VIP

Ëndrra amerikane e aktores shqiptare Anisa Dema

E vendosur në Nju Jork është një prej artisteve të reja në botën e filmit që kërkon të ecë në botën amerikane dhe më tej.

E angazhuar në disa role në teatër dhe film, ky është vetëm fillimi për Anisa Demën, e cila në këtë intervistë rrëfen për jetën e saj si aktore e re në Nju Jork, përvojën e deritanishme dhe projektet.

Një aktore e re shqiptare në Nju Jork. Sa e vështirë është të gjesh “udhën” drejt suksesit në një ambient të tillë?

Siç dihet, Nju Jorku është një nga qytetet më të rëndësishëm në botën e aktrimit, sidomos të teatrit. Për këtë arsye shumë aktorë vijnë në këtë qytet të magjishëm për të provuar shansin e tyre e për të “gdhendur” udhën dhe identitetin e tyre si aktor. Në të njëjtën kohë, është një nga vendet me më shumë konkurs për aktrim, thjesht për faktin që ka kaq shumë aktorë dhe aktore duke konkurruar për të arritur objektivin e tyre. Eksperienca ime deri tani në Nju Jork ka qenë shumë e vlefshme për disa arsye. Më ka dhënë shumë kurajë, shpresë dhe konfidencë për talentin tim, por edhe më ka mësuar se si të veprojë me gjakftohtësi dhe me këmbë në tokë për çdo rast në aktrim që mund të më dali para. Kam qenë me shumë fat që brenda tre viteve që kam jetuar në Nju Jork kam gjetur dhe krijuar mundësi të konkurrojë dhe të fitojë për shumë role të ndryshme që testuan aftësitë e mia si aktore. Vjet, brenda një viti, konkurrova dhe fitova një rol për një komedi angleze “Joking Apart”, në një nga teatret dhe studiot më të respektuara në Nju Jork, T. Schreiber Studio, ku kanë studiuar dhe luajtur shumë aktorë të njohur, si Eduart Norton. Në verë, kur isha në Shqipëri, konkurrova për një rol në film me metrazh të shkurtër të regjisorit Andamion Murataj, “Një sy mbyllur”. Për mua ishte një eksperiencë shumë e veçantë që të kthehesha në vendin tim e për herë të parë të luaja një rol në shqip. Isha tepër e lumtur të punoja me një regjisor aq të dedikuar dhe të talentuar dhe me një kast po të tillë. Më pas, kam vazhduar të konkurrojë dhe të fitojë role të ndryshme nëpër pjesë teatrale në Nju Jork. Besoj se Nju Jorku është një qytet që kërkon shumë dedikim dhe punë për të arritur atë që do, por kur vjen koha që të krijohen mundësitë për rrugën që do, shpërblimet janë të shumta.

Ju keni vite që jetoni në SHBA, megjithatë fillesat e para të dëshirës për tu marrë aktrim kanë lindur shumë më parë që kur ishit në Shqipëri. Çmund të thoni për ato vite?

Kam shumë kujtime të ëmbla nga fëmijëria ime në Fier dhe me nostalgji e melankoli e kujtoj shumë shpesh atë kohë të shtrenjtë. Edhe pse kthehem atje herë pas here, e kuptoj që ajo kohë që kam kaluar para se të vija në Amerikë, nuk kthehet më. Mendoj se ka qenë kjo kohë e fëmijërisë në Fier që ka krijuar dhe kultivuar kriteret e personalitetit tim dhe të kureshtjes artistike. E mbaj mend si tani me sa padurim prisja të shikoja filmat shqiptarë që jepeshin në televizor natë pas nate. Nuk më besohej që kaq ngjarje interesante, komplekse, të trishta apo komedike ishin të sajuara dhe që mund të krijoheshin me njerëz që nuk ishin këtë karakter, domethënë me aktorë. Nga kjo çudi dhe naivitet që kisha si fëmijë më lindi kurioziteti dhe dëshira për të arritur të njëjtën gjë: të krijoja apo të replikoja ngjarje dhe karaktere që ta tërhiqnin aq shumë spektatorin që ai të ndjente të njëjtën dhimbje apo gëzim si karakteret e ngjarjes. Madje kjo është arsyeja më e madhe që e adhuroj artin e aktrimit, se në një farë mënyre na jep mundësinë të kemi më tepër ndjeshmëri për njëri- tjetrin, thjesht duke ndjekur përvojën e jetës së karaktereve të ndryshëm që mbase brenda jetës sonë nuk mund ti kishim njohur. Besoj se ky aspekt na mbledh si njerëz.

Si vijoi më pas rruga juaj drejt profesionizimit artistik? E kujtoni herën e parë kur jeni ngjitur në skenë në SHBA?

Unë kam lëvizur me familjen në Amerikë në moshën 11 vjeçe. Kuptohet, atëherë dija shumë pak për Amerikën, por ishte një eksperiencë siç rezultoi më pas, plot me mësime dhe gjithashtu me shumë të papritura. Pas gjimnazit, isha e etur për dije dhe vazhdova të studioja shkenca politike dhe filozofi në Indiana University. Aty mora dhe bazat akademike të përgatitjes për aktrim, ku u specializova në aktrim, për kamera, si edhe në teatrin klasik dhe të improvizimit. Pas diplomimit, avancova në shkollë për jurisprudencë. Por, pas vitit të parë e ndjeva thellë mungesën e aktores brenda meje, ndaj vendosa të largohesha nga shkolla e të rikthehesha tek aktrimi dhe të ndiqja ëndrrat e mia në Nju Jork, ku mu hapën më shumë oportunitete. Sa për rolin e parë që kam luajtur në SHBA, ka qenë në gjimnaz, ku luajta në një spektakël “Broadway musical” që titullohej “Babes in Arms”. Kisha vite që studioja teatër, por kjo ishte hera e parë që konkurroja për rol dhe fitova. Ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer për mua dhe më bindi përfundimisht që kjo ishte rruga ime. E mbaj mend si tani herën e parë që kam ndjerë emocionet që krijohen në sekondat para se të dalësh në skenë apo lumturinë që ndjen kur salla e mbushur me spektatorë reagon e qesh me të madhe pas një tregimi humoristik, ose lotët që mund të ndjellësh te spektatorët nga emocionet e thella. Janë ndjenja që nuk replikohen kollaj dhe të paktën mua më bindën që pa aktrimin nuk mund të jetoja dot.

Gjatë gjithë përvojës suaj cilin moment do të veçonit si më të arririn e ku e shihni veten më të realizuar në interpretim?

Është e vështirë të zgjedhësh një moment apo një rol që mund të jetë më i realizuari në interpretim, sidomos se unë kam luajtur si në komedi, por edhe në dramë, ku rolet ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri dhe kanë të bukurat e tyre. Por, nëse mund të zgjedh një, do të ishte një rol me emrin Bonnie, që kam luajtur në dramën “Hurlyburly” në studion kur merrja klasa në Nju Jork. Duhet të luaja një mama të re me një jetë shumë të shthurur dhe dramatike dhe me skena ku ajo vetë ishte e plagosur fizikisht, pasi ishte e rrëzuar nga makina. Për mua, ky rol ka qenë më i vështiri, më kompleks dhe më së fundi, më shpërblyes. Vështirësia më e madhe, mendoj unë, për një aktor kur luan një rol jo-pozitiv dhe shumë të ndryshëm nga vetvetja është që të gjejë karakteristika sadopak pozitive tek ai karakter dhe se si ta interpretojë këtë brenda rrethanave të dramës. Kur kap diçka te karakteri që të hap një dritare të vogël brenda shpirtit të një karakteri të tillë, fillon të kuptosh arsyet se si një karakter mund të ketë një jetë të tillë. Kur kam luajtur këtë karakter e kam humbur veten dhe ka qenë një nga herët e para që ndjehesha me vërtetë në thellësi të një karakteri apo jete të tjetër njeriu. Kjo ndjenjë kulminante është një nga shpërblimet më të mëdhaja për një aktor.

Impenjimet tuaja të deritanishme së shumti kanë qenë bashkëpunime me komunitetin artistik shqiptar në Nju Jork dhe në SHBA. Sa i lidhur është ky komunitet dhe sa i angazhuar në jetën artistike në tërësi?

Sot për fatin tim të mirë, por edhe të kombit në përgjithësi, artistët shqiptarë në Nju Jork po krijojnë dita ditës një profil të fortë dhe pozitiv për kulturën shqiptare. Meritë të paçmuar për këtë ringjallje të kulturës shqiptare në Nju Jork kanë dy vëllezërit Tollja nga Lura: Fredi dhe Ernesti, të cilët gradualisht po e shndërrojnë këtë institucion të rëndësishëm të lagjes të Brodueit Producers Club të Manhatanit në një qelizë jetike të kulturës shqiptare në Nju Jork. Këtu është një traditë ku lidhjet dhe network midis artistëve shqipfolës janë aq të rëndësishëm sa edhe shumë shpesh “Producers Club” vë në dispozicion skenat, kinematë dhe dhomat e provave të tyre për teatrin, filmat apo shfaqjet e ndryshme artistike të artistëve shqiptarë. Gjithë këto ndodhin vetëm disa hapa larg “Majestic Theater” që shfaq “Phantom of the Opera” apo disa nga shfaqjet më të rëndësishme të kulturës amerikane të Brodueit. Thjesht këto vitet e fundit, për shembull, ka pothuajse çdo muaj ndonjë shfaqje teatrale apo shfaqje të filmave shqiptarë të realizuar nga komuniteti i artistëve shqiptarë jo vetëm në Nju Jork, por edhe nga qytetet e tjera të Amerikës. Kemi pasur shumë bashkëpunime me aktorë apo regjisorë të ndryshëm që kanë lindur nga takimet apo evenimentet që kanë ndodhur tek Producers Club. Në fakt, në Shtator do të kemi përsëri një shfaqje teatrale tek Producers Club e quajtur “Invitation to a Marriage”. Kjo është një komedi e shkruar në anglisht nga Roland Uruçi që bën fjalë për dy familje shqiptare, një nga Tirana, dhe një nga Kosova që jeton në Amerikë. Me gjithë kënaqësi mund të them se do të luaj në këtë komedi bashkë me 8 aktorë të tjerë nga të tërë rajonet mbarëshqiptare. Kjo është vetëm një nga shembujt se si lidhjet që janë krijuar tek Producers Club kanë mbjellë shumë projekte të tjera.

Cilët janë ata regjisorë me të cilët keni shumë dëshirë të punoni dhe ajo që aspironi në botën e filmit dhe aktrimit?

Patjetër aspiroj që ta kem aktrimin karrierën time për sa më shumë vite dhe që të interpretoj sa më shumë role që më japin frymëzim dhe më testojnë sa më shumë kapacitetin tim si aktore. Do të kisha shumë dëshirë të punoja me regjisorë shqiptarë, përveç Andamion Muratajt edhe me Fatmir Koçin, Gjergj Xhuvanin dhe Dhimitër Anagnostin, se e vlerësoj shumë punën e tyre dhe çfarë kanë arritur për artin shqiptar. E kam pasur ëndërr për shumë kohë, por një ditë do të doja shumë të punoja me regjisorë amerikanë si: Martin Scorcese, Woody Allen, Steven Soderbergh, vëllezërit Cohen dhe patjetër Joshua Marston.

Çrol luan familja në jetën tënde dhe sa të ka përkrahur në atë që bën dhe zgjedh?

Prindërit e mi si dhe vëllai im që është vetë aktor, gjithmonë më kanë dhënë kurajë dhe përkrahje, jo vetëm për aktrim, por në çdo sfidë të jetës. Sa më thellë të angazhohesh me artin, aq më shumë rritet konkurrenca dhe ka shumë të papritura, sidomos kur je në një vend të huaj. Prandaj është dhe e vështirë ndonjëherë edhe për prindërit ta pranojnë jetën e artit për fëmijët e tyre, pa asnjë lloj garancie për të ardhmen. Por jam shumë mirënjohëse dhe me fat që familja ime më ka ndihmuar dhe inkurajuar që në moshë të vogël dhe më ka bërë të besoj që çdo gjë ishte e mundshme dhe mund të arrihej nëse përkushtohesha dhe nëse kisha vullnet të mësoja e të punoja deri në vetësakrificë.

Çmund të thoni për Anisën në të përditshmen e saj?

Mundohem të jem sa më shumë aktive ditë për ditë me projekte dhe evenimente që kanë të bëjnë me artin. Kjo është diçka që më jep shumë kënaqësi, por përveç kësaj, punoj në fushën e financës në Manhatan dhe atë kohë të lirë që më mbetet pas pune apo pas aktrimit, mundohem ta shpenzoj me shoqërinë dhe të afërmit e mi, ose duke eksploruar qytetin. Më pëlqen shumë muzika, të shkruaj, të lexoj, të udhëtoj në vende të ndryshme aq sa kam mundësi dhe të provoj sa më shumë aktivitete të reja. Veç një jetë kemi, apo jo?!

Tags
Show More

Artikuj te ngjajshem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Close