Enigma e vrasjes së Harun Aliut, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe tre shqiptarëve të tjerë Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala akoma nuk është zgjidhur. Një vit pas vrasjes makabër shqiptarët vazhdojnë ta quajnë një rast të montuar politik, ndërsa MRO-DPMNE, e rendit vrasjen e komandant Kushtrimit ndër sukseset e saja. Edhe pse dyshohet se Harun Aliu është vrarë disa ditë më përpara sesa policia bëri publike vrasjen e tij, një ekspertizë ndërkombëtare që të tregonte të vërtetën akoma nuk është bërë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (OVL-UÇK), Besim Hoda, shok lufte me Harun Aliun është i bindur se vrasja e tij ishte një montim klasik për tu treguar edhe të tjerëve se kush është kundër do të ketë të njëjtin fat. “Në 20 vitet e fundit, të gjitha partive politike shqiptare që kanë qenë në qeveri u është bërë nga një vepër e tillë dhe ato nuk kanë reaguar, pasi edhe vetë i kanë duart e lyera me gjak. Edhe pse ato edhe mund të mos jenë informuar për aksionet e tilla, e kanë pas detyrë morale që të reagojnë, qoftë me dorëheqje ose diçka tjetër. Heshtja dëshmon se ato janë të përlyer”, thotë Hoda për “Lajm”, duke shtuar se akuzat ndaj Harun Aliut u bënë për të njollosur figurën e tij dhe ish ushtarëve të UÇK-së të cilët nuk pajtohen me mënyrën e vazhdimit të veprimit në sistem. “Tendenca e njollosjes dhe e likuidimit në mënyrë të turpshme nga sistemi të figurave eminente, dëshmon se ky sistem vazhdon të frymëzojë me frymë antishqiptare”, thotë Hoda.
Abedin Zymberin, ish komandat i UÇK-së, tashmë deputet i partisë Demokracia e Re (DR), i cili ka kontaktuar me të dy javë para vrasjes së tij është i bindur se Harruni është tradhtuar nga dikush. “Nuk besoj se vrasjen e kanë bërë maqedonasit , por vrasja apo tradhëtia e Harunit është bërë nga dora e zezë e shqiptarëve”, thotë për “Lajm” Zymberi, duke shtuar se Harruni ka qenë më meritori i luftës. Ai thotë se hulumtimin për ta zbardhur të vërtetën e vrasjes do ta vazhdojë sa herë që ti jepet mundësia. “Sipas asaj që kam parë, Haruni dukej se ka qenë vrarë 4-5 ditë para se policia ta shpallë vrasjen, ndërsa nga shenjat që kishte në fytyrë kuptohej se ai është torturuar para se ta vrasin. Nuk e di pse s’u bë një ekspertizë ndërkombëtare që të merrej vesh e vërteta”, thotë Zymberi, duke shtuar se vrasja e Harunit i ka këputur një pjesë të zemrës.
Harun Aliu, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, pas konfliktit të viti 2001 ishte arrestuar në Kosovë nga forcat ndërkombëtare, ndërsa vuajti dënim disa vite. Nga drejtësia e Maqedonisë, Harun Aliu më 4 shkurt të vitit 2010 u dënua me burgim të përjetshëm nën akuzën se së bashku me tre persona tjerë ka ekzekutuar pjesëtarin e “Tigrave”, Zoran Markovski në lagjen e Autokomandë të Shkupit.
RDK: Turp për partitë shqiptare
“Partitë politike shqiptare kanë humbur kredibilitetin të thirren në emër të mbrojtjes së pjesëtarëve të konfliktit të vitit 2001, dhe kjo argumentohet me rastin e Brodecit dhe së fundi, me rastin e likuidimit të Harun Aliut dhe shokëve të tij. Është turp të thirremi në emër të mbrojtjes së pjesëtarëve të konfliktit dhe të thirremi në emër të tyre. I përdorëm këta njerëz kur na duheshin, kurse tash kur nuk na duhen nuk jemi në gjendje të mbrojmë më të voglën e tyre”, tha zëdhënësi I RDK-së, Armir Ramadani
Shkupi dhe Prishtina, Akademi për Harun Aliun
Në Shkup dhe në Prishtinë, të enjten do të mbahen Akademi përkujtimore kushtuar një vjetorit të rënies së Harun Aliut, Shaban Zenunit, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala. Në Këshillin organizativ të akademive marrin pjesë, shokë, miq, dhe të afërt të tyre.