FutbollSport

FC Barcelona vs Chelsea

Përkundër lojës së jashtëzakonshme, Barcelona nuk ka arritur ta mposhtë Chelsean në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Sfida e zhvilluar në Camp Nou përfundoi me rezultat 2-2.

Takimi i parë i zhvilluar në Stamford Bridge përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Chelseat, ndërsa pas sfidës kthyese në finalen e Munihut do të luajnë Blutë.

Ekipi vendas e dominoi në tërësi fraksionin e parë, mirëpo mysafirët mbroheshin mirë duke mos lejuar depërtimin e Blaugranëve. Ishte minuta e 19-të kur Leo Messi u gjet përballë Cech pas asistimit të Fabregas, mirëpo portieri i Chelseat reagoi për mrekulli.

Në vazhdim e gjithë loja zhvillohej në gjysmëfushën e anglezëve, porse nuk kishte raste të vërteta shënimi. Përmendim dy ndërrime të detyrueshme të mbrojtësve nga secili ekip – Gary Cahill (Chelsea) dhe Gerard Pique (Barca), e lanë fushën për shkak të lëndimeve.

Dhe më në fund u thye mbrojtja mysafire. Pas një krosimi të ulët të Isaac Cuencas më së miri në zonë u gjend Sergio Busquets duke plasuar topin në rrjet dhe duke ndezur atmosferën në Camp Nou (35’).

Menjëherë pas (37’), John Terry u përjashtua me karton të kuq për shkak një goditjeje të qëllimshme ndaj Alexis Sanchez.

Me një lojtar më shumë në fushë, Barca ishte edhe më e fuqishme dhe arriti ta dyfishojë epërsinë. Leo Messi dërgoi një pasim në drejtim të Andres Iniestas, ndërsa spanjolli e ndëshkoi portierin Cech (44’).

Kur dukej se gjërat po bëheshin të lehta për katalunasit, doli në skenë Ramires. Pa përfunduar pjesa e parë (45’+1), Frank Lampard dërgoi një top te braziliani, i cili me një gol të bukur ktheu shpresat e skuadrës mysafire për t’u kualifikuar në finale.

Edhe në gjysmën e dytë në fushë luajti vetëm një skuadër, ndërkohë që tjetra mbrohej.

Në minutat e para të kësaj pjese (49’), Didier Drogba ndërhyri në mënyrë të palejuar në Cesc Fabregas dhe gjyqtari akordoi penalti, mirëpo Lionel Messi goditi transversalen nga pika e bardhë.

Derisa vazhdonte loja, Blaugranët ishin tejet ofensiv, por e paluhatshme ishte Chelsea në mbrojtje duke lejuar hapësira shumë të vogla.

Përmendim një gol të anuluar të Dani Alves, si edhe një goditje të shtyllës nga Lionel Messi, kundrejt skuadrës të cilën e përcillte një fat i jashtëzakonshëm.

Dhe, derisa Barcelona po sulmonte, Fernando Torres i heshti të gjithë në Camp Nou duke e barazuar rezultatin në minutat shtesë.

Në finalen e 19 majit, Chelsea do ta presë fituesin ndërmjet Real Madridit dhe Bayern Munich.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button