www.Zemra.Org

Aurela Gace përfaqëson gjithë shqiptarët

Këngëtarja e mirënjohur që do të përfaqësojë shqiptarët në festivalit Eurovizion, Aurela Gaçe ka bërë promovimin e këngës së saj në Prishtinë, me ç’rast pohoi se nuk i intereson nëse do të përsëritet votimi politik e fqinjësor në këtë festival, por fakti se atje do të paraqitet e përgatitur maksimalisht me një këngë dhe muzikë plotësisht shqiptare.

Pasi e ka promovuar këngën e saj “Feel the passion” në vende të ndryshme të Evropës, Aurela si një labe që është vërtetuar se e ka të theksuar ndjenjën e nacionalizmit ka bërë promovimin e këngës edhe për publikun në Prishtinë.

Pavarësisht se në festivalet e kaluara të Eurovizionit për shkak të votimeve politike dhe fqinjësore të shteteve Shqipëria nuk kishte marrë vota të kënaqshme, Aurela gjatë një konference për media ka thënë se nuk i intereson procesi i votimit, por niveli artistik i këngës se saj dhe përmbajtja plotësisht me karakter shqiptar.

“Unë besoj që kam një këngë që ka një karakter shumë të fortë, dmth, muzika të cilën unë me gjithë bashkëpunëtorët e mi përcjellim në Eurovision ka karakter shqiptar, dhe për këtë edhe sikur e fundit të shkoj në listë nuk më intereson shumë, sepse të paktën nuk do të shkoj me një melodi që është shumë e përgjithshme. Nuk do të shkoj me një pop që mund ta bëjë anglezi më bukur, nuk do të shkoj me një rock që mund ta bëjë gjithkush më bukur. Ne kemi muzikën tonë dhe bashkëpunëtorët e mi më dhuruan një këngë, Shpëtim Saraqi dhe Sokol Marsi, një këngë me të cilën unë ndihem shumë mirë me këmbë në tokë dhe ndihem mirë që e këndoj. Kështu që nuk më intereson shumë se si do të shkoj politika, nëse ajo është vërtetë politik. Nuk e di”, ka thënë Gaçe, njoftoi Kosova Press.

Sidoqoftë për të pasur një sukses më të madh në Eurovizion, këngëtarja shqiptare do të ketë shumë nevojë jo vetëm për votat e shqiptarëve brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe ata nga Ulqini.

Duke u bërë thirrje në një formë që të mbështesin Aurelën, zëvendësdrejtori i RTSH-së, Martin Leka tha se kënga “Feel the passion” sivjet përfaqëson denjësisht gjithë kombin shqiptar.

“Kënga e Aurelës sivjet përfaqëson gjithë kombin shqiptar dhe përbëhet nga të gjithë ahqiptarët ku jetojnë dhe flasin shqip. Në këtë kuptim ne jemi një, do të thotë që ne kemi një këngë që konkurron dhe që shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë duhet ta votojnë, duke ndjerë se bëjnë një shërbim të çmuar vendit të tyre, si Kosovës dhe Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë ai.

Sikurse vitet e mëparshme RTK-ja e ka bërë traditë që të transmetoj drejtpërdrejtë festivalin e këngës Eurosong dhe drejtori i këtij mediumi, Bekim Hasani tha janë duke bërë përpjekje që sa më shumë votat e Kosovës të shkojnë në rezultat të Aurelës.

“Votat e audiencës së Radiotelevizionit Publik të Kosovës sigurisht që do të shkojnë tek kjo këngë dhe shumë shpejtë audienca jonë do të jetë e njoftuar me mënyrën teknike të dërgimit të mesazheve apo thirrjeve që do të shkojnë në rezultat dhe do të përkthehen në vota për t’i siguruar fitoren e këngës së Aurela Gaçes në Eurosongun e sivjetmë që mbahet në Gjermani”, theksoi Hasani.

Ndërkaq kënga “Feel the Pasion” e Aurela Gaçes nga disa sondazhe të gazetave evropiane cilësohet si ndër katër këngët më të mira pretendente për të fituar. Festivali tradicional i këngës Eurosong do të mbahet në muajin maj dhe këngëtarja Gaçe ka filluar tashmë të bëjë promovimin e këngës së saj nëpër vende të ndryshme të Evropës, në mënyrë që Shqipëria të përfaqësohet sa më denjësisht.

Exit mobile version