“Vula e muzeut është vetëm në maqedonisht, pasi kërkesa jonë për të qenë vula në dy gjuhë u refuzua”, thotë për “Lajm” drejtori i muzeut të Alfabetit Shqip, Gazmend Hoxhaj. Ai sqaron se kërkesa e Këshillit Drejtues të muzeut është refuzuar nga sekretariati për ligjshmëri dhe meqë nuk kanë pas mënyrë tjetër për ta regjistruar muzeun, ata kanë pranuar që vula të jetë vetëm maqedonisht. “Kërkesa jonë për të qenë vula në dy gjuhë u refuzua nga sekretariati për ligjshmëri me arsyetimin se ky institucion nacional duhet të përdorë vetëm gjuhën maqedonase, pasi i përket të gjitha nacionaliteteve dhe e dyta në Manastir jetojnë më pak se 20 për qind shqiptarë”, thotë Hoxhaj.
Historiani Nebi Dervishi, thotë se kjo është një padrejtësi e madhe për muzeun e Alfabetit Shqip. “Bëhet një krim ndaj shqipes, ndaj atyre pak njerëzve që kanë mbet në Manastir”, thotë Dervishi, duke shtuar se ky veprim nuk është normal. Dervishi, i cili është në kontakte të vazhdueshme me udhëheqësinë e muzeut të Alfabetit shqip, thotë se ata që tri herë i plotësojnë dokumentet për regjistrimin e muzeut, ku ndër të tjera kërkojnë që vula të jetë edhe në gjuhën shqipe, por janë refuzuar. “Përderisa muzeu është institucion nacional, kjo që ndodh me vulën nuk është normale”, thotë ai.
Eksperti i çështjeve juridike Osman Kadriu thotë se në bazë të Kushtetutës dhe të Marrëveshjes së Ohrit gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni është gjuha shqipe, mirëpo, siç thotë ai, ligji që solli parlamenti lejon përdorimin gjysmak të gjuhës shqipe. “Shqipja duhet të përdoret edhe në vulën e Akademisë së Shkencave”, thotë Kadriu, duke shtuar se Ligji ekzistues patjetër duhet të korrigjohet. “Ose të miratohet një ligj i ri, ose të plotësohet ligji ekzistues, pasi përndryshe do të kemi absurde të këtij lloji”, thotë ai.
Muzeu i Alfabetit Shqip në Manastir është Regjistruar në regjistrin qendror më 31 dhjetor të vitit 2010. “Morëm vendim prej Regjistrit qendror, se prej 31 dhjetorit të vitit 2010 muzeu i Shtëpisë së Alfabetit është regjistruar si institucion nacional i Republikës së Maqedonisë”, sqaron drejtori i muzeut Gazmend Hoxhaj.
Kongresi i Manastirit, I zhvilloi punimet prej 14 nëntor – 22 nëntor 1908 në Manastir, ku përcaktoi Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Pas 101 vjetësh, shtëpia ku u mbajt ky kongres u shndërrua në Muze, por me vulë maqedonisht.
Edhe instituti me vulë maqedonisht
Skandali me vulën maqedonisht nuk përfundon tek muzeu i Alfabetit Shqip, pasi edhe Institute për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve e ka vulën vetëm në maqedonisht.
Nga institute justifikohen se këshilli i mëparshëm nuk ka kërkuar që vula të jetë edhe në shqip.