E dha jetë për çlirimin e Sirisë
Rasim Zeqiri i lindur në vitin 1984 në fshatin Bellovisht të Gostivarit, është vullnetar i parë shqiptar nga Maqedonia, që ka humbur jetën në betejat kundër regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Assad.
I ndjeri ka ndërruar jetë të dielën në orët e pas ditës në një nga lagjet e Damaskut, nga ku për tetë muaj me radhë po luftonte përballë forcave të regjimit sirian. Lajmi konfirmohet nga familja Zeqiri, e cila aktualisht ndodhet me qëndrim të përkohshëm në Vienë të Austrisë.
Vëllai i tij, Arafati, në bisedën telefonike për “tv2”, bëri me dije se lajmin mbi vdekjen e vëllait e kishte marrë nga një bashkëluftuar i Rasimit. “Një shok i tij i luftës na njoftoi për vdekjen e vëllait. Shokut ia kishte lënë amanet se nëse do të vdiste në luftë, të na njoftonte neve si familje.
Të hënën mbushi tetë muaj që kishte shkuar në Siri për të luftuar në mbrojtje të popullatës civile atje. Ishte një njeri i guximshëm, fetar dhe mbi gjitha ishte njeri që i përgjigjej çdo thirrje për aktivitete humane dhe në mbrojtje të njerëzimit, në këtë rast popullatës islame në Siri”, theksoi vëllai Arafati. I ndjeri për 20 vite jetonte me familjen e tij në Austri.
Jeta dhe puna atje, nuk kishin qenë motiv për Rasimin që ti gëzohej jetës që kishte ndërtuar atje. Ideali për një Botë të lirë dhe pa dhunë, kishte qenë motivi vendimtar që Rasimi ti përgjigjej zërit të miliona sirianëve për liri dhe drejtësi.
Pas vetës ka lënë gruan, prindërit, vëllan, motrën dhe djalin e tij trevjeçar. Mirani i vogël, vitin e tretë të lindjes e ka pritur me lajmin e hidhur për vdekjen e babait të tij. Mirani të hënën mbushi tre vite.
Lajmi i hidhur nga Siria, ka prekur çdo njeri që e kishte njohur atë. Farefisi dhe fshati i tij i lindjes, nuk e fshehin dhimbjen mbi humbjen e parakohshme të tij. Kujdesi i banorëve të fshatit ishin orientuar nga Austria dhe Siria, në pritje të ndonjë lajmi. Shtëpia ku lindi dhe u rrit Rasimi, ndodhej në heshtje të plotë. Në oborri shiheshin familjarët të cilët bënin përgatitjet për ardhjen e familjes Zeqiri nga Austria.
Këto të fundit, brenda ditëve do të duhet të vijnë për të hapur dyert e shtëpisë dhe për të pranuar ngushëllimet e farefisit, miqve dhe shokëve të tij. Vëllai Arafati thotë se do të kthehen në vendlindje, sa po të krijohen kushtet. Kushëriri Bardhul Zeqiri, rrëfen kujtimet për Rasimin. E quan njeri të devotshëm, besimtar dhe mbi të gjitha një njeri arsyeshëm për të ndihmuar në çdo rast dhe sa herë që e donte nevoja. “Ishte një njeri human.
Kam përshtypjen se nuk u gëzohej të mirave të kësaj Bote, përkundrazi, padrejtësitë ishin ato që e preokuponin ndjenjën e tij. Në vendlindje vinte thuajse për çdo vit. Idetë e tij vazhdimisht ndërlidheshin me vepra humane për njerëzinë. Ishte edhe një fetar i devotshëm dhe me përpikëri respektonte rregullat fetare.
Padrejtësitë e mundonin atë”, shprehet Bardhuli. Fëmijërinë e tij, Rasimi e ndahu me shumë moshatarë të tij të fshatit. Një nga ato është edhe Ardit Bexheti, i cili lajmin për vdekjen e tij e pranoi me dhembshurinë më të madhe. “U rritëm bashkë, ishim shokë klase në shkollë. Kur e dëgjuam lajmin për vdekjen e tij, u pikëlluam të gjithë. Ishim të njoftuar se Rasimi kishte shkuar nga Austria për të luftuar në Siri.
I tillë ishte ai, atje ku shihte se ndodhin padrejtësi, atje e kishe. Ishte njeri me shpirt dhe vullnet të mirë, ndihmën për tjetrin e kishte parim të jetës. Ishte edhe një besimtar i devotshëm”, thotë Arditi. I ndjeri Rasim, më herët ishte marrë me aktivitete sportive. Si i ri, ka qenë aktiv në fushën e boksit. Deri tani, mendohet se 11 shqiptarë janë vrarë duke luftuar kundër presidentit sirian, Bashar al- Assad.
Shqiptarët e vrarë janë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria, kurse dy të tjerë janë shtetas sirianë me prejardhje nga Kosova. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve të përfshirë në luftën siriane mendohet të jetë rreth 140.