VIP

Aurela Gaçe, rrëfen sekretet e shtatzënisë

Pas publikimit në kopertinën e numrit të kaluar në revistën “Jeta”, të fotove dhe intervistës së këngëtares së njohur shqiptare Aurela Gaçe, interesimi i lexuesve dhe fansëve të saj, për të mësuar më shumë mbi shtatzëninë, ka qënë mjaft i madh.

Në shumë rrjete sociale, emisione televizive, radiofonike e më gjerë është komentuar publikimi i fotove ku këngëtarja e njohur, ka zbuluar më së shumti pjesë intime të kësaj shtatzënie dhe ndjesitë që po përcjell personalisht në këto muaj. Kurioziteti i lexuesve ka qënë mjat i madh, ndaj ne vendosëm të përzgjedhim 10 pyetje kurioze të këtyre lexuesve-fansë dhe t’u shuajmë kuriozitetin për të gjitha ato detaje femërore, plot humor, që nuk u thanë gjatë intervistës.

1. Sa kile keni shtuar deri në këto momente?
Oh, mos pyet! Në momentin kur kam bërë setin me fotografi për revistën tuaj, kisha shtuar 15 kg, kurse tani kam shkuar goxha mirë, deri në 23 kg i kam marrë! Njerëzit që më shohin, thonë nuk dukesh, por peshorja tregon të kundërtën.
Edhe unë po ju tregoj të vërtetën! Pastaj, për ata që i kishte marrë malli të më shihnin me faqe të plota, tani kanë përsëri rastin. Dhe më e bukura është se thonë, kur ke vajzë nuk dukesh bukur, kur ke djalë, zbukurohesh.
Tani si i bëhet që të gjithë më thonë, se më ka zbukuruar vajza? A thua, i thyeva rregullat prapë? Përsëri të kundërtën unë, por këtë radhë e ka thënë fjalën publiku, më ka rënë nur.

2. Cfare rregullash ndjek për të mbrojtur lëkurën, ndonjë dietë të veçantë?

Kam marrë kremra dhe vajra të ndryshëm, me bajame, me arrë kokosi, e çfarë nuk kërkoj (qesh)…kurse me ushqimin ishin momentet e lumturisë, sepse më shijonte në çdo moment, oreks të paparë. Doktoresha më thoshte të kisha kujdes, por mua më hahej shumë, isha e uritur gjithë kohës dhe me shaka, thosha se i hahet gocës… Motra, më thoshte:”Eh, ti ke qenë llupëse gjithmonë e tani gjen arsye të hash” (qesh)…

3. Thonë se ka ushqime që nuk i sheh dot me sy gjatë kësaj periudhe delikate, si dhe të tjera që të rrinë gjithë kohës në mendje, cilat janë ato në rastin tënd?
Duke qenë se stërvitesha pothuaj përditë, peshkun e kisha ushqim të përhershëm dhe të paktën katër muajt e pare, nuk mund ta haja. Gjithashtu pija shumë  kafe, që nuk e pata fare të vështirë ta lija, pasi vajza e bëri vetë seleksionimin, s’e pranonte… Me kapi me një dëshirë të madhe për karbohidrate… byrekë, kulaçë, pasta e të tilla si këto. Ishin ushqime që i doja shumë, aq shumë i dëshiroja brumërat, sa doja edhe birrë pa alkool, vetëm se aty gjendet majaja e birrës (dhe të mendosh që birrën s’e kam pëlqyer kurrë). Ëmbëlsirat jo shumë, ndërsa fruta kam konsumuar shumë.

4. Ushtrimet fizike që po ndjek? 
Kam ecur nga pak, pak joga, por kam frikë për lëvizje tepruara, sikur s’ma ka shumë ënda disiplinën këto kohë. Zakonisht jam shumë e disiplinuar në gjërat, por këtë periudhë nuk doja të masja gramët e kaloritë… Ushtrimet e forta dhe stërvitjen e rregullt i kam lënë mbas lindjes. Këto muaj po i shijoj dhe do të mendoj për disiplinën, vetëm mbas lindjes së vajzës.

5. Çfarë ke blerë deri tani për bebin?

Oh, kjo është histori më vete… Unë dhe Skerdi, në dyqan jemi estradë… Pyesim njëri-tjetrin, sa biberonë na duhen, sa bluza, sa gushore, më duket se kemi blerë shumë, se gjithmonë e shtojmë numrin në dalje të dyqanit.

6. Si do ta bësh dhomën e saj?
Nuk dua ta vendos në dhomë të veçantë, të vetmuar… Nuk do të mund të flija e qetë. Kur të rritet pak, atëherë do ta ketë dhomën si ta dëshirojë vetë ajo. Por, krevatin dua ta ketë si princeshë e vogël.

7. Cili mjek po e ndjek shtatzëninë?

Është profesor Nikita Manoku dhe doktoreshë Tatjana Milo, të cilën ka pasur raste e kam alarmuar edhe me gjëra të vogla.
Ndihem mirë sepse kam kujdesin maksimal. Nënat bëhen paranojake vetvetiu dhe kujdesi më qetëson. Jam nën kujdesin e më të mirëve!

8. Ku do të lindësh?
E menduam e stërmenduam dhe vendosëm të dy, që bebja jonë të lindë këtu në Shqipëri.Nuk dua të jem e vetme andej. Atje në USA, kam vetëm motrën dhe kam frikë të jemi vetëm me beben. Këtu kam kujdesin maksimal të familjes dhe mjekëve. Që nga vizitat dhe çdo gjë tjetër, i kemi ndjekur pranë spitalit “Hygea”, ku edhe do të lind.

9. Keni menduar per emrin?

Po, po, që ditën e dytë kur mësuam se presim një vajzë.

10. Kush të ndihmon gjatë kësaj kohe? Po atë ditë, kush do të të shoqërojë?
Do të kem një ndihmë shumë të madhe mamanë time, e cila ka punuar  si mami në maternitet dhe këtu në Tiranë, në konsultoren e fëmijëve. Shumë nga VIP-at e kanë preferuar mamanë time, përsa i përket kujdesit ndaj foshnjes.
Më në fund, mamit i erdhi rasti të kujdeset edhe për mbeskën e saj! Sigurisht, mamaja i Skerdit do të jetë shumë e pranishme në pritje të mbeskës së saj, gjithashtu. Pra, siç e shikoni, të dyja gjyshet do të jenë një ndihmë për ne, duke na ndihmuar me përvojën e mëmësisë.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button