Shendetesi

Sëmundjet e zemrës

Zemra si organ muskulor luan rolin e pompës e cila e shtyn gjakun në qarkullim. Zemra, arteriet, venat dhe kapilarët formojnë sistem të mbyllur të gjakut.

Zemra është organ i zgavruar muskulor i përbërë prej dy zgavrave më të vogla, veshëza, dhe në dy zgavra më të mëdha, barkushe, të cilët tkurren dhe shtrihen duke e detyruar gjakun të qarkullojë. Arteriet janë enë elastike të gjakut, të cilat gjakun e largojnë nga zemra.

Venat janë enë të buta elastike të cilat e sjellin gjakun në zemër. Puna e muskujve dhe organeve të tjera e shtyn gjakun nëpër to. Kapilarët e gjakut janë enët më të holla të gjakut përmes të cilave bëhet këmbimi i materieve ushqyese në gjak.

Si funksionon

Zemra dihet që është një pompë që pompon gjakun. Dhe, në rastin e sëmundjeve të zemrës kemi prishje të funksionit të saj si pompë.

Gjithashtu në sëmundjet e zemrës ka rëndësi si kur prishet ritmi, ashtu edhe kur prishen valvulet, ose kur prishet tërësia e mureve të saj. Kur prishet ritmi kemi aritmitë që janë dy llojesh, me ritëm të shtuar ose takikardive, ose me ritëm të ngadalësuar që janë bradikarditë.

Po ashtu kur prishen valvulet, zemra nuk funksionon mirë si pompë dhe në këto raste bëhen operacione të ndryshme për zëvendësimin e tyre. Po ashtu, lloj tjetër sëmundjeje të zemrës janë edhe ato që prishin muret e zemrës, siç është infarkti.

Në të gjitha këto raste, duke mos funksionuar si pompë ajo nuk çon dot gjakun në të gjithë trupin dhe kështu nuk furnizohet organizmi me oksigjen edhe me lëndë ushqimore. Duke mos u furnizuar me to, organizmi do të fillojë të mos funksionojë si duhet.

Simptomat
Në rastin e sëmundjeve të zemrës do të kemi shenja si marrja e frymës, ënjtje të këmbëve, nxirje e buzëve ose edhe dhimbje kur kemi infarkt për arsye se ndodh vdekje e një pjesë të murit të dhomave të zemrës. Stadi i fundit i sëmundjes së zemrës është pamjaftueshmëria e zemrës (insuficienca kardiake) në të cilën ky organ nuk e kryen funksionin e saj dhe njeriu bëhet invalid. Në momentin kur kjo pamjaftueshmëri nuk mund të përballohet nga organizmi, atëherë organizmi vdes.

Variantet e sëmundjes

• Zemra e zgjeruar paraqet dobësimin e muskulit të zemrës, i cili ngadalshëm dhe dobët kontrakton me këtë dobëson qarkullimin i gjakut dhe organet nuk kanë oksigjen të mjaftuar. Si pasojë e këtyre mungesave, paraqitet dobësimi i përgjithshëm i organizmit.

* Miokarditis është ndezje e përgjithshme e muskulit të zemrës, gjë që paraqitet si rezultat i sëmundjeve të tjera, ndonjë infeksion më i madh si gripi, reumatizmi i dhëmbëve, bajameve etj.

* Infarkti është vdekje e një pjese të indit muskulor të zemrës. Kjo sëmundje paraqitet nga mbyllja e ndonjë dege të arterieve të cilat ushqejnë zemrën, gjatë kontraksionit (ngushtimit) momental të arterieve, ndonjë plasaritjeje e arterieve e përcjellë me gjakderdhje, gjatë streseve ose si pasojë e shtypjes së lartë.
Në këto raste indi muskulor ose një pjesë e zemrës mbetet pa ushqim dhe pa oksigjen, menjëherë pas kësaj ajo pjesë e muskulit të zemrës të vdes. Infarkti përcillet me dhimbje të rënda. Ka raste kur zemra ndërpret punën dhe shkaktohet vdekje.

* Aritmia është rrahje e shpejtë dhe e ngadalshme e zemrës ose rrahje e përzier e ngadalësuar dhe e shpejtuar me kërcime dhe ndërprerje të rrahjeve. Kjo dukuri është pasojë e kontrollit të disharmonizuar të ngacmimeve nervore të punës së zemrës, të cilat e kanë prejardhjen nga qendrat e sistemit nervor.

* Arteroskleroza është grumbullimi i materieve të yndyrshme dhe kripërat e kalciumit në brendi në muret e arterieve, kjo çon deri tek mbyllja e tyre dhe zvogëlimi i qarkullimit të gjakut me shumë pasoja si dhe zmadhimi i shtypjes së gjakut, e cila mund të shkaktohet edhe nga gjendjet nervore, streset etj. Të gjitha këto kanë lidhje të drejtpërdrejtë me mosfunksionimin e mirë të zemrës.

* Embolia është mbyllja e ndonjë arterie të trurit, një lloj si infarkti i zemrës. Kjo shkakton dëmtimin e ndonjë qendre dhe me këtë rast paraqitet paraliza ose vdekja.

Pompë artificiale për zemrën
Shkencëtarët në SHBA kanë shpikur një pompë të vogël për zemrën, e cila është quajtur edhe “ura për transplantim”. Pacientët që kanë nevojë për transplantim zemre shpesh presin një kohë të gjatë derisa të gjendet për ta një zemër e përshtatshme. Kjo pompë e ndihmon zemrën e dobët të pacientit dhe gjithashtu i jep kohë atij deri sa të bëhet transplantimi. Pompa punon me bateri dhe vendoset në pjesën e sipërme të barkut përgjatë një operacioni. Ajo ndihmon barkushen e majtë, dhomën kryesore pompuese që furnizon me gjak të gjitha pjesët e trupit. Një tub e çon gjakun prej barkushes së majtë në pompë, e cila pastaj e dërgon në arterie, duke ndihmuar kështu barkushen e dobët. Një tub tjetër që bashkëngjitet tek pompa nxirret jashtë murit të barkut dhe lidhet me baterinë dhe sistemin e kontrollit të pompës.

Zemra dhe ushtrimet fizike
Një studim i ri provon se sa më i shëndetshëm të jetë njeriu në moshë të re, aq më e qëndrueshme do të jetë gjendja e tij shëndetësore dhe më i pakët rreziku nga problemet e zemrës. Studimi i botuar në numrin e fundit të Revistës së Shoqatës Mjekësore Amerikane analizoi gjendjen shëndetësore të 4 mijë e 500 të rinjve nga mosha 18-30 vjeç për 15 vjet radhazi. Gjenda shëndetësore u përcaktua nga përgjigjja e sistemit kardiologjik dhe atij të frymëmarrjes gjatë përdorimit të një aparature për stërvitje. “Një ndër përfundimet kryesore të studimit ishte se, të rinjtë që nuk gëzonin shëndet të mirë, me kalimin e kohës ndesheshin me një rrezik më të madh për t’u prekur nga sëmundja e zemrës. Ata që bënin një nivel të ulët ushtrimesh fizike kishin 3-6 herë më shumë gjasa të vuanin nga tensioni i lartë, diabeti dhe probleme të metabolizmit se sa pjesëmarrësit që bënin ushtrime.

Analiza që zbulon sëmundjen
Shenja e parë e sëmundjes së zemrës në 50 për qind të rasteve vihet re vetëm kur zemra pushon së rrahuri. Por tani një analizë e thjeshtë e gjakut mund të shpëtojë jetë njerëzish.
Analiza e gjakut quhet CRP ose Proteina Reaktive C, e cila mund të zbulojë mjaft herët problemet në venat e gjakut, duke krijuar kështu mundësi për kurim të suksesshëm. Shkencëtarët besojnë se prekja e artereve të zemrës është shkaktari nxitës i shumë goditjeve në zemër. Kjo është edhe arsyeja që një nivel i lartë i proteinës reaktive C mund të jetë vdekjeprurës, edhe kur niveli i kolesterinës është i ulët. Ekspertët e mjekësisë në Amerikë kanë vendosur t’ua sugjerojnë këtë lloj analize të gjithë pacientëve të rinj, të cilët ankohen nga zemra. Kjo pasi të në të gjitha rastet personi nuk do të ketë asnjë efekt anësor, ashtu sikur mund të ndodhë me ekzaminimin me rreze.

Ilaçet e gjakut, efekt edhe për zëmrën
Një studim i kohëve të fundit i kryer në klinikën e Klevelandit tregon se, një nga ilaçet kryesore që përdoren kundër tensionit të lartë të gjakut, Amlodipina, u tregua më e efektshme për pakësimin e rrezikut të goditjeve në zemër tek personat që vuajnë nga zemra, por që kanë tension normal të gjakut. Mjeku Steven Nissen pranë klinikës së Klevelandit thotë se, tani për tani askush nuk mund të rekomandojë ilaçe për uljen e tensionit të gjakut për një person, tensioni i gjakut të të cilit është më i ulët se 13. Por kjo praktikë mund të ndryshojë, po të kihen parasysh rezultatet e studimit që tregojnë se pacientët me sëmundje të zemrës që kanë tension normal të gjakut, që është 13 me 8, mund të përfitojnë nga ilaçet që u jepen pacientëve me tension të lartë gjaku. Ky studim zgjati 2 vjet dhe në të u përfshinë rreth 2 mijë pacientë me sëmundje koronare, por me tension normal të gjakut. Pacientët u ndanë në 3 grupe. Një grup u trajtua me ilaçe të zakonshme.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button