Çfarë mund ta nxitë dëshirën seksuale
Në qoftë se je një grua që ka humbur dëshirën për seks, është mirë të dish se një nga arsyet për këtë gjendje është edhe niveli i ulët i testosteronit (hormonit mashkullor) në gjakun tënd.
Më shumë testosteron, më shumë seks
Kjo është një e vërtetë shkencore. Testosteroni nuk është vetëm një hormon mashkullor. Ju mund ta lidhni testosteronin me mjekrën e trashë, me muskujt e rritur dhe me kapadaillëkun e madh të burrave. Kjo është e vërtetë. Por, tani, duhet të mësoni se testosteroni luan rol me rëndësi edhe në trupin e gruas, veçanërisht, kur bëhet fjalë për romancën.
Në këtë shkrim dua t’u tregojmë pse rrezikohen gratë të humbasin libidon dhe si ta rifitoni atë.
Pse ikën dëshira për seks?
Në qoftë se në gjakun e gruas do të ketë më pak testosteron femëror, ajo do të provojë atë gjendje që quhet disfunksioni seksual femëror (DSF). Disfunksioni seksual femëror prek gratë e çdo moshe, por në mënyrë të veçantë, ai prek gratë që janë në menopauzë dhe pas saj.
Një nga arsyet madhore pse bie dëshira për seks tek gratë, është rënia e nivelit të hormonit testosteron në gjakun e gruas. Prodhimi i testosteronit fillon të bjerë në mënyrë graduale që kur vajza është rreth moshës 20 vjeç. Pas menopauzës, kur ovaret nuk nxjerrin më vezë, ato vazhdojnë të prodhojnë akoma testosteron por, tani, me sasi më të vogël.
Gjëndrat adrenale, që prodhojnë lëndë të ngjashme me testosteronin, me kalimin e viteve edhe ato zvogëlohen dhe e pakësojnë prodhimin e hormonit. Siç shikohet, pas menopauzës, niveli i testosteronit në gjakun e gruas bie shumë. Në këtë kohë, gruaja ka në gjak gjysmën e sasisë së testosteronit që kishte kur ishte një vajzë 20 vjeç.
Por, veç rënies së nivelit të testosteronit në gjak, ka edhe kondita të tjera mjekësore që e ulin dëshirën e gruas për seks. Ndër to hyjnë:
* Paaftësia e gruas për të mbajtur nën kontroll urinimin (inkontinenca urinare). Një grua që nuk kontrollon urinimin, natyrshëm, nuk mendon për seks.
* Sëmundjet e vazave të gjakut që lidhen me diabetin, ose me atherosklerozën.
Disa barna nga ato që jep doktori me recetë, ose nga ato që i marrin vetë gratë, e ulin dëshirën për seks ose frenojnë arritjen e orgazmës. Disa nga këto barna janë:
* Shumica e antidepresantëve, përfshi SSRI-në dhe tricyklikët
* Barnat që përdoren për të ulur kolesterolin.
* Kontraceptivet oralë.
* Disa barna që përdoren kundër hiperaciditetit të stomakut.
* Antihistaminikët.
* Antihipertensivet (barnat që përdoren për të ulur tensionin arterial.)
* Amphetaminat dhe stimulantë të tjerë që përdoren për të rënë në peshë.
* Narkotikët
* Tymosja e duhanit (që njihet edhe si shkak i disfunksionit erektil tek burrat)
Rënia e nivelit të testosteronit, ose mungesa e tij, shfaqen me këto shenja shqetësuese:
* Gruaja nuk ndjehet mirë.
* Prishet gjendja emocionale e saj.
* Ndjehet e lodhur.
* Pakësohet dëshira, kënaqësia dhe receptiviteti seksual.
* Disa gra ndjejnë edhe çrregullime të tjera hormonale, siç janë ato që lidhen me mungesën ose pakësimin e estrogjenit.
Disfunksioni seksual femëror (DSF) shfaqet në disa forma:
* Çrregullime të dëshirës për seks
* Çrregullime të eksitimit seksual
* Frenim të orgazmës
* Dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale.
Shpesh, njëra nga çrregullimet e mësipërme, nxit të shpërthejnë të tjerat. Për shembull, gruaja mund të ankohet për dhimbje gjatë penetrimit, por shkaku i vërtetë i dhimbjes mund të jetë eksitimi jo i mirë (paraloja), ose eksitimi i papërshtatshëm.
Natyrisht, gratë e kanë të zorshme të bisedojnë për secilën nga këto shenja me doktorin. Kjo është edhe arsyeja pse disfunksionet seksuale femërore mbeten të paraportuara. Shumë doktorë nuk i pyesin gratë për këto probleme dhe gratë, po ashtu, nuk kanë qejf të diskutojnë me doktorin e tyre për këto shqetësime.
Qëllimi i këtij shkrimi është që t’i bëjë gratë të ndërgjegjshme se ato duhet të flasin për historitë e tyre seksuale me doktorin, sepse kjo është me shumë rëndësi për të diagnostikuar disfunksionin seksual femëror dhe për të marrë mjekimin e duhur.
Ndër faktorët psikologjikë dhe socialë që ndikojnë dhe që doktori duhet t’i diskutojë me gruan janë:
* Restrikcionet kulturore dhe influenca e tyre në jetën e gruas
* Abuzimet fizike, verbale dhe seksuale të tashme ose të kaluara
* Aferat jashtëmartesore që ajo mund të ketë pasur ose vazhdon të ketë.
* Problemet e saj financiare
* Diskutimet familjare
* Sëmundjet ose vdekjet në familje
* Depresioni.
Çfarë mund ta nxitë dëshirën seksuale?
Pa dyshim, më shumë testosteron! Burrat e kanë përdorur me kohë testosteronin për të rritur muskujt dhe libidon.
Testosteroni zëvendësohet tek gratë në disa mënyra:
– Injeksionet intramuskulare (përgjithësisht një në 2-3 javë),
– Ngjitëse me testosteron si leukoplast
– Testosteron gel
– Material ngjitës (adeziv) që vendoset sipër dhëmbëve në gingivat.
– Tableta nga goja.
Deri sot nuk ka prodhim farmaceutik të veçantë për disfunksionin seksual femëror. Sot, prodhimet dhe dozat e testosteronit janë akoma ato që përdorin burrat. Një grua që do të marrë këto doza, mund të rrezikohet nga superdozimi, që shfaqet me këto efekte anësore: aknet, shfaqja e flokëve në trup (më shumë nën qafë sesa mbi qafë) dhe rënie e HDL-së (kolesteroli i mirë).
Ka dhe mënyra të tjera të përdorimit të testosteronit. Mund të jepet krem dhe xhel testosteroni, që përgatiten në barnatore (me formula individuale).
Përtej zëvendësimit hormonal
– Gratë mund të rritin stimulimin duke përdorur teknikat e “distraksionit” (siç bëhet me muzikën që të sjell në formë emocionalisht), të përmirësojnë paralojën seksuale dhe teknikat që ndihmojnë të largohen dhimbjet. Të gjejnë dhe të përdorin pozicione të reja më të sigurta për seks.
– Masazhi seksual është një mënyrë që e relakson gruan dhe e sjell atë në formë. Kur keni dhimbje gjatë seksit, provoni banja të ngrohta, përdorni lubrifikantë me shumicë, zgjateni sa më shumë paralojën seksuale dhe kërkoni nga partneri t’u lejojë ta drejtoni ju penetrimin e tij vaginal.
– Bisedat me partnerin janë një ide e mirë. Diskutoni dhe provoni pozicione të ndryshme për seks dhe gjeni më të mirin. Mund të përdorni materiale erotike.
– Për disa nga ne, seksi i rregullt është i domosdoshëm si frymëmarrja. Të tjerë nuk shqetësohen shumë kur ai prishet.