Belina Haxhia eshte shqiptarja që punon për “Play Boy”
Rrëfehet nga San Francisco, super modelja Belina Haxhia
Ju rrëfej takimin me babain e Play-Boy-t dhe reklamat për Vodka
Megjithëse një popull i vogël, jemi shpërndarë në të katër cepat e botës. E kudo që kemi shkuar, ja kemi dalë mbanë, duke u bërë të famshëm, e duke korrur sukses në profesione të ndryshme. Ajo është ndër ambasadoret e para të imazhit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si shumë të rinj, edhe Belina Haxhija u tërhoq nga familja e saj që jetonte në San Francisco drejt realizimit të ëndrrës amerikane. Dhe ajo mesa duket e ka gjetur atë. Ëndrrën amerikane që shumë e shumë shqiptarë të tjerë do të dëshironin ta preknin. Bukurinë e dhënë nga natyra me shumicë, Bella, sikundërse e thërrasin, nuk mund që ta shpërdoronte kot. Që në bankat e gjimnazit nisi të aktivizohej në grupet e kërcimit, duke u shndërruar në “cheerleader”, drejtuese të grupeve të kërcimit. Ishte ftesa e një shoqes së saj Polak, që i hapi edhe dyert e suksesit. Në një sfilatë mode, bukuria e saj i ra në sy një regjisori e fotografi, i cili e ftoi që të niste të modelonte për të. Ftesa e reperit amerikan Youn Win dhe Rod, për të xhiruar një videoklip që do të publikohej në MTV, e bëri akoma më të famshme. E në këtë etapë bukuria e saj i ra në sy regjisorëve të “Play Boy”, ftesën e së cilës, ajo e pranoi me shumë kënaqësi. E më pas nisi karrierën si pjesë e kompanisë gjigande të “Play Boy”. Nuk është rastësi që edhe babai i “Play Boy” Hugh Hefner e ka krahasuar bukurinë e saj me të Marlin Monroe-s, pasi edhe vetë Bella, e ka idhull ikonën e bukurisë. Nga revista e “Play Boy” ajo ka vijuar të firmosë kontrata për shumë kompani prestigjioze, ndër të cilat të jetë edhe imazhi i Absoulute Vodka. Si një menaxhere biznesi e mirë (shkollë për të cilën ajo ka studiuar), Bella i ka bërë mirë llogaritë në jetë, e në çdo fushë që është futur vetëm ka dalë e fituar. E fituar përse jo, do të dalë edhe në një prej edicioneve të “Big Brother Albania”. Teksa e pyesin që nga është, ajo me krenari thotë që është nga Shqipëria, megjithëse në bukurinë e saj ka shumë esenca. Pak esencë ballkanase, pak ruse, pak amerikane e pak meksikane, të gjitha të gatuara në një person të vetëm. E në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”, 25 vjeçarja Belina Haxhija, rrëfen jetën e saj si shqiptarja e vetme që punon për “Play Boy”…
Si vendosët të udhëtonit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Sa vite më parë nisi ëndrra amerikane për ju?
Unë jetoja në Shqipëri me gjyshërit dhe me tezen, ndërsa në San Francisco kisha prindërit e mi që jetonin atje. Kështu që ato më tërhoqën mua atje, dhe që prej 11 vitesh unë jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. San Francisco dhe Los Angeles janë dy vendet që unë qëndroj në Amerikë, e që jetoj.
Ju ishit në moshë tepër të vogël kur prekët tokën e ëndrrave. Më pas si nisi karriera juaj si modele?
Unë gjithmonë kam patur shumë dëshirë që të bëhesha modele. Ishte ëndrra ime dhe unë diçka që e vendos që do e arrij, do e arrij patjetër. Jam shumë këmbëngulëse dhe kërkoj shumë, kurrë nuk mjaftohem me pak. E gjithë karriera ime nisi në vitet e gjimnazit. Kështu, kur isha në gjimnaz, unë nisa që të merrja pjesë në shumë aktivitete. E nisa gjithçka duke qenë në një grup kërcimi, isha cheerleader (drejtuese) e grupit të kërcimit të gjimnazit tim. Atje u njoha me një vajzë që do të shndërrohej më pas me një shoqe time. Kamela Polcak, është një modele çeke, më ftoi që të merrja pjesë edhe unë një nga sfilatat e saj. Kështu që mund të kisha shansin që të njihesha me regjisorë, fotografë dhe njerëz të fushës time. Unë e pranova me shumë dëshirë dhe shkova në sfilatën e saj. Në fund të sfilatës, më afrohet një nga regjisorët e eventit. Sapo më afrohet më sheh dhe i habitur më pyet për sytë e mi. Sytë dhe buzët janë dy detajet që i bëjnë përshtypje njerëzve në takimin e parë me mua. Kujtojnë se unë nuk i kam të vërtetë, por jo, ato janë krejtësisht natyrale. Më pas regjisori më fton që të nisja punën për një album fotografik. Kështu që nisa hapat e parë të karrierës time. Në fillim nisa që të merrja pjesë në sfilata të vogla, të bëja disa fotografi për fotografë. Gjithsesi këto ishin shumë për mua për atë kohë, duke menduar që unë isha thjesht në gjimnaz.
Më pas si vijoi karriera deri në njohjen me producentët e “Play Boy”?
Më vonë një reper amerikan Young Win dhe Rod më ftojnë që të merrja pjesë në një videoklip të këngës së tyre. Të dy reperat janë të njohur shumë në Amerikë sidomos Rod me këngën “Can’t Stand You”. Unë nuk e prisja, por videoklipi, ku unë isha në rolin e personazhit kryesor, u shfaq në kanalin e famshëm muzikor MTV. E që prej andej nisi dhe suksesi në karrierën time. Më telefonuan nga “Play Boy” që të merrja pjesë dhe të punoja për to. E gjithë kjo erdhi rreth një vit, pasi unë kisha nisur të modeloja.
Kur e nisët karrierën në “Play Boy” e më pas si vijoi ajo?
Karrierën e nisa kur isha në shkollë të lartë. Unë kam mbaruar studimet për menaxhim biznesi. Kështu që gjatë kohës që isha në universitet, unë studioja ndërkohë që, me kohë të pjesshme punoja si modele në “Play Boy”.
Cilat kanë qenë bashkëpunimet e juaja me të famshmen “Play Boy”?
Kam patur shumë bashkëpunime. Kështu që në fillimet e mia unë realizova një kalendar vjetor për New York-un. Në çastin e parë që u futa në brendësi të kompanisë e nisa në sektorin e “Play Boy Golf”. Ne ishim disa goca të shteteve të ndryshme që merrnim pjesë në audicione të “Play Boy”. Nga çdo shtet zgjidheshin 2-3 vajza që të merrnin pjesë në event. Kështu që unë u përzgjodha të isha në “Play Boy Golf”. Ne jemi disa vajza që marrim pjesë në një event që realizohet disa herë në vit. Lojtarë të famshëm dhe supermiliarderë të golfit nga e gjithë bota, mblidhen në SHBA. Atje ato luajnë për qejf në këtë event që realizohet nga “Play Boy”, ku ne vajzat, jemi thjesht për të bërë më interesante lojën. Thjesht i nxisim lojtarët dhe u ofrojmë pije.
Në cilat evente të tjera të “Play Boy” keni marrë pjesë?
Po unë kam marrë pjesë në “Play Boy Candy Land”, në “After Party”, ndërsa në shtator-tetor besoj se do të jem në “Play Boy Candy Cruise, event që zhvillohet në anije për tre ditë në Meksiko.”
Cili është sekreti i bukurisë tënde?
Besimi në vetvete është formula ime e veçantë. Ka femra që janë vërtetë të bukura, por nuk e dinë se sa të bukura janë. Por nëse e di se çfarë je dhe ja di vlerat vetes, atëherë padyshim që do të ecësh shumë dhe do të bësh hapa në jetë. Përveçse kësaj, si çdo modele edhe unë kam programin tim të trajnimit, me ushtrimet specifike për djegien e kalorive, e padyshim një ushqim i shëndetshëm është baza e gjithçkaje. Ushtrimet kardio, joga janë ndër të preferuarit e mi.
Cilat janë planet e juaja për të ardhmen?
Në fakt, unë e thashë që nuk kënaqem me pak në jetë. Gjithmonë mundohem që të arrij më shumë. Sapo arrij një sukses, nuk e kthej më kokën mbrapa për të parë atë se çka bëra, por vijoj për të parë të ardhmen. Tashmë në vjeshtë, kam një bashkëpunim me fotografin personal të Kim Kardashian. Më pas nuk i dihet, në çdo ditë jam në sfidë me veten, mundohem që të arrij sa më shumë maja.
Takimi me pronarin e “Play Boy”, Hugh Hefner
Po, ishte diçka vërtetë emocionuese. Në fakt ai qëndroi shumë pak me ne, fjalë për një takim në një “after party” të realizuar me bosët e golfit. Ai erdhi atje dhe takoi disa prej nesh. Teksa u habit nga bukuria ime më pyeti se nga isha? “Ti nuk je as amerikane, e as ruse më tha”, ndërsa unë me krenari i thashë që isha shqiptare. I habitur më tha se kishte kohë pa parë dikë që ti ngjante Marlin Monroe-s. U ndjeva shumë e gëzuar, pasi Marlin Monroe, është edhe idhulli im. Unë nga Merlin e marr që të gjithë frymëzimin dhe nxitjen në karrierën time.
Në Shqipëri? Përse jo, të fitoj “Big Brother”
Keni menduar që të bashkëpunoni me ndonjë kompani shqiptare apo t’i riktheni jetës në Shqipëri?
Unë në fakt kam vite pa ardhur në Shqipëri, por padyshim që kam dëshirë që të realizoj një bashkëpunim shqiptar. Nëse më ftojnë për të realizuar disa reklama, apo revista mode, e nëse paguhem mirë pse jo. Kam dëgjuar edhe për show-n e famshëm “Big Brother, Albania”. E dija që në edicionet e kaluara kanë fituar vetëm meshkuj dhe të jem e sinqertë do të doja të isha unë femra e parë që të merrja çmimin. Gjithsesi përse jo, mund të jem e dyta. Mund të futem në garë në edicionet e “Big Brother” dhe unë në gjithçka që konkurroj, konkurroj për të fituar.
Teksa u përmend shqiptarëve emrin “Play Boy”, gjëja e parë që u bie ndërmend janë revistat me femra që pozojnë nudo, e me përmbajtje erotike. Realisht, cila është puna që bëni ju për “Play Boy”?
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në San Francisco, ku unë jetoj, sapo u them që punoj për “Play Boy”, më thonë: “A në rregull, ti luan në filmat e tyre, apo pozon nudo?”. Në fakt “Play Boy” nuk është vetëm për të pozuar nudo, apo për të marrë pjesë në xhirime erotike. Në fakt po të firmosësh kontratën me gjigandin “Play Boy” e të shndërrohesh në PlayMate, atëherë do të jesh gjithmonë në dispozicion të tyre. Nëse e firmos këtë kontratë atëherë je i detyruar që t’u përgjigjesh të gjithë kërkesave të regjisorëve dhe producentëve. Kështu, nëse ata duan që ti të luash në një film, atëherë do të luash, nëse dëshirojnë që ti të pozosh nudo për to, sërish je e detyruar. Vajzat e kësaj kategorie janë të detyruara të jetojnë në shtëpinë e “Playboy House”. Ndërsa unë jam në një kategori tjetër. Unë vërtet pozoj për “Play Boy”, por jo në kategori nudo, por në ato foto që cilësohen si provokuese dhe botohen në website dhe revistat e “Play Boy”. Unë marr pjesë në kategorinë Cyber Girls, ku marrin pjesë vajza me bukuri natyrale, e konkurrojnë për tipare të ndryshme, bie fjala për fytyrën apo për linjat trupore.
Unë ikona e “Absolute Vodka”
Keni marrë pjesë në reklama të tjera?
Po ka qenë një eksperiencë tepër e bukur që të isha imazh i “Absolute Vodka”. Pas një ftese të bërë nga një kompani, unë pranova që të firmosja dhe të realizoja një reklamë për “Absolute Vodka”.