www.Zemra.Org

16 vjet nga beteja e Koshares

Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

20150409084623831646

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999 shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar, përcjell Kosovapress.

Beteja e Koshares më 9 prill të vitit 1999 mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Për nder të 16 vjetorit të Betejës së Koshares nën patronatin e kryeministrit Isa Musftafa nesër fillon manifestimi tradicional “Ditët e shqipes”.

Manfiestimi fillon me homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Koshare ku pastaj do të mbahet një akademi përkujtimore.

Në vazhdën e aktiviteteve për Betejën e Koshares më 11 prill në Sallën e Kuqe në Prishtinë do të mbahet një akademi përkujtimore për nder të rënies së heroit Agim Ramadani, ndërsa më 19 prill në hotel “Emerald” do të mbahet akademi përkujtimore për heroin tjetër të brigadës 138 “Agim Ramadani”, Sali Çekaj.

Exit mobile version