BDI-ja kërkon që presidenti shqiptar të zgjedhet në vitin 2014, kur i skadon mandati Ivanovit, ndërsa një gjë të tillë kjo parti paralajmëroi edhe në vitin 2009, ku mbështeti kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanon ne raundin e dytë.
Burime të gazetës “Lajm” pranë BDI-së, bëjnë të ditur se kjo do të garantonte që presidenti i ardhshëm i shtetit të jetë shqiptar dhe me këtë do të realizohej kërkesa e kësaj partia që njëri nga tre funksionet kryesore të shtetit të jetë shqiptar. Në negociatat mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, partia e Ahmetit nuk arriti të marrë kryetarin e Kuvendit.
Por për pranimin e propozimit të BDI-së, burime brenda partisë së Ahmetit thonë se aktualisht nuk ka disponim te VMRO-DPMNE-ja.
Ndërkohë grupet punuese për formimin e koalicionit qeveritar nuk janë takuar nga dita e premte. Nuk dihet se kjo ndodh për shkak të ngecjes apo për tejkalimin e problemeve.
Sipas marrëveshjes së arritur me VMRO-DPMNE-në, BDI-ja do të drejtojë me Ministrinë e Mbrojtjes, të Drejtësisë, Ekonomisë, Pushtetit lokal dhe me ministrinë e Ekologjisë. Por sipas burimeve VMRO-DPMNE-ja ka refuzuar kandidatin e BDI-së, Hazbi Lika për ministër të Mbrojtjes. Nëse Lika bie nga kombinimi, atëherë kandidatë për seriozë për këtë post përmenden Rafis Haliti, ish nënkryetar i Kuvendit dhe Talat Xhaferi, deputet aktual. BDI ka propozuar Musa Xhaferin për zëvendëskryeministër përgjegjës për implementimin e MO-së, ndërsa Ermira Mehmeti-Devaja zëvendëskryeministre për euro-integrime. Me ministritë e Drejtësisë do të udhëheq Adnan Jashari, Abdilaqim Ademi me Ministrinë e Ekologjisë, Fatmir Besimi me dikasterin e Ekonomisë, ndërsa nuk dihet se kush do të qëndroj në krye të dikasterit të Pushtetit Lokal. BDI është marrë vesh me VMRO-në që të ketë edhe 4 zëvendës ministra dhe atë në Arsim, në Ministrinë e Brendshme, atë të Financave dhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, si dhe pesë sekretarë shtetëror. Ndërkaq, bisedimet do të vazhdojnë për ndarjen e drejtorive.