Presidenti i kompanisë “Albanian Airlines” arrestohet në Spanjë, pasi përmes kompanive të tij, furnizonte me para krahun e djathtë të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, Ali Evsen doli përballë Gjykatës së Lartë në Madrid, së bashku me Hussein Salem dhe djalin e tij, Khaled, për t’u përballur me akuzat e korrupsionit. Policia spanjolle ngriu llogari bankare në miliona euro, prona dhe makina luksoze të biznesmenit egjiptian, Hussein Salem. Një urdhër-arrest ndërkombëtar u zbatua nga policia spanjolle mbrëmjen e së enjtes, për dyshime që lidhen me abuzime të mëdha me fondet publike, përmes shitjes së sasive të mëdha të gazit tek Izraeli, nën çmimet e tregut. “Djali i Salem, Khaledi dhe biznesmeni nga Turqia, Ali Evsen, u arrestuan gjithashtu në të njëjtën vilë, në një zonë luksoze në periferi të Madridit”, – thuhet në deklaratën e lëshuar nga Gjykata e Lartë e Madridit. Pas arrestimit, të ashtuquajturit krahu i djathtë i Mubarakut, Salem, iu kërkua 12 milionë euro garanci, djalit të tij, 6 milionë ndërsa presidentit të “Albanian Airlines”, 18 milionë euro, në këmbim të lënies së qelisë. Zyrtarët e Gjykatës së Lartë nuk ishin të gatshëm të thoshin se kur ata duhet të dorëzonin garancitë. Sipas BBC, skema e pastrimit të parave prej tre të arrestuarve në Madrid, është tashmë e qartë. “Paratë merreshin në mënyrë ilegale në Egjipt dhe dërgoheshin në llogari bankare, të zotëruara prej Hussein Salem në Spanjë, përmes një sërë kompanish të krijuara nga biznesmeni-fasadë, Ali Evsen”, – shton më tej policia spanjolle. Autoritetet e Spanjës ngrinë asete me vlerën e 32.5 milionë eurove në cash, prona në Madrid dhe Marbella, me vlerë 10 milionë euro, si dhe 5 makina luksoze. Sipas Gjykatës së Lartë, të tre akuzohen për pastrim parash, mashtrim, ryshfete dhe korrupsion në transaksionet ndërkombëtare. Ndërkohë, çështja e ekstradimit drejt Egjiptit mbetet e ndërlikuar, pasi ndihmësi i Mubarakut dhe djali i tij kanë edhe nënshtetësi spanjolle. Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve egjiptiane, MENA, Salem është arratisur nga Egjipti më 3 shkurt, tetë ditë para se Mubaraku të detyrohej të largohej nga vendi. Salem njihet si një ndër aksionerët më të mëdhenj të East Mediterranean Gas. Organizatat opozitare në Egjipt prej kohësh hedhin dyshime se kjo kompani ka shitur gaz me çmime preferenciale për Izraelin apo vende të tjera, të cilat i kanë kushtuar Egjiptit miliarda dollarë. Zoti Salem akuzohet nga Egjipti për mashtrim dhe spekulime financiare, së bashku me ish-presidentin Mubarak dhe dy djemtë e tij. Gjyqi kundër tij është caktuar më 3 gusht. BBC thotë se mbetet ende e paqartë, sesi akuzat e ngritura nga Spanja do të ndikojnë në kërkesën e Egjiptit për ta proceduar Salem, për faktin se ai zotëron pasaporta egjiptiane dhe spanjolle. Pas përballjes me gjykatën, ndihmësi i Mubarak u dërgua në spital, ku trajtohet për probleme nervore. Një mjek i Gjykatës së Madridit i tha mediave se ai nuk gëzon shëndet të mirë, por problemet me të cilat përballet nuk i rrezikojnë jetën.
32.5 Milionë euro cash janë bllokuar në llogaritë bankare në emër të Salem në Spanjë. Sipas policisë, paratë dërgoheshin në këto llogari përmes kompanive të Evsen
10 Milionë euro është vlera e pronave të krahut të djathtë të ish-presidentit egjiptian, të ngrira në Madrid dhe në Marbella të Spanjës. U bllokuan edhe 5 makina
18 Milionë euro garanci kërkoi Gjykata e Madridit për të liruar nga qelia pronarin e “Albanian Airlines”, Ali Evsen. Nuk dihet ende se kur mund të paguhet kjo garanci.