Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski, Zvicra kishte kërkuar dëshmi dhe dëshmitarë, për të ndihmuar në hetimin ndaj 2 shtetasve të Maqedonisë të arrestuar në Zvicër për akuzën e mësipërme. Bëhet fjalë për Sabedin Saitin nga Kumanova dhe Kujtim Aligegën nga Gostivari, të cilët kanë kanalizuar të paktën 2,5 milion franga zvicerane. Lidhshmëria mes dy vendeve është se një pjesë e këtyre parave të fituara nga shitja e drogës, të dyshuarit e kanë dërguar në shtëpi, përmes transferimit të shpejtë të parave ose korrierëve.
“Nga bastisjet është gjetur dokumentacion për transferim të shumave të mëdha të parave në emër të shumë personave, të dërguara nga Zvicra në Maqedoni. Kontrollet do të vazhdojnë, ndërsa dy personat e të shoqëruarve në rolin e dëshmitarëve, gjatë ditës do të dërgohen para prokurorit publik.
Njëri prej personave tek i cili u krye bastisja, është vëllai i njërit nga të arrestuarit në Zvicër, i cili sipas njoftimeve të policisë së Zvicrës, para më shumë se 20 vitesh, ishte kapur me 300 kg heroinë, dhe për këtë është dënuar me 18 vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit, ai është dëbuar dhe caktuar ndalesë për hyrje në Zvicër”, tha Ivo Kotevski, Zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.
Siç theksojnë në Ministria e Brendshme, bastisjet në Gostivar janë kryer ndaj dy personave fizikë dhe te një kompani, agjenci turistike. Personat që janë shoqëruar sot në vendin tonë, tani për tani janë në rolin e dëshmitarëve dhe kundër tyre nuk ka ndonjë aktakuzë. Meqë hetimi është në rrjedhë e sipër, nga policia nuk mund të njoftojnë se sa para janë transferuar nga Zvicra nga aktivitetet e dyshimta mes dy vendeve, dhe se ku kanë përfunduar ato para.