Bilardo dhe kampioni shqiptar i saj
Loja popullore e bilardos u shndërrua në një temë të trajtuar në emisionin e pasdites, sot në Top Channel.
Fusha e blertë nuk është një eksluzivitet i futbollit. Një sport tjetër gëzon të njëjtën karakteristikë.
Bilardo, në përceptimin e përgjithshëm, qëndron mes paradoksit si një lojë shumë e përhapur dhe gjithashtu shumë e paragjykuar, po aq sa bixhozi.
Blerim Skara, një pjestar i ekipit kombëtar dhe profesionist prej vitesh në sportin e bilardos, kundështoi këtë besim popullor.
“Në Shqipëri ekziston një mentalitet i keq rreth sportit të bilardos, i konsideruar nga njerëzit si një sport me të cilin merren rrugeçërit, por unë kam bindjen se duhet të kesh shumë bagazh që të luash bilardo”, thotë Skara.
Edhe pse i ri, Blerimi ka një karrierë shumë të gjatë për moshën e tij, periudhë në të cilën është ndikuar nga pasioni i madh për këtë sport, ku duhet të djersitësh po aq si në çdo sport tjetër.
“Që në moshën 6-vjeçare, shikoja të tjerët duke luajtur dhe kisha dëshirë që të luaja edhe unë”, vazhdon kampioni ynë kombëtar. “Duke luajtur përditë, shikoja se përmirësohesha, ndërsa bilardo më hynte gjithmonë e më shumë në zemër”.
Në Shqipërinë e sotme ka mbi 3 000 subjekte ku mund të luash bilardo dhe këto ambiente janë vazhdimisht të frekuentuara. Vetë Blerimi, vendosi të kalonte në botën e sportit profesionist, pasi ishte në gjendje të fitonte ndaj çdo kundërshtari amator.
“Në vitin 2002 u organizua kampionati i parë kombëtar në Shqipëri dhe babai ishte ai që më regjistroi”, kujton Blerimi. “Në atë kampionat u rendita i treti në vend dhe morra dy kupa, edhe pse isha më i vogli midis konkurruesve”.
Pavarësisht sukseve që Blerimi ka arritur dhe faktit që sporti është bërë gjithmonë e më popullor, mendësia vazhdon të jetë kundër frekuentimit të këtij sporti.
“Ndonëse mentaliteti është kundër bilardos, familja ime nuk bën pjesë në këtë grup dhe më ka shtyrë gjithmonë që të vazhdoj dhe të perfeksionohem”.
Megjithatë, me përballjen e parë të huaj, gjatë kompeticionit të tij të parë ndërkombëtar, Blerimi morri një leksion të vërtetë, pavarësisht përkushtimit dhe dëshirës së tij të mirë.
“Ndeshjen e parë më qëlloi që t’a kisha me një bilardist, i cili ishte 36 herë kampionë Gjermania dhe 26 herë kampion i Europës. Edhe pse loja ishte 3-0 për mua, ai fitoi nëntë raunde radhazi, pa gabuar në asnjë goditje . Nuk kisha absolutisht asnjë shans për të fituar”, vazhdon Skara.
Pas 20 vitesh të lidhura ngushtësisht me tavolinën e bilardos, jeta e Skarës duket e lidhur shumë ngushtë me sportin. “Luaj çdo ditë nga 3-4 orë dhe po përgatitem për kampionatin Europian, që do të zhvillohet së shpejti.
Ka raste që luaj edhe më shumë, 5-6 orë, madje edhe nga tetë orë çdo ditë”.