Edhe pse këshilltari i presidentes së Kosovës, Ilir Dede, në një emision, hodhi poshtë pretendimet
e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për takimin me presidenten Atifete Jahjaga, BDI vazhdon të qëndrojë pas deklaratave të para. Pas vizitës së presidentes në Tetovë, këshilltari i saj Ilir Dede hodhi poshtë pretendimet e BDI-së se ka pasur takim privat, duke thënë se vizita e presidentet Atifete Jahjaga në Tetovë
është keqpërdorur nga një parti politike. Tre përfaqësuesit e BDI-së, sipas Dedes janë ulur në tavolinën e presidentes pa i ftuar askush. Por zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti Devaja, përsëriti se e
vërteta sipas saj është prononcimi i dhënë kohë më parë se ka pasur takim privat mes zyrtarëve të BDI-së me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga edhe përkundër mohimeve nga kabineti i vetë presidentes Jahjaga.
Kjo është hera e dytë që BDI – së i kanë reaguar presidentët. Kohë më parë, në të njëjtën mënyrë u keqinterpretua përshëndetja e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti me presidentit shqiptar, Bamir Topi. I menjëhershëm ishte reagimi i presidencës shqiptare duke e cilësuar gjithashtu keqpërdorim dhe keqinterpretim rastin
në fjalë. Disa ditë më pas presidenti Bamir Topi priti në kabinetin e tij në Tiranë kreun e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.