www.Zemra.Org

Dosjet nga oborri i Lushit janë të falsifikuara

Pas ekspertizës së bërë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka konstatuar se dosjet për tre funksionarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) janë të falsifikuara. Burime partiake për gazetën “Lajm” njoftojnë se rezultatet e ekspertizës së bërë nga MPB i janë dorëzuar edhe Komisionit për lustrim, kurse vërtetësia e dosjeve duhet të konfirmohet ose demantohet edhe nga arkivi i shtetit, Agjencia ushtarake e inteligjencës dhe nga Agjencia për zbulim.
“Sipas informatave tona rezultate të ekspertizës kanë arritur nga MPB-ja ku thuhet se dosjet janë të falsifikuara”, deklaroi një burim i lartë nga radhët e BDI-së.
Edhe në Komisionin për lustrim të mërkurën kanë konfirmuar se kanë marrë rezultatet e ekspertizës nga njëri prej katër institucioneve, por nuk kanë dashur të bëjnë të ditur se për cilin institucion bëhet fjalë.
“Është e saktë se na kanë arritur rezultatet nga njëri prej institucioneve kompetente dhe shumë shpejtë do të kemi mbledhje në të cilën do të shqyrtohen këto rezultate”, deklaruan në Komisionin për lustrim.
Dosjet para dy javëve u dorëzuan në Komisionin për lustrim  nga profesori Shpend Lushi, i cili tha se i ka gjetur në oborrin e shtëpisë së tij. Përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim kanë deklaruar se qëllimi i dosjeve që po paraqiten në opinion është diskreditimi i kryetarit të kësaj partie Ali Ahmeti.
“Kjo është luftë e drejtpërdrejtë për t’u diskredituar vepra dhe personaliteti i themeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sukseset e dy ushtrive shqiptare, në përgjithësi historisë së ndritshme të popullit shqiptar dhe sukseset e liderit tonë Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtorëve të tij. Të akuzohet, siç përmendi, njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njeriu i parë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e tani kryetar i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni BDI, duhet të jesh në gjendje të rëndë mentale shëndetësore ose të jesh i zhytur në borxh të madh ndaj shërbimeve në rajon”, deklaroi Ademi.
Në ndërkohë është paraqitur me prononcim edhe Beqir Sinani,  në cilësinë e ish anëtarët të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.
“Gjendja momentale e shqiptarëve në Maqedoni të jep fakt që dosjet janë origjinale dhe ju besoj dosjeve. Mendoj që gjendja e shqiptarëve këtu në Maqedoni veçanërisht pas luftës nuk ka  qenë asnjëherë më e poshtëruar, më e denigruar se sa sot.  Mendoj që duhet shokët nga Kosova edhe nga Shqipëria të reagojnë shumë shpejt që të mos lejojnë të ndodhë gjakderdhja mes shqiptarëve për mbrojtjen e elementeve anti shqiptare”, deklaroi Sinani.
BDI ka deklaruar me një deklaratë në të cilën e ka quajtur Sinanin anëtarë të vetëshpallur të shtabit të UÇK-së.
“Pas luftës dalin  shumë  të vetëshpallur anëtarë të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë dhe komandantë. Në një hovë çmendurie, ato që falsifikojnë dosje tani mundohen të falsifikojnë edhe historinë dhe të  vërtetën e luftës. Ju apelojmë krerëve të PDSH-së mos manipuloni me njerëz, mos i vini në pozitë tragjikomike njerëzit se kjo nuk mund të ju ndihmojë të ndryshoni historinë. Shenjtëria e UÇK-së nuk duron nënçmime të këtilla, e sidomos jo nga ata që ishin në anën e kundërt të luftës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Exit mobile version