www.Zemra.Org

4 autoblinda futen në Lazarat, banorët qëllojnë me antitank (VIDEO)

1330-500x310Policia e Shtetit është e vendosur të çojë deri në fund ndërhyrjen në fshatin e Lazaratit kundër kultivimit të lëndës narkotike, por ajo që tashmë është kthyer në një mision pa kthim është kapja e rrjetit të grupit kriminal të trafikantëve që ka rezistuar me armë nga nisja e këtij aksioni.

Kryepolici Artan Didi, i cili udhëhoqi nga Lazarati operacionin antikanabis në ditën e dytë, tha këtë të martë nga Tirana se 26 anëtarët e grupit kriminal të udhëhequr nga Gate Mahmutaj kanë mbajtur “nën kthetra” fshatin e Lazaratit, një grup sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i strukturuar dhe i dirigjuar.

“Është dita e tretë e operacionit të gjerë të FNSH të ndërhyrjes në Lazarat, por operacioni në Lazarat ka dy muaj që ka filluar që me sensibilizmin e opinionit, takimet me banorët dhe tani në fund erdhëm në fazën që pas të gjitha masave policore në lidhje me komunitetin nuk u arrit objektivi për të penguar kultivimin e drogës. Kështu që u pa që policia të përdorë atributin e saj përmes forcës, policia është në të drejtën e vet në zbatim të ligjit.

Nga një operacion kundër kultivimit të lëndës narkotike ky po kthehen në një aksion për të kapur një grup trafikantësh që e ka mbajtur nën kthetra këtë fshat. Nuk kam informacione për lidhje politike, por ky është një grupim vërtetë i strukturuar që dirigjohet, dhe kjo duket nga lojërat që janë bërë nëpërmjet medies nëpërmjet komunikimit me medien të atyre elementëve kriminal që kanë goditur policinë”, tha Didi.

Megjithatë, Didi tha se operacioni i policisë në këtë zonë, edhe pse tanimë i pakthyeshëm. Do të vijojë në varësi të situatës që të mos shënohen dëme në njerëz “Unë i bëj thirrje të dorëzohen pasi policia nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ne do të vendosim ligjin në çdo centimetër të hartës të Shqipërisë.

Ne jemi futur vetëm në një pjesë të Lazaratit nuk e menduam si një gjë të lehtë dhe ndaj nuk hymë më parë, pasi llogaritëm kapacitetet nisëm këtë operacion, i cili mund të vazhdojë në varësi të situatës që do të paraqitet atje. Policia do të vijojë këtë operacion pa dëme në njerëz. Ne i kemi dalë për zot kësaj zone dhe nuk kemi të drejtë të tërhiqemi”, u shpreh Didi. Katër autoblinda të policisë janë futur në fshatin Lazarat rreth orës 11.00 te paradites së sotme.

Policia thotë se banorët janë përgjigjiur me armë zjarri, madje me artileri të rëndë. Korespondenti i Tv Klan në Gjirokastër thotë se aksioni i policisë vijon edhe në këtë momente ndërkohë që dëgjohen pa ndrëprrerje të shtënat e armëve. Reth 800 forca policore ku përfshihet RENEA dhe specialet e policisë së shtetit gjenden në fshatin Lazarat.

Në orën 02:00 të mëngjesit të sotëm nga të shtënat me armë nga brendësia e fshatit Lazarat është plagosur me armë armë zjarri në dorë dhe në këmbë nje punonjës i Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër. Punonjësi i policisë aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu janë ngritur grupe speciale hetimi të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, të cilët po vijojnë veprimet paralel me veprimet operacionale të strukturave policore në terren për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e provave materiale.
Në të njëjtën kohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi deklaron se operacioni i nisur po kalon në një operacion kundër një grupi kriminelësh që ka mbajtur peng fshatin dhe se operacioni do të vijojë deri në asgjesimin e të gjitha rrënjëve kanabis.

Deklarata e tij u bë sot nga ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Didi informon se harta e kultivimit të kanabisit është shumë e gjerë dhe një pjesë të sipërfaqeve me kanabis janë djegur nga vetë banorët.

Sakaq policia i bën thirrje banorëve të Lazaratit të mos dalin nga banesat për arsye të sigurisë së jetës. Të gjithë qytetarët duhet të evitojnë plotësisht hyrjen për në Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë. Ata këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre deri në përfundim të operacionit.

Exit mobile version