Njëri nga pjesëtarët e Grupit të Armatosur, Sulejman Osmani, i njohur si “Sula”, i cili ka qenë pjesëmarrës në betejën e Kumanovës, por që deklaron se ka arritur t’ju ikë Policisë maqedonase pas dorëzimit të grupit, flet ekskluzivisht për gazetën “Zëri”.
Ai konfirmon se nga gjithë pjesëtarët e këtij grupi, tre prej tyre: Xhafer Zymberi – “Xhafa”, Mirasad Ndrecaj – “Nato” dhe Muhamet Krasniqi – “Malisheva”, kanë qenë të plagosur dhe se ata janë kapur të gjallë nga policia maqedonase.
“Deri në momentin e dorëzimit të grupit, e di që tre prej tyre kanë qenë të plagosur: Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj dhe Muhamet Krasniqi, të cilët të gjallë janë kapur nga policia maqedonase. E di që ata tre të plagosurit kanë qenë të gjallë, e më pastaj çka ka ndodhur më ta nuk e di, sepse policia maqedonase ka bërë shpërndarjen e grupit”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.
Ditë më parë ishte raportuar se Sulejman Osmani ishte pikërisht personi që ka treguar vendndodhjen e armatimit të grupit.
Pas dorëzimit të tij bashkë me pjesëtarët e grupit, pasi ka treguar vendin e fshehtë të armëve, Osmani thotë se ka arritur t’ju ikë policëve maqedonas nga fshati Brezë.
Ndryshe, Ministra e Brendshme e Maqedonisë gjatë ditës së sotme ka konfirmuar se në mesin e 14 të vrarëve janë edhe Mirsad Ndrecaj i njohur si komandant “Nato” si dhe Beg Rizaj i njohur si komandant “Begu”.
Përderisa për Xhafer Zymberin dhe Muhamet Kraniqin ende nuk ka informacione zyrtare nëse janë gjallë, apo u vranë të shtunën në Kumanovë.