Arrestohet Bajrush Berisha, i ikur nga burgu
Departamenti kundër krimit të organizuar, pas hetimeve dhe veprimeve operative të zhvilluara në terren ka realizuar një operacion policor në rajonin e Pejës, me ç’rast ka arrestuar Bajrush Berishën (1972), i cili ishte në kërkim nga Policia e Kosovës.
Personi i arrestuar ishte duke vuajtur dënimin me burg në Burgun e Dubravës, derisa më datë 29.07.2012 ishte liruar për vizitë në familje deri më 01.08.2012 për t’u kthyer prapë në vuajtje të dënimit, por i njëjti nuk kishte respektuar lejen e organeve përkatëse dhe nuk ishte kthyer më.
“Operacioni policor është realizuar konform procedurave dhe planifikimeve policore dhe ka rezultuar me arrestimin e personit të kërkuar edhe përkundër tentativës së tij për të ikur nga policia”, thuhet në kumtesë.
Gjatë kontrollit policor te personi i arrestuar është gjetur një armë-revole, e cila është konfiskuar nga njësitet policore.
Ky person dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në disa vepra penale si vjedhje grabitqare, detyrim dhe shantazh.