Flavio Briatore, drejtor i ekipit Renault kur piloti aktual i Ferrarit Fernando Alonso fitoi dy tituj kampion me skuderinë franceze, thekson se “Ferrari duhet të fillojë të përqendrohet në makinën e vitit 2012”.
Sipas italianit, skuderia e Maranellos ka shumë diferencë me Red Bullin këtë vit dhe kjo diferencë është e pamundur të ngushtohet brenda këtij sezoni sepse skuderia kampione në fuqi në Formulën 1 do të vazhdojë të përmirësohet.
“Mund të duket absurde, por besoj se Ferrari duhet të përqendrohet që tani në makinën e sezonit të ardhshëm. Skuderia italiane i ka mundësitë për tu përmirësuar, por ajo gjysmë sekonde diference që i ndan për momentin është shumë”, theksoi Briatore për një gazetë finlandeze.