ArsimiLajme

Shqiptarët të painteresuar për mësimin e maqedonishtes

Prindërit shqiptarë vazhdojnë të mos tregojnë interes për Strategjinë e mësimit të gjuhës maqedonase më herët se në klasën e katërt, ashtu siç është paraparë me ligj.

Deri sa ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, zëvendës kryeministri Abdilaqim Ademi dhe komisari i OSBE-së Knut Volebek u bëjnë thirrje prindërve shqiptarë për mësimin e gjuhës maqedonase në moshë më të hershme, drejtori i shkollës fillore “7 marsi” në Shkup, Halil Palloshi thotë se njëherë në fillim kur është përpiluar strategjia, është mbajtur një mbledhje me prindërit dhe që nga ajo mbledhje asnjë prind nuk ka shfaqur interes që fëmija i tij të mësojë gjuhën maqedonase me herët se në klasën e katërt.”Në fillim kishim mbledhje me prindërit ku ju shpjeguam këtë strategjinë për mësimin e maqedonishtes dhe që nga atëherë asnjë prind nuk është lajmëruar se është i interesuar që fëmija i tij të mësojë gjuhën maqedonase më herët sesa që është paraparë me ligj”, tha Palloshi. Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), Nuhi Dardhishta thotë se kjo strategji ende nuk është debatuar dhe ende është vetëm bisedë. “Ne e kemi dhënë mendimin dhe qëndrimin tonë se i përket mësimit të maqedonishtes që në moshën e hershme. Strategjia nuk është e njëjtë si vendimi që ishte në fillim, i cili kërkonte me doemos mësimin e gjuhës maqedonase që nga klasa e parë, por prapë se prapë kjo strategji kërkon debat dhe mendim të ekspertëve të cilët herën e parë konstatuan se kapaciteti i fëmijës në moshën gjashtë vjeçare pamundëson aftësinë që të mësojë gjuhë të huaj”, tha Dardhishta. Ai shtoi se prindërit herën e parë fuqishëm e kundërshtuan vendimin për mësimin e gjuhës maqedonase që nga klasa e parë, kurse tani ata munden që të bëjnë përzgjedhje se kur duan të mësohet kjo gjuhë. “Vendimin për mësimin e gjuhës maqedonase që nga klasa e parë, prindërit shqiptarë e refuzuan fuqishëm, kurse tani mund të zgjedhin se në cilën klasë do të duan që fëmijët e tyre të mësojnë maqedonishten. Duke pasur parasysh që deri më tani asnjë shkollë nuk ka pasur këtë kërkesë, do të thotë që nuk ka interesim”, tha Dardhishta. Ndërkaq në fillim të këtij viti shkollor, Qeveria miratoi strategjinë të arsimit të integruar, i cili parasheh që fëmijët shqiptarë gjuhën maqedonase të mund ta mësojnë në klasën e parë, të dytë apo të tretë.

Volebeku takon Selmanin

Kryetari i DR-së, Imer Selmani u takua me Komisarin e Lartë të OSBE-së. Knut Volebek ka informuar Selmanin për realizimin e Strategjisë për arsim të integruar, kurse Selmani ka përsëritur qëndrimin e tij dhe të DR-së se kjo strategji nuk është e realizueshme dhe në sytë e shqiptarëve shihet si imponim i mësimit të maqedonishtes ndaj nxënësve shqiptarë. “Nuk mundet një Qeveri nga njëra anë të zbatojë politika dhe vendime monoetnike, të ndajë shoqërinë në baza të ndryshme, ndërsa nga ana tjetër të deklarohet se angazhohet për arsim të integruar” ka thënë Selmani.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button