Çdo vit më 31 maj Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj organizojnë Ditën botërore pa duhan me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit nga rreziku që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.
Ministria e Shëndetësisë njofton se po vazhdon pa kompromis zbatimi i Ligjit për Kontroll të Duhanit, në të gjithë territorin e Republikës, ku nga Janari deri në muajin Maj janë realizuar mbi 4 mijë inspektime me qëllim të ndalimit të konsumit të duhanit në ambiente të mbyllura dhe si rrjedhojë janë shqiptuar 1724 gjoba për subjekte të ndryshme që kanë bërë shkelje të këtij ligji.
Me ligjin e ri për duhanin që do të hyjë shumë shpejt në fuqi në Kosovë, gjobat për persona fizik do të jenë deri në 200 euro kurse për bizneset ku konsumohet duhan në ambient të mbyllur gjobat deri në 20 mijë euro.
Duhani është një faktor kryesor risku për sëmundjet jo-ngjitëse, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.
Çdo vit duhani vret rreth 5.4 milionë njerëz në botë.
Çdo lloj cigare është e dëmshme.
Në çdo 6.5 sekonda një njeri vdes në botë nga pasojat e duhanpirjes;
Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij. Është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë;
Pirja e duhanit vlerësohet se shkakton: 67% të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive; 34% të vdekjeve nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe 8% të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare.
Kur duhani konsumohet edhe në ambiente të mbyllura ai dëmton edhe shëndetin e njerëzve rreth jush e sidomos të fëmijëve.