Policia ka arrestuar grupin nëntë anëtarësh të cilët kishin kryer disa grabitje nëpërmjet kartelave të falsifikuara bankare në Maqedoni. Grupi i organizuar kishte kryer grabitjet nëpër bankomatet nëpër disa qytete të vendit.
Sipas njoftimit të policisë, grupi gjatë muajit tetor nëpër pikat bankare në Shkup, Tetovë, Gostivar, Veles dhe Sofje kishin kryer 261 transaksione jolegale bankare, prej të cilave 76 kanë rezultuar të suksesshme.
Në këtë mënyrë ata kanë arritur që të tërheqin rreth 10 mijë euro para, ndërsa të pasukseshme kanë rezultuar 185 transaksione me një vlerë prej mbi 20 mijë eurove.
Sipas MPB-së, grupi i të arrestuarëve janë prej moshës 24 vjeçare e deri në 52 vjeç, të gjithë nga Shkupi. Ata para fillimit të operacioneve të transaksioneve jolegale, kishin blerë pajisje për regjistrimin e të dhënave nga kartelat bankare. Në disa pika apo bankomate kishin vendosur aparaturat për të siguruar të dhënat nga kartelat bankare të qytetarëve. Policia gjatë kontrollit të shtëpive dhe banesave të tyre ka gjetur 133 kartela të falsifikuara, mbi 25 mijë euro, valuta në denarë si dhe 100 euro.