Interesante

Fëmija 6 muajsh një gjeni i vogël

Mozarti ishte vetëm 3 vjeç kur mësoi t’i binte pianos, Steffi Graf vetëm 4 vjeç kur u zbulua talenti i saj në tenis dhe Pablo Picasso përfundoi pikturën e parë të tij, ‘Le Picador’ kur ishte vetëm 9 vjeç. Por a kishin këta fëmijë gjeni mundësinë të kërkonin ushqim, të kuptonin gjuhë të huaja, të drejtonin një orkestër ‘imagjinare’ dhe të përdornin vetë një oturak kur ishin vetëm 6 muajsh? Besoj se jo.

Ndaj, po ju prezantojmë fëmijën që arrin të bëjë ato që thamë më lart. Ajo është Izabella Oniciuc, e cila në kohën kur gjithë fëmijët e tjerë luajnë me arushat e bukur e mbajnë pelena, ajo zgjedh të veprojë në mënyrë më ‘dinjitoze’, siç edhe e shihni në fotografinë përkrah. Ajo e kërkon oturakun e saj kur i duhet. E mahnitshme apo jo? Nisur edhe nga fakti se pjesa më e madhe e fëmijëve janë mbi 2.5 vjeç kur nënat më në fund ‘bien rehat’ nga kjo anë. Por kjo është më e pakta për Izabellën e vogël. Prindërit e saj thonë se ajo kërkon qumësht, i pëlqen të lexojë e madje edhe kupton pak italisht (nëna e saj i flet ndonjëherë në këtë gjuhë).

“Por kjo zgjuarsi e foshnjës mund të mos jetë thjesht rastësi,-shkruan Dailymail,-duke qenë se prindërit e saj luanin shpesh këngë klasike kur bebi nuk kishte ardhur ende në jetë.” Ekspertët nga ana tjetër thonë se sjellja e foshnjës është tej mase e pazakontë dhe nuk është për t’u habitur që prindërit e saj besojnë se është gjeni.

Babai i saj, Finn, 45 vjeç që punon si shofer thotë: “Mendoj se të gjitha bebet komunkojnë, por them se nuk ua vëmë veshin e mendojmë se ato thjesht ‘dërdëllisin’ diçka. Në fillim s’e besoja, por kur e pashë që lëshonte tinguj për gjëra specifike si ‘eh’ për qumështin dhe ‘bu bu’ për tualetin, ishte një zbulim i madh. Kur i dëshifron këto tinguj, është e pabesueshme. Duhet pasur kujdes me fëmijët, sepse lodhen shpejt me ne.”

Pra, cila është e vërteta? A është Izabella një gjeni i vogël, apo prindërit e saj janë aq krenarë për të, sa shikojnë gjëra që nuk janë? Një gjë është e sigurtë. Fëmijëve të tjerë u duhet shumë më tepër se gjashtë muaj që të kërkojnë oturakun. Ka raste edhe mbi 3 vjet.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button