Fansat besojnë se do të jem edhe një avokate e zonja
Kjo është Zanfina Ismaili, këngëtarja, e cila e filloi karrierën në moshën 4- vjeçare me këngën “Me 2 gishta përmbi sy”, në duet me Adelinën, motrën e madhe, që e ka pasur gjithmonë etalon në muzikë.
Ajo tregon për rrugën e saj artistike, pikësynimet që i kishte vendosur vetes, si edhe projektet e saj për të ardhmen, ndërkohë që thashethemet për lidhjet e saj të dashurisë mjaftuan ta bëjnë Zanfinën indiferente ndaj mediave.
Zanfina, një emër i veçantë, kush jua ka vënë këtë emër, i cili duket se është i veçantë dhe i vetmi në Kosovë?
Më duhet t’ju them se jam shumë krenare për emrin tim. Emrin ma ka vënë nëna, e cila gjatë shtatzënisë kishte lexuar një libër, ku protagonistja kryesore e kishte emrin Zanfina, një vajzë me një fat shumë interesant.
Nëse riktheheni pas në kohë dhe kujtoni fëmijërinë tuaj…Si ka qenë ajo? Si ka qenë Zanfina fëmijë, kur nisi të këndonte për të parën herë, kush e zbuloi talentin tuaj?
Si fëmijë kam qenë shumë më ndryshe nga sa jam tani. Adelina, atëherë këndonte për fëmijë dhe duke e parë atë, e ndoqa këtë rrugë që është edhe drejtimi im kryesor jetësor. Si zakonisht, familja duke parë dëshirën time, më ka ndihmuar dhe mbështetur maksimalisht që unë ta realizoj ëndrrën time.
Kanë mbetur shumë tipare të “Zanfinës fëmijë” te “Zanfina e rritur”?
Është interesant ndryshimi im në karakter nga fëmijëria dhe tani. Mund të them se tani jam më e urtë dhe më e shoqërueshme. Ka pak veti që më kanë mbetur nga fëmijëria.
Kush ka qenë këngëtarja jote e preferuar, të cilën e ke pasur qejf që e vogël dhe ke dashur që një ditë të bëhesh si ajo?
Ka qenë Adelina, të cilën gjithmonë e shikoja si një idhull dhe dëshiroja ta ndiqja rrugën e saj.
Duket se Adelina jua ka “injektuar” dashurinë për këngën. Si e përshkruani këtë eksperiencë?
Po, është e vërtetë. Ajo këndonte, ishte këngëtarja më e suksesshme për fëmijë, në shtëpi telefoni asnjëherë nuk ndalej së rëni nga thirrjet e adhuruesve të saj, kudo që ajo shfaqej krijohej turmë njerëzish, ndërkaq Adelina ishte shumë modeste dhe e afërt me ta. Kur je fëmijë dhe e sheh motrën më të madhe në atë mënyrë, normalisht që lind dëshira, të cilën fillova ta realizoj.
Zëri yt pushtoi skenën tonë artistike me këngët “Partizani i vogël”, “As i fundit, as i pari”, “Një puthje”, “Gajdexhiu”, “Kokaina”, “Dy motra, një frajer”, “Ti s’do t’ia dish për mua”, “Le të vdes në buzët e tua”, “Ti po gabon”, “Koha e kometës” etj., duke u bërë një emër i dëgjuar edhe jashtë kufijve nacionalë. Mendoni se i keni realizuar planet tuaja?
T’ju them të drejtën, nuk mendoj se e kam arritur atë që dua të arrij, por me kohë do të realizoj ambiciet e mia, sepse kam edhe durim.
Çfarë jeni duke realizuar në këto momente dhe, a do të mund të ndryshonit stil në muzikë tani e tutje?
Mendoj që është vërejtur dallimi i zhanrit tek unë që nga kënga ‘Le të vdes në buzët e tua’, kam kaluar nga pop-folk në pop-R’n’b. Mendova që erdhi koha e përshtatshme, sepse ne duhet t’i përshtatemi shijes dhe dëshirave të publikut.
Me sa duket, kjo këngë me siguri do të jetë një nga hitet e verës…
Shpresoj vërtet të jetë ashtu, sepse kam punuar prej kohësh në këtë këngë dhe ka tematikë dashurie që do t’i ngacmojë ndoshta djemtë, sepse refreni thotë: ‘Ti pa mu nuk mundesh hiç’.
Çfarë marrëdhëniesh ke me këngët e tua? Pasi i realizon, i dëgjon shpesh ato në shtëpi?
I dëgjoj deri në momentin kur e shoh se mjafton, sepse pastaj mund të të mos pëlqejë, siç ndodh zakonisht kur e dëgjon shumë dhe pa ndalur një këngë.
Zanfina synon të këndojë gjithçka që i përshtatet publikut apo gjithçka që i përshtatet asaj?
Nëse do të këndoja zhanret që dëgjohen nga shumica e popullatës, atëherë do të humbisja identitetin tim në muzikë dhe pastaj s’do të isha Zanfina, kjo që jam. Unë tentoj të gjej një mes në mes të këtyre dyjave dhe të dalë diçka e bukur, jo shumë komerciale dhe e pëlqyeshme.
Bëni plane, apo e lini kohën të rrjedhë e të punojë për ju?
Gjithmonë bëj plane, por e keqja është se, zakonisht, kur bëj plane, më del ndonjë pengesë përpara, por ia vlen të pritet për projekte të mira.
Kur realizon një këngë, kush është personi, prej të cilit do të dëgjosh patjetër opinionin e tij?
Së pari, kërkoj mendimin e familjes, janë ata që më vlerësojnë drejt, pastaj të shoqërisë, nga të cilët kërkoj sinqeritet, sepse unë nuk mund të jem objektive kur janë në pyetje këngët e mia.
Për shumë këngëtarë, muzika është shndërruar në një biznes, një burim shumë i mirë fitimprurës, po tek ju, a luan të njëjtin rol?
Po të ishte ashtu, tani do të isha duke kënduar tallave…. hahaha. Sikur të kishte ndodhur kjo, unë do ta kuptoja se nuk e dua aq muzikën dhe do ta lija fare! Por nuk besoj që kjo do të ndodhë ndonjëherë, kam kaluar shumë gjëra dhe sakrifica që të mos bie nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm.
Përveç zërit dhe performancës në pamjen tënde, çfarë mendon se pëlqejnë më shumë fansat?
Unë mendoj që fansat pëlqejnë tek unë mënyrën sesi shprehem; deri tani kam marrë shumë lëvdata nga emisionet dhe intervistat e ndryshme, duke më thënë që jam një oratore e mirë dhe se një ditë do të bëhem avokate e zonja.
Mendoni se ka qenë dhe bukuria juaj që ka elektrizuar publikun dhe skenën?
Mendoj se po, sepse syri kërkon estetikë dhe kjo asnjëherë s’do të ndryshojë.
Ka qenë e vështirë për ty të krijosh një personalitet tëndin, larg ekzagjerimeve që shohim nëpër klipe? A je tunduar të jesh pak më tepër seksi?
Ka pasur raste, muajve të fundit, kur kam shikuar TV dhe jam çuditur goxha me skenat dhe zhveshjet e tepruara. Por unë, nëse do të doja të dukesha më sensuale, atëherë do të ishte me shumë shije dhe aspak vulgare.
Sa ka ndikuar në jetën tënde private fakti që je një këngëtare e njohur?
Ndikon aq sa mos t’u besosh shumë njerëzve, sepse asnjëherë nuk e di se cilin ke mik të vërtetë, përpos atyre që i kam nga fëmijëria. Dhe kujdesi duhet të jetë në nivel të lartë, në mënyrë që mos të biesh viktimë e sajimeve.
Një vajzë e re në ditët e sotme presupozohet që, përveç angazhimeve të marrë kënaqësi edhe nga argëtime të ndryshme. Ju gjeni kohë për to?
Gjej normalisht, por ja që unë nuk e preferoj shumë jetën e natës. Më shumë rri në shtëpi.
Je nga ato femrat që zgjedhin, apo nga ato që presin të jenë të zgjedhura?
Kjo e dyta gjithmonë, mendoj që femra s’do duhej t’i afrohej e para një mashkulli.
Çfarë nuk ua fal miqve, e çfarë meshkujve?
Të dy palëve s’ua fal gënjeshtrën, sepse përveçse e urrej, mendoj që shkatërron jetën e njeriut dhe është si epidemi-përhapet shumë shpejt.
Sa mëkatare dhe sa engjëllore është Zanfina?
Nuk mund të them se jam engjëllore, por duhet të pyesni të tjerët për mua.
Meqë jemi në stinën e verës, ç’do të thotë verë për ju?
Pranvera dhe vera janë dy stinët më të bukura të vitit, të cilat i dua më së shumti dhe është kohë e pushimeve dhe e punës. Unë kënaqem kur është një ditë me diell.
A mendoni se koha, stinët, ndikojnë drejtpërdrejt në shpirtin e një njeriu?
Koha po, sepse kur kemi probleme dhe periudha të vështira në jetë, sprova që vështirë kalohen, atëherë ndodh që edhe njeriu të ndryshojë në personalitet. Ndërsa, për sa i përket stinës, mendoj që të gjithë jemi më të disponuar gjatë stinës së nxehtë dhe me diell.
Në ç’masë i ndjek tendencat e modës?
Aq sa kuleta ime të mbetet e zbrazët…hahaha. Ka disa vite që e ndjek modën më shumë dhe tani jam paksa e obsesionuar me rrobat.
Mendon se femrës gjithmonë i mungon ajo që nuk e ka?
Jo vetëm femrës, por të gjithëve. Ndoshta gjërave ua dimë më shumë vlerën kur nuk i kemi apo kur i humbim dhe kjo është keq. Kur diçka kemi dhe nuk ia dimë vlerën, tregon se sa egoist njeriu di të jetë ndonjëherë.
Si i ke marrëdhëniet me paranë? Për çfarë gjykon se ia vlen të shpenzosh dhe për çfarë jo?
Nuk jam rob i parasë, nuk kam qenë dhe s’do të jem, sepse nuk mendoj që është primare për të qenë të lumtur. Mendoj që ia vlen të shpenzosh për gjëra që na bëjnë të lumtura.
Shpenzoni shumë, apo e cilësoni veten një kursimtare?
Kohët e fundit po shpenzoj më shumë se kurdoherë në shopping.
Cila është makina më e preferuar për ju dhe cilën veturë e vozisni?
Unë kam një ‘Land Rover 2? dhe kjo është vetura që preferoj. Më pëlqejnë veturat ‘Jeep’ më shumë dhe sidomos kur janë të shpejta, kështu unë nuk mund të vonohem asnjëherë.
Keni shfaqur brengën se njerëzit janë të prirur për paragjykime (thashetheme) dhe përveç kësaj, ata insistojnë që ato thashetheme t’i imponojnë edhe tek të tjerët. Jeni ballafaquar dendur ju me to?
Po, jam ballafaquar dhe jam prekur në moral, që për mua është i shenjtë dhe prej atëherë jam e mbyllur për mediat për disa tema të caktuara, sepse ndodh që sinqeriteti të keqpërdoret, sidomos tek këngëtaret.
Si iu përgjigjeni ju këtyre thashethemeve?
Nuk jam marrë shumë me to, nganjëherë edhe i demaskoj, por më me rëndësi për mua është që ata që më njohin, e dinë të vërtetën se çfarë jam dhe kjo për mua mjafton.
Cili është vendi më i preferuar i juaji për qetësi shpirtërore?
Ndonjë vend i bukur dhe i largët bregdetar dhe shumë i qetë, në mënyrë që unë të pushoj maksimalisht. E dua detin shumë dhe gjithmonë kam pasur dëshirë të jetoj në ndonjë vend bregdetar.
A bëni hamendësime në jetë?
Po, bëj dhe kjo është një e metë e karakterit tim, të cilën me shumë dëshirë do ta ndryshoja.
Cila është këshilla më e shpeshtë që të jep Mona?
Nëna më jep shumë këshilla dhe secila prej tyre është e artë. Këshilla më e mirë është kur më thotë: ‘Bëj mirë, dhe gjen mirë’.