ArsimiLajmeMaqedonia

Shtatori, shpresa e shqiptarëve të Manastirit

Prindërit e nxënësve shqiptarë në shkollën fillore “Goce Dellçev” më Manastir, sërish do të dërgojnë kërkesë formale drejt Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), që gjatë vitit të ri shkollor të hapen edhe dy paralele në gjuhën shqipe.

Kryetari i këshillit të prindërve, Sedat Demiri, tha se të gjithë janë të njoftuar për situatën momentale në këtë shkollë dhe se do të bëjnë çmos që këtë vit të mos përsëritet e njëjta ngjarje si viteve të kaluara. “Gati se të gjitha institucionet kompetente janë të njoftuara për situatën tonë dhe të gjithë e dinë që në këtë shkollë ka nevojë për të hapur edhe dy paralele shqipe, andaj nëse është nevoja ne sërish do të bëjmë kërkesë formale drejt të gjitha institucioneve të cilat mund të na ndihmojnë në zgjidhje të këtij problemi”, tha Demiri.

Ai shtoi se gjithashtu kërkesë për mbështetje dhe ndihmë për zgjedhje të këtij problemi do të dërgohet edhe drejt Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH). Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it, thotë se prindërit duhet sërish të kërkojnë nga MASH-i që të rritet numri i paraleleve shqipe në këtë shkollë dhe se LASH-i do të ju dalë në ndihmë. “Për regjistrim në shkollat fillore nuk ka konkurs, sipas nevojës bëhet zgjerimi apo zvogëlimi i paraleleve në të gjitha shkollat.

Jemi të informuar për situatën në Manastir dhe ne kemi reaguar më parë dhe do të vazhdojmë të reagojmë që paralelet shqipe të hapen sipas nevojës”, tha Dardhishta. Ndërkaq prindërit thonë se kanë marrë premtime nga MASH-i që gjatë këtij vitit ashtu siç u hapën paralele shtesë në gjuhën shqipe në gjimnaz, do të hapen edhe në shkollat fillore aty ku paraqitet nevoja.

“Na kanë premtuar nga MASH, që këtë vit do të hapen paralelet që na nevojiten dhe do të rregullohen kushtet sepse për momentin klasat në të cilat mësojnë nxënësit shqiptarë nuk janë adekuate për zhvillimin e mësimit”, theksoi Demri. Ndërsa gjatë gjysmë vjetorit të parë paralelet e klasës së pestë dhe të klasës së dyte bojkotuan mësimin për dy javë pasi që kishin mungesë të hapësirës për zhvillimin e mësimit të cilën gjë e konstatoi edhe Inspektorati i arsimit para tre muajve, i cili ka vërtetuar se klasat nuk përmbushin kushtet për mësim, kurse MASH-i premtoi zgjidhje të shpejtë të këtij problemi.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button