VIP

Alma e “Big Brother”: Pa Antonion ndihem si peshku pa ujë

Alma sapo ke hapur një butik tëndin. Përse pikërisht kjo zgjedhje?

-Sepse që e vogël kam qenë gjithmonë e tërhequr nga moda, kam punuar për të! Jam e çmendur pas veshjeve, kërkoj gjithmonë të dukem thjesht, por bukur dhe me gusto. Kohët e fundit kam marrë shumë e-maile ku më përgëzonin për veshjet dhe shijen në të veshur gjatë qëndrimit tim në shtëpinë e “Big Brother”, ndaj mora guximin të bëja këtë hap të rëndësishëm.

Hapja e këtij biznesi na bën të mendojmë se po e bluan idenë që të kthehesh përfundimisht në Shqipëri?

-Unë e kam shprehur disa herë që nuk do më vinte keq aspak sikur të kthehem, por momentalisht nuk mundem për shumë arsye! Për tani kam hedhur një hap të vogël, pastaj nuk i dihet!

Gjatë kohës që do të jesh në Itali, kush do të merret me menaxhimin e dyqanit?

Për momentin kam gjetur një bashkëpunëtore, e cila po qëndron në butik, por unë do të shkoj dhe do të vij shumë shpesh, shyqyr që Italia nuk është larg! Pastaj kam edhe familjarët e mi të cilët do më ndihmojnë.

Pamë që gjatë përurimit të butikut kishte shumë të ftuar, ku përveç ish-banorëve të BB na bëri përshtypje prezenca e aktorëve të mëdhenj, si Zyliha Miloti. Ke ndonjë lidhje me të?

-Po, ishin shumë të ftuar të cilët i falënderoj nga zemra që ishin prezent dhe ndanë me mua gëzimin dhe lumturinë atë natë. Zonja Zyliha Miloti është një ikonë për qytetin tim dhe ishte me të vërtetë nder për mua prezenca e saj. Nuk kam asnjë lidhje përveç respektit dhe adhurimit që kam për të.

Të pëlqen emrin bizneswoman?

-(Qesh) Është emër shumë i madh, nuk mund të quhem e tillë me një biznes kaq të vogël, por në të ardhmen do përpiqem të bëhem e tillë. Ju a premtoj!

Çfarë duhet të ketë një grua që të jetë e suksesshme në biznes?

-Në radhë të parë duhet të jetë e dashuruar me punën që bën. Kërkon pasion të pashtershëm dhe sigurisht besim në vete dhe në punën që bën.

Alma, besoj se e di që ajo që ka tërhequr vëmendjen gjatë përurimit të butikut ka qenë mungesa e të fejuarit tënd, Antonio. E di që ti ke thënë se ai ishte i zënë dhe nuk mund të vinte. Por ne dimë që Antonio ka qenë në Tiranë gjatë atyre ditëve…

-Po, ka qenë në Tiranë deri të premten, pastaj është nisur për në Itali sepse kishte punë. Kam komunikuar me të dhe nuk ishte e mundur që të vinte, qoftë edhe për shkak të situatës në të cilën ndodhemi.

Ke thënë që jeni duke kaluar një periudhë të vështirë dhe se marrëdhënia juaj është në krizë. A mos vallë kjo krizë po zgjat pak si shumë?

-Kriza ka mbaruar duke i lënë radhën një periudhe reflektimi nga të dyja palët. Nuk duam të bëjmë asnjë hap të gabuar për sa i përket të ardhmes sonë, kështu që për momentin jemi shkëputur.

Kur shkon në Itali ku qëndron? Rrini bashkë?

-Jo, unë jam në shtëpinë time, ai gjithashtu në shtëpinë e tij.

A vazhdon akoma ndjenja për të?

-Ndjenjat nuk mbarojnë nga një moment në tjetrin, jam shumë e mërzitur sepse ai ishte personi i jetës sime, me të cilin kam luftuar për të ndërtuar një të ardhme dhe tani nuk po kuptoj më asgjë, çfarë po ndodh me ne!

A do të kemi një dasmë, siç ishte parashikuar,  këtë verë?

-Para se të më pyesni për dasmën duhet të më pyesni a do ketë më një çift. Nuk e di vërtet, edhe pse thonë që shpresa është e fundit që vdes.

Dimë që nga ish-banorët e “Big Brother” ruan shumë miqësi me Alkenën, Klaudian dhe Shkëlqimin. Çfarë ke vlerësuar më shumë tek ata që vazhdojnë të jenë miqtë e tu edhe jashtë?

-Këtyre emrave shtoi edhe Petritin dhe Fatonin! Një fjalë e urtë italiane thotë që të afërmit nuk mund të zgjidhen, ndërsa shoqërinë mund ta zgjedhësh. Kam vlerësuar vlerat e njëjta që kemi për sa i përket miqësisë. Njerëz korrekt dhe të besueshëm. Janë miq fantastikë dhe shpresoj t’i kem edhe në të ardhmen.

Ndërkohë ka zëra që thonë se një arsye e krizës së marrëdhënies tënde me Antonion është Çimi. Flitet se midis jush ka një simpati që shkon përtej miqësisë dhe që ka lindur që brenda shtëpisë së BB-së.

-Më vjen keq që edhe këtë herë gjendet Çimi në këtë mes, kur në të vërtetë nuk ka të bëjë fare. Të respektosh, vlerësosh një person nuk do të thotë që duhet të kesh diçka më tepër me të. E kam thënë me mijëra herë që e kam shok të mirë. Por ne, kur bëhet fjalë të jemi të emancipuar, jemi në ekstrem, ndërsa një miqësie mes një mashkulli dhe një femre duhet t’i nxjerrim se s’bën diçka! Jam shumë e lodhur nga kjo situatë.

Alma, gjatë kësaj kohe ti ke qenë e ftuar edhe në Kosovë. Si të kanë pritur atje?

-Mrekullisht mirë! Kam kaluar  ndoshta të vetmet ditë në relaks total. Jam shumë e lumtur nga një mikpritje e tillë. Mezi pres të kthehem përsëri në Kosovë, edhe pse Alkena nuk më lë rehat sepse do që të shkoj më shpesh.

Ke menduar ku do t’i kalosh pushimet dhe me kë?

-Të them të drejtën nuk kam ndonjë program për pushime, sepse po i dedikohem punës dhe disa projekteve të tjera të rëndësishme. Nuk kam vendosur asgjë deri tani. Kisha projekte të tjera, ndërsa tani ndihem si një peshk jashtë uji.

Përveç hapjes së butikut tënd, cilat janë angazhimet, planet apo ofertët e tua të tjera?

-Në shtator shpresoj të hap një tjetër butik në Tiranë. Pastaj ndoshta edhe në Prishtinë. Për momentin thjesht po studioj situatën për të vepruar në mënyrën më të duhur. Një projekt që unë kam shumë për zemër është një projekt bamirësie që përfshin edhe Alkenën dhe që brenda këtij viti do mbyllet. Kam marrë edhe disa oferta të tjera në botën e medias, por duhen parë dhe studiuar mirë.

Ke hapur një butik, po stili yt i preferuar në të veshur cili është?

-Më pëlqen të vishem thjesht pa gjëra ekstreme, por gjithmonë të kombinuara mirë me aksesorët, këpucët dhe bizhutë. Kur nisem edhe për një udhëtim të shkurtër minimumi dy valixhe i marr, nuk dua të më mungojë asgjë (qesh). Stili im anon më tepër nga ai klasiku, por gjithmonë modern dhe i kohës.

Në “Big Brother”, marrëdhënia e rifituar me babain tënd ishte një ndër historitë që preku më shumë publikun. Si është sot marrëdhënia me babain? Keni kontakte? Jeni takuar?

-Marrëdhënia ime me të po rikuperohet dita-ditës, disa raporte duhen kapur me pinca, sepse janë tepër delikate. Dëgjohemi dhe i shkruajmë njëri-tjetrit herë pas here!

Ndërkohë që nuk mund të lë pa të pyetur edhe në lidhje me historinë e bujshme, apo thënë ndryshe telenovelën e Ervinit dhe Ermelës. Si të është dukur kjo histori?

-Nuk jam në brendësi të situatës, sepse nuk kam pasur e as nuk kam kontakte, ndaj më gjen të papërgatitur mbi çështjen, por mund të them që secili ka jetën e vet dhe ta jetojë ashtu siç mendon se mund të jetë më mirë për të.

Ndryshe nga të gjitha parashikimet e banorëve, i vetmi çift që i rezistoi jetës reale është Neda-Ogren. Ti ke qenë një ndër më skeptiket dhe dyshueset për dashurinë e tyre. Po sot ç’mendon?

-Në jetë të gjithë gabojmë, por që kishte diçka që nuk shkonte dhe nuk inkuadronte mirë kishte, sepse nuk mund të ishim të gjithë të çmendur, apo jo? Nuk jam në dijeni as të kësaj historie, por mund të them që më vjen mirë për ta dhe mbi të gjitha që Neda nuk mbeti e zhgënjyer.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button