Në çdo pjesë të vendit tonë shohim kurse private që ofrojnë mësimin e gjuhës gjermane, kjo pasi që intersimi i të rinjve për të ikur në shtetin gjerman është rritur.
Ishte pikërisht viti 2019, ai që qindra të rinj, veçmas infermierë e doktorë, ia mësyjnë Gjermanisë, ndonëse ky trend rritej nga muaji në muaj, kjo nuk përbënte edhe shumë shqetësim për politikanët tanë.
E në anën tjetër, mungesa e doktorëve e infermierëve sa shkon duke u rritur ne institucionet shëndetësore.
Edhe Ariana Kelmendi, nga komuna e Skenderajt, ka pasur fatin të punësohet në një klinikë në Gjermani, ndonëse kur nisi të studionte mjekësinë nuk e kishte menduar një gjë të tillë.
“Kam përfunduar Mjekësinë e Përgjithshme në Universitetin Publik në Prishtinë. Ka dy vite që punoj si doktoreshë në një Klinikë Gjermane në Repartin e Internos. Vendimi për të ardhë këtu nuk ka qenë edhe aq i vështirë, pasi që jam parapërgatit afër një vit para se mu shpërngul në Gjermani.
Ndoshta për shkak të parapërgatitjes që e kam bërë në Kosovë, pritja nga kolegët ka qenë shumë e pranueshme”.
Ndonëse të gjithë familjen e ka në Kosovë, Ariana për Indeksonline thotë se është skeptike nëse do të kthehej në vendlindje për të kontribuar në fushën e mjekësisë, të paktën jo në një të ardhme të afërt.
“Sa i përket mu kthy në Kosovë është shumë herët me jep përgjigje konkrete, në një të ardhme pak më të largët ndoshta. Stili i jetesës dallon nga ai në Kosovë që e kam bërë, rutina ditore është më e planifikuar këtu. Me pagë, gjithashtu, po jam e kënaqur”.
Doktoresha nuk dëshiroi ta komentonte shëndetësinë në Kosovë, por që thotë se me aq sa ka parë ka shumë deficite.
“Për shëndetësinë në Kosovë s’muj me jep ndonjë përgjigje definitive pasi që s’kam punuar si doktoreshë. Ama sigurt që ka shumë deficite në të gjitha aspektet, si ato organizative sa i përket ngritjes profesionale, ashtu edhe ato financiare”.
Ndryshe, thuhet se 95 për qind e studentëve po mësojnë gjermanisht dhe synojnë të shkojnë në Gjermani, një alarm ky që shumë shpejtë Kosova do të përballet me një mungesë akute në staf mjekësor.
Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, kërkesat për çertifikata nga studentë të shkuar dhe aktualë që po kërkojnë të emigrojnë po kalon përmast normale.
Gjermania aktualisht sipas Ministrisë së Shëndetësisë së këtij shteti, ka nevojë për rreth 70 mijë mjekë dhe infermierë më shumë nga 500 mijë që ka aktualisht.