Situata e fundit e krijuar në Luginën e Preshevës, pas arrestimit të disa shqiptarëve nga xhandarmeria serbe për gjoja krime lufte ndaj serbëve, po dërgon drejt një konflikti të ri në Ballkan, vlerësojnë përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata paralajmërojnë se nuk do të rrinë duarkryq, por do t’iu kundërpërgjigjen fuqishëm Serbisë, ashtu siç ka ndodhur edhe para 13 viteve.
Kryetari i OVL-së së UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Avdyl Mushkolaj në një prononcim për “Tribuna Shqiptare” ka thënë se Serbia është duke vepruar ndaj shqiptarëve si në kohën e Miloshevicit, duke kërkuar që më çdo kusht të krijojë konflikte me shqiptarët.
Por sipas tij, shqiptarët janë ata që të bashkuar do t’i kundërpërgjigjen me të njëjtën gjuhë Serbisë.