet e i zhduku turçit.

Simbas Gjergj Skanës, në Lurë, takuar në Lajthizë më 6 gusht 1955:

Kuajt me potkonj sëprapi, i mbathi Skëndërbeu, simbas Gjergj Skanës.

“Kur iku Skandërbegju prej Turqijet, ky i thotë Skandërbegjut: “Të dathim kualt e ti mathim opet por me potkojt përsëmbrapshti, t’u hipim e t’ikim për Shqypné. Ushtria turke do të na kërkojë përsëmbrapshti e s’ka me na xhetë e kështu do t’shpëtojmë ka turqit. Skandërbegjut i pëlqeu ky mendim ene bani si i tha Xhin Skana ene shpëtuen ka turçit e ranë në Shqipné”.

Simbas Said Veliut nga Homeshi i Dibrës:

Skënderi ishte i vokërr, kur e muer Turqia, ene hipi shkallë u ba xhenerall e i vodhi vulën sekretarit të Sulltanit. E bani vetë shkresë ene e vulosi ene ja çoi komandantit përmi ushtrijet e ja çoi. Skënderi shkoi në Bosnjë e mbloth ushtré e duel kha. Ene këtu bani harp me çendër në xhytet të Bulçizës. Dibra me atë ka qanë.

Kalaja e Grazhdanit ka qanë e Venedikut para Skënderit. Ene në Saf Lukanj ka ba harp po ma fort në xhytet”.

Ky plak i vjetër na tërheq vërejtjen me konsideratën e madhe që ka për Bosnjën e me përshkrimin e peripecive të Kordhëtarit.

Shumica besojnë se Skëndërbeu është dërguar, në Shqipëri, prej Sulltanit.

PORTRETI I SKËNDËRBEUT

Ali Zejneli, njatë ditë që isha në shtëpi të tij, më 22 gusht 1929, më dha dhe portretin e Fatosit ose të them më mirë më bëri prosopografinë e tij, e cila është fort e çuditëshme dhe afërmënçe; e paraqet atë cok si përbindësh e po e parashtroj tekstualisht:

S’ka pasë si Skandërbegju në dynja, se i kanë dalë brinja si kaprollit. Ka qëanë nishanlli në botët; si Ai asnjëa tjetër. Skandërbegju ka qëanë me brinja, me dy brinja në lule të ballit. Ka pasë ene fletë për nënë sqetull. Mustaqet e zeza Skandërbegju, mas fjalës së vjetër, i ka pasë më njëanën ané katër pëllamë e më tjetrën katër pëllamë të mëdhoja, çi ja kanë maot Skandërbegjut. Kur luftonte Skandërbegju i baonte syët të përxhakun ene çitte dum prej gojet: çaq i zoti çi ka qëanë në luftë. Ka pasë fuçi sa shtatë evliarë bashkë.

Ndër këta tipare të jashtëzakonëshëm na tërheqin fort vërejtjen e madje na çudisin shumë brirët në ballë të Skëndërbeut. Si ësht’ e mundur të dalin brirë në ballë të njeriut? Në folklorin tonë a ekziston ky motiv absurd? Dhe në qoftë se ekziston është i ri apo i vjetër? Po shohim:

Kuptova se motivi i brirëve në ballë të njeriut është i gjallë në folklorin tonë dhe u binda sidomos pas vitit 1956, kur dëgjova me veshët e mij të flitet për një malësor injorant, i cili, kur doli partizan, njërin prej heronjve të luftës sonë legjendare e pandente se kishte brirë në ballë… dhe në janar të vitit 1962, një dibran prej sidhne, Ali Suf Krashi, që erdhi mik në shtëpinë time, më tregoi se paskan jetuar edhe tre kreshnikë shqiptarë me brirë në ballë, pas Skëndërbëut në kohë shumë të vona, e paskan luftuar edhe këta për liri kundër batalioneve të Turqisë. Dhe ja ç’më tha fjalë për fjalë:

Lam Daci i Kalisë së Lumës, kundër Turkies, ka çanë me brina në Ballë; ene Nazif Grezhdani prej Grezhdani, kundër Turkies, e Zeledin Seferi prej Luznie të Dibrës, afër Selishtës, kundër Turkies, kanë çanë me brina në ballë. Jallah, si u dalin këto brina këtyne! I mshehin me një kësule të madhe, të bardhe, e nuk u shifen. Po kur t’u binte një fashkare (shuplakë) qafës, atëhere vup u dalin brinat e njaten nji pash e me të kapë me ato brina të faekin… Dy tjerët kanë qanë ma vonë, në kohë të Sulltan Hamidit….

Simbas fjalëve të kallëzonjësit këta kreshnikë kanë jetuar e vepruar, para dhe pas Lidhjes së Prizrenit; e kuptojmë se Nazifi e Zeledini kanë luftuar në kohë të Sulltan Hamidit. Është shumë interesante dhe mëshehja e dalja e brirëvet, që na paraqitet si mekanizëm biologjik, i ngjashëm me atë të kthetrave të kafshëve, si fjala vjen luani e tigri. Kreshnikët i mbanin mëshehur brirët, po, si duket, i nxirrnin menjëherë, kur përlyfyteshin me armiqtë e tyre. Këtë përkuptim do të këtë patur sigurisht dhe Ali Zejneli për brirët e Skëndërbeut.

Ali Zejneli, në vrullin e entusiazmit të tij, e imagjinon Skëndërbenë si përbindësh me brirë në ballë, po në të vërtetë këta brirë janë vendosur në përkrenaren e Atij dhe fshatarët e buzës së Detit, që prej Ishmi gjer në Shëngjin dhe të Kurbinit dhe të malësisë së Lezhjes me anë të legjendash të bukura na tregojnë dhe arësyet pse Fatosi i ka ngulur ato në përkrejsen e tij të famëshme. Më dy legjenda të këtilla, për fat rashë dhe unë më 20 tetor 1960. M’i dha shoku Faslli Sinica, prej Devolli, i cili më 1945 e 1946 ka qënë komandant i batalionit të ndjekjes dhe e ka dëgjuar në katundin Laç të Krujës tekstualisht:

“Njëherë n’atë kohë Turqit e rrethuan Skëndërbenë me gjithë ushtrinë në një katund. Turqit kishin fuqi të madhe dhe që të çante rrethimin, Skëndërbeu, qe e pa mundur.

Atëhere, ky siç ishte i rrethuar brënda në katund, mori një cjap të math e therri, e rropi dhe e veshi lëkurën e tija. Katundarët u thanë Turqëve: “Po na ngordhin bagëtia, na lejoni t’i nxjerrim të kullosin”. Turqit i lejuan që t’i nxirrnin bagëtinë, po bashkë me dhitë dolli dhe Skëndërbeu duke ecur këmba doras si dhi me lëkurën e cjapit veshur e si cjap me brirë. Turqit s’e pikasën. Mirëpo Skëndërbeu me të dalë nga rrethimi pregatiti shpejt një ushtri të mirë, u ra turqëve prapa krahëve dhe i detyroi të largohen. Kështu e shpëtoi ushtrin’e tij që ishte e rrethuar”.

Në një katund të Lezhës ka dëgjuar dhe këto për stemën e Skëndërbeut:

N’ato kohë u afruan turqit me anijet e tyre për të zbarkuar në Shëngjin. Po Skëndërbeu, me qëllim që t’i friksonte Turqit, mblodhi një tufë të madhe me dhi dhe në brirët e çdo dhije vuri nga një qiri të ndezur dhe i lëshoi natën nga mali në drejtim të Turqëve, që ishin në buzë të detit. Turqit, duke parë gjithato drita që po u turreshin, u frikësuan fort dhe ikën me anijet e tyre nga kishin ardhur. Kështu Skëndërbeu e shpëtoi Shëngjinin dhe për kujtim të asaj fitoreje, vuri për stemë brirët e dhisë, se dhitë u dhanë datën turqëvet”.

Përkrenarja e Skëndërbeut, me brirët e dhisë, i jep Heroit tonë, një bukuri të veçantë, një origjinalitet e madhështi njëkohësisht, dhe i ka tërhequr vërejtjen e i ka ngjallur kureshtën popullit tonë kurdoherë.

Aliu, në përshkrimin e tipareve të Skëndërbeut, më tha se Fatosi ka patur dhe fletë për nënë sqetull. Këtu po i biem shkurt, duke përfunduar se Skëndërbeu, ka patur fletë për nënë sqetull, që hofte e fluturonte mal më mal, e kep më kep, me kalë e me mushkë, bile dhe me gomar, simbas një besimi që njihet tashmë dhe vërtetohet me provat materiale të gjurmëve të kalit e të mushkës të ngulura në shkëmb. Na bind për këtë edhe Barleti, që shkruan për fluturimet e tij. Na mbushet mëndja se legjendat popullore në fillim e përfytyrojnë Skëndërbeun si drangua, e kështu, mitologjia që po krijonin, ata për Skëndërbeun ka patur lidhje me mitologjinë e vjetër shqipe. Kështu fshatari i thjeshtë prej Urxallës së Macukllit të Matit, po na del mbartës e zbulonjës i besimit popullor shumë të vjetër, e kështu fjala e tij është e saktë e ka rëndësi të madhe për Mitologjinë Skënderiane.

Legjendat popullore na thonë se Fatosi ka kaluar me kalë e me mushkë në shumë vënde të malësisë, kep më kep e ka fluturuar mal më mal edhe gjurmët e kafshës së tij, të rrasura nëpër shkëmbenj na kanë mbetur gjer më sot si prova të gjalla e tregohen. Po këto gjeste të mbinatyrëshme, në ç’baza i ka mbështetur imagjinata popullore; a mos i ka marrë nga feja musulmane? – po shohim:

Jam i bindur se të parët tanë, në etapën e parë të krijimit të legjendave kanë besuar se Ai duhet medoemos të ketë të hofme të mëdha, doemos ka pasur fletë për nënë sqetull, pra ka qënë drangua, siç e ka parë në ëndër e ëma para se ta lindte. Por në etapën e dytë “……….. me përhapjen e musulmanizmit në masë, figura e drangoit u zëvëndësua prej evliarëve e të dashmëve të allahut dhe Mitologjia Skënderiane mori tjetër drejtim….. si na paraqitet sot. Fluturimet e rrufeshme drangojtë i kryejnë në sajë të fletëve që kanë nën sqetull. Pra del si rrjedhim që legjendat e etapës së parë kanë pas treguar sigurisht se Ai ka patur dhe drangoj si bashkëluftëtarë e këta drangoj në etapën e dytë u zëvëndësuan prej evliarësh dhe Fatosi pra, duket të ketë patur fletë nënë sqetull, na bind edhe Barleti e Frang Bardhi”.

Por Ali Zejneli ka ruajtur atë të vjetrën që Skëndërbeu ka patur fletë për nënë sqetull, e pra ka qënë drangua dhe kështu na bind se pushteti i mbinatyrshëm i Kreshnikut arbëror për të hofmet e për të fluturuarat e ka bazën në mitologjinë shqipe të vjetër e jo në atë musulmanike siç paraqitet sot, malësori në fjalë, që duhet çmuar se na ka ruajtur dhe këtë motiv ndër saesa të tjerë. http://www.albeu.com/dossier/roberimi-dhe-kthimi-i-skenderbeut-sipas-legjendave-popullore/120384/

863 total views, 18 views today

Share this post:

Recent Posts

Leave a Comment