LajmeShqiperia

Fenomeni Lek Plepi

Lek Plepi është ndër personazhet më të njohur sot në Shqipëri. Në Facebook i ka më shumë se 100 mijë fansa. Në Youtube videot e tij janë parë rreth 200 mijë herë. Foret e Chuck Norrisit i janë mveshur atij. Ai është yll. Vërtetojeni në Facebook ose Youtube.

Lek Plepi është fenomeni që u bë i famshëm për disa javë, vetëm prej një modeli flokësh.

Dikush e pa në internet dhe ua tregoi shokëve. U mahnitën me tekstet e këngëve të tij dhe e shpërndanë aq shumë mes njëri-tjetrit, sa që bënë rreth 100 mijë fansa në Facebook. Pa ndonjë formim të qëndrueshëm artistik, pa asnjë background kulturor, i ardhur nga një enklavë gjeografike, me videoklipe amatore pa vlerë të xhiruara në oborrin e vet, me tekste naive këngësh që të bëjnë të qeshësh me të madhe, sikur po sheh komedinë më të bukur të vitit, Lek Plepi e argëtoi aq shumë “popullin e Facebookut”, sa bëri që në disa emisione televizive ta merrnin për të ftuar, por që nuk donin ta merrnin seriozisht.

“E vetmja gjë që Lek Plepi do të donte të bënte, është të këndojë për ne. E vetmja gjë që ne nuk duam prej tij, është që të këndojë për ne. Muzika e tij, për të gjithë ata që janë ‘fansa’ të tij në FB, nuk vlen. Për ta, Leka ka vlera të tjera, kryesisht baluket. E megjithatë, Lek Plepi ka siguruar koncertet e veta të para, ku njerëzit nuk do të shkojnë për ta dëgjuar, por për ‘ta parë’”, shkruan gazeta “Shekulli”.

Lek Plepi u bë mit, sepse rastisi të bashkohen në të njëjtin çast disa faktorë: stresi i madh social i akumuluar dhe nevoja për ta shkarkuar këtë stres, nevoja për një figurë të re argëtuese, që duhet nxjerrë shpejt, se nuk ka kohë ta presim sa të dalë nga bankat e shkollës, nevoja për të gjetur një fenomen me të cilin të konfrontojmë vlerat tona. Dhe, Lek Plepi qëlloi në çastin perfekt.

Naiviteti i Plepit, bashkuar me modelin e flokëve, me naivitetin gazmor të teksteve të tij, me amatorizmin muzikor që ai e përjeton shumë seriozisht, me përhumbjen e tij naive kur del në ekran – të gjitha këto e bëjnë kandidatin perfekt për atë që publiku i Facebookut kishte nevojë.
“Ne kishim nevojë për një njeri me ato tekste, me atë model flokësh dhe që nuk pranon duet me Robbie Williams, sapo merr vesh që ky, qenka gay”, shkruan “Shekulli”.

Lek Plepi si Chuck Norris

Ka një fenomen në rrjet, që quhet welovechucknorris.blogspot.com. Pak vjet më parë një grup njerëzish, filluan të shkruajnë për Chuck Norrisin të gjitha gjërat që lexohen sot për Plepin në Shqipëri, e për Halil Budakovën në Kosovë. Menjëherë u bë superhit në rrjet.
“Maradonën e dërgoi zoti në Tokë për të mësuar futboll. Chuck Norris urdhëroi zotin për të dërguar Maradonën”.
Ka pasur disa tendenca më parë për të ndërtuar një version shqiptar të welovechucknorris, por kandidati perfekt nuk kishte ardhur ende. “Pra, ne nuk duam që Lek Plepi të flasë. Ne na argëton vetëm kur ai qesh në ekran, kur dikush i lexon bëmat e tij në internet: Lek Plepi është aq i shpejtë, sa lëpin sqetullën pa prekur qimet”. Dhe Leka vetë, qesh me të madhe, duke na bërë të lumtur.

Fakte

Lek Plepi është 34 vjeçar, nga Dukagjini, me banim në Shkodër. Për të, në Facebook shfaqen më shumë se 150 faqe. Vetë Leka nuk ka hapur asnjë – të gjitha janë hapur nga njerëzit e tjerë. Vetëm një nga faqet, e titulluar “Lek Plepi është Legjendë, sepse, si thotë ai ashtu bëhet” ka 48.809 fansa. Gjithsej në Facebook i ka më shumë se 100 mijë fansa. Në Youtube videot e tij janë parë rreth 200 mijë herë.

Sociologu

Sociologët kanë përgjigje për fenomenin lek Plepi. Zyhdi Dervishi thotë se mjaft segmente të shoqërisë shqiptare të ditëve tona vegjetojnë në boshllëk. “Nuk kanë objektiva vetjake për të arritur, nuk kanë kërkesa ndaj vetes. Kalojnë kohën në komunikimin elektronik. Dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse përqafohen dukuri si Lek Plepi”, ka thënë ai.

Fore për Plepin

Lek Plepi është i vetmi që njeh Filan Fistekun.
Lek Plepi e vë pikën e I-së nën të.
Lek Plepi e ka hijen me ngjyra.
Lek Plepi fle me jastëk nën pistoletë.
Jeta është si një libër, e shkruar nga Lek Plepi.
Lek Plepi duartroket me një dorë.
Lek Plepi rri me duar në xhepa, edhe kur është lakuriq.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button