Lideri i serbëve të Zveçanit, Dragisa Milovic, ka theksuar se KFOR-i plotësisht e ka bllokuar rrugën që shpie për në Novi Pazar, në fshatin Izvori dhe, sipas tij, situata po vjen duke u komplikuar dhe tensionuar. “Nëse rrugët alternative në Zubin Potok dhe Leposaviq mbyllen në mënyrë hermetike, ne nuk do të lejojmë KFOR-in që të furnizojë ushtarët e vet përmes atyre rrugëve, por këtë le ta bëjë përmes ajrit. Pastaj, ta shohim se a kanë llogari për këtë dhe në interesin e kujt do të jetë një gjë e tillë”, ka theksuar Milovic, raporton Radio Evropa e Lirë.
Edhe një tjetër përfaqësues i serbëve të veriut të Mitrovicës, Krstimir Pantic ka paralajmëruar se qytetarët serbë do t’i kthejnë barrikadat në rrugë, duke vlerësuar se kjo do të ishte hap logjik i tyre dhe e drejtë legjitime, përballë veprimeve të KFOR-it. “Ata, sipas të gjitha gjasave, me vetë iniciativë do t’i bllokojnë të dy urat e qytetit, kështu që bllokada do të nisë që nga Mitrovica e deri në Jarinjë. Ne e shfrytëzojmë rastin që t’i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe para së gjithash KFOR-it, që të ndikojnë që situata të qetësohet…”.
Ndryshe, situate në veriun e Kosovës të hënën ka qenë e qetë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se gjatë ditës së hënë nuk është raportuar asnjë incident ne veri të vendit. Ndërkaq, lidhur me paralajmërimet e liderëve serbë të veriut për mundësinë e bllokimit të rrugëve në veri të vendit, Hoti ka theksuar se Policia e Kosovës do të përdorë kapacitetet e saj për ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik./Telegrafi/