www.Zemra.Org

Dosjet nisën “luftën” me Kosovën

“Ju, z. Jakup Krasniqi (ju drejtohem me zotëri për shkak të respektit që kam për institucionet kosovare) në popull i njohur si njeriu që ta ha bukën e ta përmbys kupën, i ndjekur nga ai ministër- hajn, Fatmir Limaj dhe nga ai arpaxhiku, Nahit Hasani si dhe nga ai ruso-socialisti Emrush Xhemajli, pa asnjë mëdyshje e mbrojtët mikun tuaj, Ali Ahmetin dhe më akuzuat mua, për shkak të prishjes së rehatisë suaj”. Me këto fjalë me anë të një letre të hapur i është drejtuar ushtruesit të detyrës presidentit i Kosovës, Jakup Krasniqit, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, pasi ata deklerauan se dosjet janë të falsifikuara dhe se pas tyre qëndron Menduh Thaçi.
Letra vazhdon me tonë fyese dhe akuza ndaj liderëve të Kosovës dhe përfundon pa respekt me fjalët: “Ju siguroj juve dhe opinionin kosovar se gjithmonë do të zbuloj të vërtetën pa u frikësuar nga pasojat. S’kam çka të fsheh. E vërteta ndoshta vonohet, por gjithmonë del në shesh. Kësaj radhe pa respekt”.
Po ashtu, edhe deputeti i PDSH-së, Imer Aliu, ka kritikuar qëndrimin e politikanëve kosovarë, duke e quajtur qëndrimin e tyre marksist leninist. “Disa fjalë edhe për atë grup marksist-leninist që u renditën në të njëjtën orë, në të njëjtën minutë përkrah DBK të Maqedonisë për ta shpëtuar ‘IBAR’-in. Një pyetje për ju marksist-leninist. Pse e përjashtuat nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shokun tuaj ‘IBAR’ siç e quanin atëherë, apo Ali Ahmeti sot? Këtë duhet t’ia sqaroni opinionit, me aq sa dimë ne, të përjashtohet njeriu nga Shtabi Ushtarak nuk është punë e vogël. Këtë e dini edhe ju, po këtë e dimë edhe ne. Dhe përfundimisht këtë e dinë edhe shqiptarët. Ju “IBAR”, “MAMA”, “STRELAC”, “UJAK”, “13 FAQE” bashkë me ata marksist-leninist që na keni qenë në një lëvizje pa adresë paskeni mashtruar”, tha Aliu.
Nga ana tjetër, Ali Ahmeti i ka paralajmëruar të gjithë ata që filluan këtë lojë se do do ta kenë vështirë të dalin nga e njëjta. “Ne jemi përballë me situata aq të rënda sa kjo mua më duket një lojë, që këto zotëri që kanë hyrë në lojë dhe nuk e dinë me kë kanë hy në lojë, kanë hyrë, por nuk din si të dalin, ne nuk ngutemi se jemi frikacak, nuk ngutemi se jemi burra dhe trima dhe kur është dashur me marr gjak në vetull, ne e kemi marrë, dhe ne nuk duam vëllavrasje”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ahmeti tha se për veprat që ka bërë ai dhe shokët e tij të mund të flitet vetëm 30 deri 50 vite pasi të ketë vdekur.
Ndërkaq, nga Komisioni i Lustrimit në Maqedoni, pretendohet se dosjet nuk janë origjinale, pasi nuk janë të përpunuara sipas standardeve të shërbimeve sekrete.

Exit mobile version