KosovaLajmeMaqedoniaShqiperia

Urime 28 Nentori – Dita e Flamurit

Në dhjetë vjetëshin e parë te shek. XX. shqiptarët organizuan kryengritje të shumta, duke përfshirë qytete të ndryshme,Edhe përkundër rrethanave të ndërlikuara ndërkombëtare, luftën për çlirim dhe pavarësi populli shqiptar nuk e ndali. Hasan Prishtina, deputeti i Kosovës në dhomën e deputetëve në Parlamentin osman më 11 janar 1912, bëri një diskutim të fuqishëm në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Nga ky diskutim, lindi takimi në lagjën Taksim, i deputetëve shqiptarë, që paraqet marrëveshjen se “për Shqipërin nuk ka tjetër mjet vetëm të fitojë me një kryengritje të përgjithëshme”.
Në këtë mbledhje, si e quajti Hasan Prishtina “Komplot i Taksimit”, rol vendimtarë luajtën dy figura të shquara të Kombit, Ismajl Qemali dhe Hasan Prishtina. Nga marrëveshja e Taksimit, me punën e patriotëve shqiptarë, në trojet shqiptare dolën besëlidhjet e krahinave, si e Lezhës, Bregut te Matit, Dibrës e tjera, deri te Kuvendi i Junikut (21-25 maj 1912).
Me inisiativën e Hasan Prishitnës aprovohet programi i kryengritjes e që parashihej 1. Caktimi i kufijëve, 2. Krijimi i një administrate shqiptare, 3. Ngritja e flamurit kombëtarë, 4. Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, 5. Në Shqipëri të sundojë guvernori shqiptare i zgjedhur nga përfaqësuesit e popullit, etj. Si dhe për zbatimin e këtyre kërkesave të jenë garantues fuqitë e mëdha. Këto kërkesa, de facto, ishin për pavarësinë e Shqipërisë. Mirëpo ato nuk u aprovuan nga Porta e Lartë e Stambollit, prandaj kryengritja e përgjithshme shqiptare vazhdoi në të gjitha trojet shqiptare.
Aleanca e shteteve ballkanike që u krijua dhe u zgjerua gjatë periudhës mars-shtator 1912 në lidhje me Perandorinë Osmane, kishte karakter çlirimtar, por në krahasim me trojet shqiptare kishte karakter pushtues- grabitqar. Secili fqi ballkanik, kishte bërë planet që të shkëpuste nga një pjesë të Shqipërisë. Pas mobilizimit të ushtrisë të Aleancës Ballkanike në fund të shtatorit edhe Porta e Lartë e mobilizoi ushtrine e vet. Më 8 tetor 1912, Mali i zi i pari shpalli luftë Turqisë, më 17 tetor Serbia dhe Bullgaria, ndërsa një ditë me vonë edhe Greqia.
Kështu filloi Lufta e Parë Ballkanike, ndërsa për shqiptarët filloi një nga periudhat më të vështira të historisë. Pjesa lindore e Vilajetit të Kosovës (Presheva, Bujanoci si dhe viset tjera) u detyruan t`i lënë vatrat e tyre shekullore nga depërtimi i ushtrisë serbe. Përzënia nga Sanxhaku i Nishit kishte mbjellur frikë tek shqiptarët me masakrat e egra. Prandaj pjesa dërmuese e tyre u vendos në Shkup e rrethinë, ku qëndroi disa javë. Pas “qetësisë” së krijuar, ata u kthyen në shtëpitë e tyre, por pyetja ishte çka gjetën nga pasuritë e tyre dhe si e kaluan dimrin. Njerëzit me bindje se nuk do të ndodhë asgjë me ta , pësuan humbje njerëzish, djegje të shtëpive, plaçkitje të pasurive, e shumë çka tjetër.
Kur në rrethanat diplomatike dhe shtypin evropian filloi të flitet për nevojën e ndryshimeve territoriale në Ballkan, patriotët shqiptarë vendosën që të marrin një veprim të ri politik, qëllimi i të cilit ishte të ruhej tërësia e tokave shqiptare dhe të mblidhej një kuvend kombëtarë që do të vendoste për fatin e saj. Inisiativën për këtë veprim të ri e morën Ismajl Qemali e Luigj Gurakuqi.
Kuvendi i Vlorës
Duke mos marrë parasyshë rrethanat, se edhe në mos arrinin të gjithë përfaqësuesit e krahinave të ndryshme shqiptare, më 28 nëntorë 1912, në orën 14.30, u hap Kuvendi Kombëtarë i Vlorës, në të cilin morën pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullit shqiptarë. Në seancën e parë të këtij Kuvendi, fjalën hyrëse e paraqiti Ismajl Qemali në të cilën e paraqiti gjendjen e Shqipërisë dhe i përcaktoi masat e ngutshme që duhej të ndërrmerren. Shqiptarët tha ai, nuk harruan as gjuhën e as kombësinë e tyre dhe prova më e mirë janë përpjekjet dhe kryengritjet që bënë pa ndërprerë, e sidomos në katër vitet e fundit për të ruajtur të drejtat dhe zakonet e tyre. Në vazhdim, ai tha se: populli na zgjodhi dhe na dërgoi në këtë tubim historik që të ndërmerret shpëtimin e atdheut, e shpëtimi i vetëm është liria. Prandaj, duke mbështetur mbi dëshirat e shenjëta dhe me vullnetin e patundur të gjithë popullit, dhe me përfaqësuesit e tij e shpallim Shqipërin të mëvetësuar, të lirë dhe të pavarur.
Në vazhdimin e punës së Kuvendit të Vlorës, më 4 dhjetor 1912, u bë zgjedhja e plotë e qeverisë, ku bënin pjesë: Ismajl Qemali, kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, Dom Nikollë Kaçori, nënkryetar, Myfit Bej Libhova, ministër i i punëve të brenshmë, Abdi Bej Toptani, ministër i finansave, Mehmet Pashë Dërralla, ministër i mbrojtjes kombëtare, Petro Poga, ministër i arsimit, Mit`hat Frashëri, ministër i punëve botërore, Pandeli Cale, ministër i PTT-së.
Në Kuvendin e shpalljes së Pavarësisë nuk morën pjesë: Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Nexhip Draga, Sahit Hoxha, e të tjerë përshkak se u internuan në burgun e Kalasë së Beogradit (në Kalemegdan) dhe u mbajtën deri në prill të vitit 1913.
Shpallja e Pavarësis së Shqipërisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Ajo shënoi jo vetëm çlirimin nga zgjedhja shumëshekullore turke-osmane, por iu dha grusht vendimtarë pretendimeve territoriale të shteteve fqinje, edhe pse fatëkeqsishtë nga ajo ditë e deri më sot më se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufirit të shtetit.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button