Barcelona tregoi fuqinë e saj të vërtetë duke mposhtur Real Madridin në El Clasico me rezultat 3-1. Gjiganti katalan festoi në Santiago Bernabeu dhe atë e bëri në stil të kampionit në fuqi duke fituar përballjen edhe pse u desh të rikuperojë rezultatin. Reali kaloi shumë herët në epërsi, madje brenda minutës së parë nëpërmjet sulmuesit francez Karim Benzema i cili shfrytëzoi një reagim të dobët të portierit Victor Valdes dhe repartit defensiv të Barcelonës, duke realizuar nga afërsia.
Atëherë kur mendohej se skuadra e Jose Mourinhos do të administrojë lojën dhe tregojë se është e denjë që për herë të parë nga 7 maji 2008 do të mposhtë Barcelonën, nuk doli të jetë kështu.
Ekipi i Pep Guardiolës u kundërpërgjigj nëpërmjet sulmuesit kilian Alexis Sanchez i cili barazoi rezultatin në minutën e 30-të pas një super asistimi nga Lionel Messi. Me të filluar pjesa e dytë, filloi edhe loja e zakonshme e Barcelonës. Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 53-të kur mbrojtësi i Realit, Marcelo devijoi topin në portën e tij pas një goditje nga Xavi.
Reali kërkoi golin e barazimit por ndodhi e kundërta, Barcelona realizoi sërish në minutën e 66-të nëpërmjet Cesc Fabregasit pas një shërbimi nga Dani Alves. Madrilenët tentuan të ngushtojnë diferencën por pa sukses. Barcelona festoi sërish në Bernabeu dhe barazoi me pikë Realin, në 37-të, por ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.