Audi sjell “tankun” e ri A8 L 60 TFSI e Quattro
Prodhuesi gjerman i veturave luksoze, Audi, e ka sjellur modelin e ri të A8-shes, atë A8 L 60 TFSI e Quattro. Kjo veturë mund të vozitet për 46 kilometra vetëm me rrymë.
Vetura është e pajisur me një motor 3.0 litra, me gjashtë cilindra, me benzinë, që i prodhon 340 PS. Përpos këtij motori, vetura ka edhe motor elektrik prej 100 kilovatësh. Në përgjithësi, Audi A8 L 60 TFSI ka fuqi prej 449 PS.
Modeli i ri i shpenzon vetëm 2.5 litra benzinë për 100 kilometra, kur vozitet në variantin e kombinuar me benzinë dhe rrymë. Vetura mund ta arrijë shpejtësinë deri në 135 kilometra në orë duke e shfrytëzuar vetëm rrymën si burim energjie.
Shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin vetëm për 4.9 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është e kufizuar në mënyrë elektronike në 250 kilometra në orë.
Çmimi fillestar i kësaj veture në Gjermani do të jetë 109,000 euro, ndërsa kompania ka filluar t’i pranojë porositë e para për ata që janë të interesuar ta kenë në garazh.