Albërie, ju keni dy vajza shumë të bukura, Agnesa dhe Anxhelina. Anxhelina duket se do të ecë në gjurmët tuaja. Ju jeni personi që e keni inkurajuar t’i futet muzikës?
Pa diskutim, duke qenë vetë këngëtare, normalisht që e kam parë që Anxhelina është dhe do ecë shumë mirë. Unë e kam parë që fëmijë që kishte talent dhe e kam ndihmuar të punojë dhe vazhdoj ta inkurajoj të jetë e denjë.
Anxhelina, duke parë mamin të lindi dëshira për muzikë apo kjo ka ardhur shumë natyrshëm?
Mamin e adhuroj. Jam e bindur që dashuria për këngën më ka lindur nga mami dhe meqenëse jam rritur në familje me muzikë, unë e kam pasion muzikën.
Anxhelina, pas klipit “Kopje pa kuptim”, duhet të kenë nisur ofertat apo jo?
Po, kam pasur kërkesa për koncerte, por besoj që ende nuk jam gati me repertor që t’i kënaq fansat e mi… Le të presim edhe pak, që t’i realizoj edhe disa këngë të reja!
Albërie, ju sapo keni hedhur në treg albumin tuaj më të ri. Si po ecën ai? Dimë që keni thënë se jeni përpjekur t’u përshtateni kërkesave muzikore të kohës, ndërkohë që sapo keni lançuar edhe klipin “Kur nuk shkon, nuk shkon”?
Po, doli më në fund. Është ende herët për t’u shprehur rreth suksesit të tij. Unë jam munduar t’u përshtatem shijeve të masës, besoj shumë që të ketë sukses! Kisha xhiruar një herë në Vlorë për një këngë, por për fat të keq u dogjën xhirimet dhe puna ka nisur nga e para përsëri.
Anxhelina, po për ty kur mendon se do të vijë koha për një album apo është ende herët?
Unë sapo kam realizuar një këngë të re, baladë. Është një këngë e cila mua personalisht më pëlqen shumë dhe së shpejti do t’i bëj edhe klipin. Sa i përket albumit, dalëngadalë plotësohen këngët dhe albumi do të jetë në treg për fansat e mi.
Albërie, për një periudhë disi të gjatë kohore, ju i keni munguar skenës shqiptare. Si i shihni ato vite, tani që ktheni kokën pas?
Jeta ka edhe të papriturat e veta, por sigurisht për një artiste si unë, që jam rritur me këngën, normalisht s’ka qenë e lehtë… Më ka munguar një pjesë e rëndësishme e imja, pra unë pa këngën dhe skenën jam gjysmake!
Anxhelina, a të pëlqen të marrësh pjesë në ndonjë festival këtë vit?
Po, pa diskutim, duke pasur një nënë që u rrit nëpër festivale, edhe unë dua të jem pjesë e festivaleve dhe garave për një karrierë të sigurt!
Albërie, cila është kënga juaj që ju vetë preferoni më shumë? Kujtojmë këtu që kënga juaj e parë (të paktën që ne mbajmë mend!) është kënga “Pse vonon dashuria”, shumë e pëlqyer nga publiku… Megjithatë, edhe stili juaj ka evoluar shumë, duke nisur që nga baladat e deri te rryma R’N’B.
Këngët janë si fëmijët që nuk i ndan dot nga njëri-tjetri, por “Mirësia dhe e vërteta” mbetet kënga e zemrës dhe e kujtimit të hidhur për Luftën e Kosovës… dhe gjendjen e jashtëzakonshme në Shqipëri të vitit ‘97.
Anxhelina, cila është kënga e preferuar e mamit tënd? Po për momentin, cila këngëtare ose këngë (në botë ose Shqipëri) të pëlqen më shumë dhe nga e cila frymëzohesh?
Më pëlqejnë të gjitha këngët e mamit, se unë jam rritur me to, por do të veçoja hitin e saj “Jeta s’është lodër”, të cilën e këndojnë të gjithë! Ndërsa nga këngëtaret e huaja ka shumë që më pëlqejnë, por do të veçoja këtu Beyonce etj.
Sipas jush, sot është më e lehtë të bëhesh këngëtare (shumë këngëtare sot janë të tilla vetëm falë pamjes dhe veshjeve ekstravagante, ju si e gjykoni këtë?). Po në lidhje me Anxhelinën ç’mendoni?
Po, është e vërtetë, por ato unë mund t’i quaj show-girls e jo këngëtare… Anxhelina është një vajzë që i posedon të dyja, edhe pamjen, edhe talentin, dhe për këtë fakt jam shumë e lumtur. Tani është herët të flas, por koha është ajo që do t’ju bindë edhe ju!
Jeni shprehur shpesh se këngëtarët e skenës shqiptare duhet të këndojnë live. Ç’mendim keni për ata këngëtarë që bëjnë “lekë me thasë”, por s’këndojnë kurrë live?
Po përderisa u ecën, bravo u qoftë, s’kam asgjë kundra. Por të gjithë e dimë se kush këndon dhe kush jo… e unë hyj tek ato që këndojnë live (hahahaha). Unë u uroj të gjithë atyre që i hyjnë kësaj bote shumë, shumë suksese!
Anxhelina, i trembesh interpretimit live, si shumë këngëtarë të skenës shqiptare? Mendon se është shumë herët për të kënduar drejtpërdrejt?
Jo aspak, unë e kam të qartë se përderisa jam futur në këtë rrugë, do ta bëj me dinjitet.
Albërie, cila është pjata e preferuar që ju gatuani për familjen?
Unë jam martuar shumë e re dhe normalisht kam qenë shumë e predispozuar ta kënaq familjen time, kështu që gatuaj shumë mirë. S’e di çfarë të them e të përmend një pjatë të preferuar, por prodhimet e detit i dua shumë dhe i gatuaj me shumë pasion!
Po ti Anxhelina, a ke provuar të gatuash?
Po, kam provuar dhe di të gatuaj shumë mirë, jo si mami, por …
Albërie, si jeni si mama, e rreptë?
Të them të drejtën, jam pak e rreptë, por gjithmonë për të mirën e tyre… Tani që janë rritur, e kanë kuptuar dhe më falënderojnë për këtë. Kam filluar të jem paksa më tolerante (qesh). Kur ta lexojnë vajzat artikullin, do thonë: Kur qenke bërë më tolerante?!
Anxhelina, po ti, e dëgjon shpesh mamin apo ndodh edhe ta kundërshtosh?
Mos e dëgjo po deshe (qesh). Bëj shaka… E dua më shumë se veten dhe normalisht bëj gjithmonë ashtu si thotë ajo. Jam me fat që kam mama atë!
Si ndihesh mes kushërirave, sikur jeni në ndonjë konkurs bukurie, me siguri?
Anxhelina: Jemi me fat, apo jo?! I dua shumë dhe jam shumë e lidhur me to.
Ç’ndjesi ju krijohet kur thonë: “Nënë e bijë, njëra më e bukur se tjetra”?
Të dyja. Është një ndjesi shumë e mirë dhe një vlerësim nga të tjerët, pa dyshim.
A keni ndërmend të bëni ndonjë duet së bashku?
Albërie: Po, kënga po realizohet dhe ka një mesazh të madh. Shpresoj të jetë një sukses “nënë e bijë”!
Një pyetje për fund. Duket sikur vitet ikin, por ju sa vini e rinoheni. Cili është suksesi i pamjes suaj të admirueshme?
Albërie: Në fakt, njerëzit më shohin me habi, por unë jam shumë e re në moshë, por meqenëse kam vajza të rritura, i hutoj paksa njerëzit me pamjen! Unë thashë se jam martuar shumë e re, megjithatë mundohem t’i ruaj linjat dhe trajtohem për të qenë në formë.
Anxhelina, çfarë të thonë shoqet për mamin që e ke kaq të bukur? Me siguri të kanë zili…
Po, ndonjëherë kur vjen mami në shkollë për mbledhjet me prindër, të gjithë më komplimentojnë për mamin dhe mua më bëhet shumë qejfi.