Arrestohen një shqiptar e një grek për trafikim droge
Një shtetas shqiptar dhe një grek u arrestuan prej organeve policore greke gjatë një aksioni për gjetjen dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në vendin e quajtur ‘Drosia’,në Kalkidha,80 kilometra në veri të Athinës.
Hetimet e para, bëjnë fjalë për dërgesën e kësaj ngarkese prej 520 kg drejt Holandës. Autoritetet thonë se ngarkesa e lëndës narkotike do të dërgohej me kamion transporti dhe në vazhdim do të shpërndahej ne tregun evropian të narkotikeve, raporton TCH.
Kanabisi kishte hyrë në Greqi nga Shqipëria dhe vlera e tij llogaritet në afro një milion euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe një shume parash, e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si dhe një numër kartash telefoni, nëpërmjet të cilave trafikantët mbanin lidhje me anëtarë të tjerë të organizatës, që ndodhen në Shqipëri dhe Holandë.
Dy të arrestuarit u dërguan në Gjykatën e Kalkidhes, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.