Arrestohen këngëtarët trafikantë
Dy këngëtarë të rinj grekë janë arrestuar nga policia shqiptare në Kakavijë, pasi në mjetin e tyre u gjetën 63,5 kilogram hashash.
Në fillim është ndaluar vetëm drejtuesi i mjetit, shtetasi grek Panajotis Markopoulos, i datëlindjes 1987 nga Selaniku, për shkak se në mjetin e tij me targa greke, Ipp 3885, u gjet sasia e drogës e fshehur në pjesë të ndryshme të mjetit.
Një ditë më pas, policia arrestoi edhe shtetasen greke, Anastasia Vogiatzi, edhe kjo këngëtare, e datëlindjes 1984 nga Selaniku, si bashkëautore e trafikut të lëndës narkotike të sekuestruar.
Specialistët e sektorit kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetases së sipërpërmendur, për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim.
Të dy të arrestuarit janë muzikantë dhe kishin hyrë nëpërmjet pikës kufitare të Qafbotës, në Sarandë, para dy ditësh, pasi ishin ftuar për të kënduar në një disko në Sarandë.