VIP

Agnesa Vuthaj: Relacioni më i mirë është single

Të kesh një marrëdhënie të mirë me vetveten dhe jetën, mjafton për t’u ndjerë e përmbushur dhe e lumtur, edhe pa një mashkull në krah.

Ndaj ka vendosur të jetë single derisa të takojë personin që do ta bindë se jeta në çift është më e bukur sesa kur je vetëm. Ama, kur gjendet në ndonjë dasmë, nuk i shpëton dot ngacmimit që i ndjell dalja e nuses nga shtëpia.

Me kë jeton?

Jetoj vetëm.

Cila është gjëja më e bukur e të qenit single?

Vetë të qenit single është një ndjenjë shumë e bukur. Të kesh një marrëdhënie të mirë me vetveten dhe jetën, mjafton për t’u ndjerë e përmbushur dhe e lumtur, edhe pa një mashkull në krah.

Po gjëja më e keqe?

Kureshtja, kush do ta ndërrojë statusin tim nga Single në Relacion.

Ke dalë në “blind date”, në takim të sajuar nga të tjerët me dikë që nuk e ke njohur më parë?

Jo, asnjëherë.

Kush e ka “problem” beqarinë tënde?

Më duket se askush J.

Gënjen ende kur del në takim me dikë? Kë gënjen dhe si?

Nuk kam gënjyer asnjëherë për të dalë në një takim… ndoshta ngaqë kam filluar të dal në të tilla takime shumë vonë; dhe kur kam dalë në një takim, të gjithë ata që më njohin e kanë ditur dhe janë gëzuar për faktin.

Mbrëmjet e tua tipike të fundjavës si janë?

Zakonisht fundjavat i kaloj te familja ime, në ambient familjar ose në udhëtime, e rrallë më ndodh të dal për party, për jetë nate.

Në ç’orë kthehesh në shtëpi, kur del natën?

Sikur ta pyesim sigurimin poshtë shtëpisë sime J. Ndonëse dal rrallë, kur dal më pëlqen të rri më gjatë, por rreth orës 2.30 jam në shtëpi.

Kur e ke dëgjuar për herë të parë urimin “me një fat të mirë” ose “në dasmë”?

Për herë të parë nuk e mbaj mend, por për të fundit do të përgjigjesha: më ndodh ta dëgjoj shumë shpesh, nga familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët.

Çfarë mendon kur e dëgjon?

E marrë me pozitivitet, mendoj që do të martohem kur të ndihem që kam takuar personin me të cilin do ta kaloj gjithë jetën time.

Të pëlqejnë dasmat e të tjerëve?

Më pëlqejnë dhe më emocionojnë shume dasmat, sidomos ato që bëhen në shtëpinë e vajzës dhe momenti kur vijnë dhe e marrin nusen.

Po për tënden a mendon?

Sapo më shkon mendja te dasma ime, e çoj mendimin diku tjetër. Mendoj se do të kalojë shumë kohë para se të filloj të mendoj për dasmën time.

Shumica e miqve dhe mikeshave të tua janë të martuar apo single?

Kam shumë miq/mikesha të martuar, por shoqet me të cilat e kaloj shumicën e kohës janë single. Sapo më martohet një shoqe, takoj një tjetër që është single J.

Sa shpesh fton njerëz në shtëpi?

Shumë rrallë.

Për çfarë shpenzon më shumë?

Udhëtime.

Sa herë në javë gatuan?

Gatuaj vetëm kur jam shumë e uritur dhe nuk mund të pres për të dalë për të ngrënë jashtë ose kur më hahet një ushqim shtëpie që s’e gatuajnë nëpër restorante.

Përndryshe, mëngjesin e ha gjithmonë në shtëpi.

Cili është specialiteti yt?

Kur gatuaj vetëm për veten, zakonisht gatuaj ushqimet më të lehta, supë, sallatë, perime të ziera… por ushqimi i detit është i preferuari im.

Mund të gatuash edhe vetëm për vete? 

Po, duke qenë se jetoj vetëm, më ndodh të gatuaj dhe të ha vetëm dhe më pëlqen.

Cilin nga këta numra shërbimesh ke në celular: taksi, ambulancë, polici, elektricist, hidraulik, shërbim taksi…

Numër policie dhe taksie nuk kam në celular, sepse e di përmendsh, por kam numër mjeshtri të rrymës dhe ujit (elektricist & hidraulik).

Deri kur do vazhdosh të jesh single?

Deri kur të takoj personin që do të më bindë se jeta në çift është më e bukur. Vazhdoj të mendoj që “relacioni më i mirë është single”.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button