EkonomiaLajme

2012 – A do të mbijetojë euro?

Viti i ardhshëm mund të jetë një moment vendimtar për Eurozonën tashmë të dobësuar. Do të jetë viti kur plani i shpëtimit të euros, i projektuar nga Gjermania dhe Franca, gjatë dhjetorit në Bruksel, ose do të marrë krahë në frymën e re të Bashkimit Evropian, ose do të tretet në mesin e grindjeve nacionaliste.

Varësisht nga suksesi apo dështimi i planit – i cili do të zyrtarizohet si një traktat i ri ndërqeveritar në muajin mars – Evropës do t’i duhet të zgjedhë drejtimin: ose të vazhdojë rrugën për integrim më të madh politik dhe ekonomik, ose t’i kthehet të kaluarës së saj tradicionale, me grindjet e shpeshta të shteteve rivale.

Një gjë e tillë mund të tingëllojë si një vlerësim i tmerrshëm. Por, pas tre vjetësh euro-krizë, askush, përfshirë dhe udhëheqësit e Evropës, nuk i nënvlerëson aksionet.

Prejse liderët e BE-së bënë publik planin më 9 dhjetor, ata kanë punuar shumë për ta portretizuar atë si të vetmen rrugë përpara – jo vetëm për 17 vendet e Eurozonës, por për të 27 anëtarët e bllokut evropian.

“Kjo nuk është një marrëveshje në 17-plus, por një marrëveshje në 27-minus. Shumica e krerëve shtetërorë apo qeveritarë kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara me integrimin evropian drejt stabilitetit fiskal. Ata kanë treguar se duan më shumë Evropë, jo më pak”, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, para Parlamentit Evropian në Strasburg.

Plani i ri do që të rikthejë besimin e investitorëve në euro, duke u kërkuar vendeve jo vetëm të kursejnë më shumë, por, për herë të parë, duke vendosur sanksione ndaj atyre që dështojnë t’i përmbushin objektivat e kursimit. Në fakt, ai kërkon të shpëtojë Eurozonën me transferimin e një mase të paparë të sovranitetit të vendeve të BE-së në Bruksel.

Por, nuk duhet mohuar se disa vende evropiane – sidomos Britania, e cila ka kursyer mbështetjen – e shohin paktin e ri të propozuar si një hap shumë të largët në drejtim të integrimit evropian. Rezervat e tilla mund ta bëjnë atë sfidë për disa nga qeveritë që miratuan planin në Bruksel, e që kërkojnë aprovimin e brendshëm për “më shumë Evropë, e jo më pak”.

Dalibor Rohak, ekonomist në Institutin Legatum me seli në Londër, e shpjegon sfidën në këtë mënyrë:

“Mendoj se problemi më i madh është t’i kemi qeveritë në periferinë e Evropës dakord me këtë marrëveshje. Vendet si Greqia, Italia ose Portugalia kanë bërë përpjekje vërtet të vështira për të kthyer rregullin e tyre fiskal. Unë mund të imagjinoj se, nëse qeveritë e tyre përpiqen të detyrojnë qytetarët për më shumë kursime, për shkak të këtij traktati, dhe nëse përpiqen të heqin dorë nga sovraniteti fiskal mbi buxhetet e tyre, kjo mund të çojë në pakënaqësi dhe reagim të ashpër popullor. Ne tashmë jemi duke parë një reagim të ashpër në vendet si Greqia”.

Njëra nga arsyet e pakënaqësisë, që mund të kalojë në tone nacionaliste, është se pakti shihet gjerësisht si një strategji e imponuar nga Gjermania, për të rregulluar problemet e kontinentit.

Berlini, i cili ka paguar pjesën e ndihmës për Eurozonën, përballet me një rezistencë të madhe të vetë qytetarëve të tij ndaj çdo marrëveshjeje që do të parashihte transferimin e fondeve në vendet e prekura.

Sipas formulës gjermane, vendet periferike duhet të zbatojnë kursime më të mëdha, derisa Gjermania – motori ekonomik i Bashkimit Evropian – përdor industritë e tij të eksportit për të forcuar rritjen ekonomike dhe për të kthyer “shëndetin e euros”.

Se si do të funksionojë ky model, mbetet pikëpyetje. Rohak thotë:

“Vendet në periferi janë duke humbur konkurrencën dhe Gjermania mund të jetë në gjendje të eksportojë. Por, nëse ekonomia botërore dhe pjesa tjetër e Evropës bien në depresion, ajo nuk do të ketë shumë vende për të eksportuar. Andaj, unë nuk mund ta shoh këtë si një model që do të bëjë punë”.

Banka Qendrore e vendit, së fundmi, parashikoi se ekonomia gjermane do të ngadalësohet ndjeshëm në vitin 2012, “falë krizës së borxhit”. Bundesbanka tha se prodhimi ekonomik do të rritet vetëm 0.6 për qind në 2012-n, krahasuar me rritjen prej 3 për qind në 2011-n.

Dyshimet rreth paktit të ri nuk shprehen vetëm brenda vendeve të Eurozonës. Pasiguri ka edhe në disa vende të BE-së, që nuk e përdorin monedhën euro.

Kryeministri i Republikës Çeke, Peter Necas, thotë se personalisht kundërshton thirrjen e traktatit që secili vend i Bashkimit Evropian të kontribuojë në inxheksionin 200 miliardë dollarësh për Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të mbështetur vendet me ngarkesa të larta borxhesh.

Në Poloni, mijëra njerëz kanë mbushur rrugët e Varshavës, për të protestuar kundër thirrjeve për integrim më të thellë me Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë ka ndodhur pavarësisht mbështetjes së fuqishme të qeverisë për paktin e propozuar.

Të gjitha këto mund të jenë shenjat e para të vështirësive që mund t’i ketë marrëveshja e re.

Në vitin 1997, shumë kohë para se euroja të shfaqej në rrugët e Evropës, euro-skeptiku Martin Feldstein, ekonomist në Universitetin Harvard, dyshonte se monedha mund të ketë sukses pa një bashkim politik dhe fiskal.

Feldestin parashikoi edhe diçka tjetër: Nëse Evropa integrohet gjithnjë e më shumë për të mbështetur monedhën e përbashkët, streset e këtyre përpjekjeve ka shumë gjasë të çojnë në rritjen e tensioneve, e madje edhe në konflikte brenda vetë Evropës.

Muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse tensionet do të rriten për shkak të rrugës së re të Eurozonës drejt bashkimit fiskal, ose nëse euros do t’i kthehet shëndeti i saj.

Nëse pakti nuk e shpëton euron, është e paqartë nëse Berlini është i përgatitur të hedhë në qarkullim propozime të tjera. Gjermania dhe vendet e tjera të pasura besohet se janë të gatshme të konsiderojnë krijimin e një zone më të vogël të monedhës së përbashkët, me nivel të lartë të koordinimit fiskal dhe të qetë nga anëtarët e dobët të Eurozonës.

Kjo do të ishte shpërbërja e Eurozonës dhe fillimi i një udhëtimi të ri të Evropës drejt një të ardhmeje të paeksploruar.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button