Kriza ekonomike që ka prekur Shqipërinë, si dhe pritshmëritë për ulje të ecurisë së ekonomisë për vitin 2013, janë shkaku kryesor që qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha të mund të humbasë zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa shanset që Partia Socialiste të vijë në pushtet janë të mëdha.
Ky është konkluzioni i raportit të radhës së Njësisë Ekonomike të Inteligjencës, me seli në Londër, që bën një përshkrim të hollësishëm të situatës politike në Shqipëri, raporton Vizion Plus.
Duke iu referuar këtij raporti, evidentohet se Berisha nuk ka më shanse që të luajë me tezën e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo, pasi Partia Socialiste është më solide, ndërsa bashkëpunimi Berisha-Meta pritet të zgjasë deri në fund të mandatit, për shkak edhe të pafajësisë që ky i fundit mori në gjykate pas akuzave për korrupsion.
“Berisha nuk ka më mundësi për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, pasi dobësitë e liderit socialit pas konflikteve në PS janë tejkaluar dhe partia opozitare duket më unike. PS e ka lënë pas politikën e saj të protestave në rrugë dhe tashmë ka një qasje me konstruktive duke u mbështetur në tezën ekonomike. Ndaj do të ishte e rrezikshme që të kishte zgjedhje të parakohshme në këtë stad. Megjithatë, rritja e dobët ekonomike në 2012 dhe pritshmeritë e ulëta ne 2013 pritet të sjellin një rënie të popullaritet të qeverise dhe Partia Socialiste ka shanse të forta për të ardhur ne pushtet, pas dështimit të dy palë zgjedhjeve radhazi”, thuhet ne raport.
Por, kur ndërkombëtaret apelojnë për realizimin e reformave, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat, raporti që analizon periudhën e verës evidenton se shanset janë të pakta që ky vendim të merret brenda këtij viti.
“Zgjedhjet parlamentare të 2009 si dhe ato lokale në 2011 treguan se Shqipëria nuk është ende gati të mbajë zgjedhje që të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, edhe pse në korrik u arrit një marrëveshje për reformën zgjedhore, e cila nëse zbatohet ofron mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe te ndershme, si dhe gatishmëria që po tregohet për të hequr imunitetet e zyrtarëve të lartë”, Economist Intelligence Unit mendon se Shqipëria ka shanse të pakta për të marrë statusin e vendit kandidat brenda parashikimeve. “Që kjo të ndodhë duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet me opozitën”, vijon raporti.