Aksion i gjerë policor në fshatin Malinë të rajonit të Karadakut të Shkupit.
Zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski njoftoi se policia, prej orëve të para të mëngjesit, ka bastisur disa shtëpi në këtë fshat, i cili është në afërsi të Gushincës, ku disa ditë më parë u sulmua kulla kufitare. Banorët e Malinës duke përshkruar atmosferën në fshat, thonë se policia u ka terrorizuar familjet dhe i kanë bllokuar nëpër shtëpi, nën ankthin se kur do të ndodhë bastisja e radhës. Banorët pohojnë se të paktën dy banorë, Gadaf Nuhiu dhe Rrahim Hajdari, që të dy nga Malina, janë prangosur.
“Kishin bastisur të dy shtëpitë, një vëlla kishte ikur ishte frikësuar është më i ri se unë. I kishin marrë dy persona të komshinjve, nuk e di nëse i kanë lëshuar.(01:49) Nënën e kam pasur në shtëpi dhe motrën, ata ishin frikësuar vetë në shtëpi.(02:36)Tani nuk po guxoj as të shkoj në shtëpi, më kanë ngelur të gjitha kafshët mbyllur. Nuk kanë gjetur asgjë në shtëpi”, deklaroi Fazli Osmani, banor i Malinës.
Kryetari i Bashkësisë lokale të Malinës Vebi Saliu u bënë thirrje politikanëve shqiptar që të mos bëjnë pazarllëqe me jetët e tyre.
“Kanë sjellur forca të mëdha dhe nuk e dimë se për çfarë, këtu në fshat nuk ka asgjë. Na kanë bllokuar nëpër shtëpi të gjithëve me nga 10 persona për roje. Ne duhet ta dimë përse bëhet kjo punë. Ne nuk kemi faj. Këto banorë që kemi ngelur këtu nuk mundemi të ngihemi me kafshatën e bukës. Na kanë nxjerrë punë. Fshatarët janë bërë gati për të ikur por nuk po na lejojnë të dalim prej shtëpie. Çobanëve që i kanë lëshuar bagëtitë u kërkojnë letërnjoftime. O zotëri ja un me lopë, dhenë çfarë letërnjoftimi, por i detyruan me zor. Në fillimin kur hynë në fshat u kërkonin letërnjoftime të gjithëve, edhe fëmijëve. Ku janë liderët që na keqtrajtojnë, që kërkojnë votat e të varfërve, që i shesin votat e të varfërve bëjnë pazarllëqe. Deri kur do të bëhen kështu pazarllëqe me neve”, tha Vebi Saliu, kryetar i bashkësisë lokale
Informatat paraprake nga policia tregojnë për gjetjen dhe konfiskimin e një pjese të armëve të vjedhura gjatë sulmit në Gushincë, fakt ky që policia e fshehu për një javë me radhë. MPB-ja njoftoi vetëm mbi skenarin e ngjarjes dhe mesazhet që kanë lënë sulmuesit, por nuk tregoi se policia ka humbur sasi të madhe armatimi.
“Maqedonia, përkatësisht institucionet shtetërore, mëngjesin e sotëm ishin shënjestër e një sulmi terrorist. Rreth orës 2:30 pas mesnate, një grup i madh prej rreth 40 personash sulmuan kullën kufitare të Gushincës në afërsi të kufirit verior. Personat kanë qenë të armatosur mirë dhe kanë pasur uniforma dhe maska me simbole të UÇK-së si dhe kanë folur shqip mes tyre. Gjatë sulmit janë mbajtur peng 4 nëpunës policorë të cilët në atë moment kanë qenë kujdestar në pikën e kontrollit. Sulmuesit i kanë çarmatosur, dhe tre prej tyre i kanë lidhur me pranga; e pastaj kanë filluar të godasin njërin prej nëpunësve policorë. Ata kanë nxjerrë edhe kamerën dhe kanë filmuar ngjarjen. Personi i cili e ka drejtuar grupin në gjuhën shqipe, përmes një përkthyesi i cili e ka folur keq gjuhën maqedonase me serbizma, u është drejtuar policëve të lidhur me fjalët në vijim: “Ne jemi nga UÇK, përcilljani të gjithëve se as Ahmeti dhe as Gruevki nuk mund t’ju shpëtojnë. Ne duam shtetin tonë dhe nuk duam asnjë marrëveshje Ohri. Prej tani, askush nuk guxon të vijë lartë. Nëse ju dhe cilindo tjetër, e kapim përsëri, të gjithëve do t’iu eliminojmë”, pati deklatuar Ivo Kotevski, zëdhënës i policisë (21.04.2015)
MPB-ja nuk deshi të komentojë aksionin, nën arsyetimin e ai ende vazhdon. Në momentin që trupat policore do të tërhiqen nga fshati, do të dilet me prononcim zyrtar. Për momentin nuk ka informata për persona të mundshëm të arrestuar, gjoja të përfshirë në sulmin në kullën kufitare në Gushincë. Sipas informatave jozyrtare, kontrolli policor është shtrirë edhe përtej fshatit Brezë. Policia dyshon se sulmuesit e Gushincës fshihen në këto fshatra.