Ferrari ndryshon emrin në “150° Italia”
Emri i Ferrarit të Botërorit të këtij viti ndryshon për herën e tretë brenda pak ditëve, ndërsa tani makinat e drejtuara nga Alonso dhe Massa do të quhen F150 gradë.
Mjeti me të cilin Ferrari do të tentojë fitimin e titullit në këtë vit u prezantua gjatë shkurtit, me emrin F150, për të nderuar 150-vjetorin e bashkimit të Italisë në një shtet të vetëm.
Menjëherë pas prezanimit, Fordi paraqiti një ankesë zyrtare, shoqëruar me një kërcënim për të dërguar çështjen në gjykatë, pasi edhe një seri prodhimi kamionçinash e Fordit ka emërtimin F150.
”Kokëkuqja” lajmëroi ndërrimin e emrit në F150 Italia, por Fordi përsëri nuk mbeti i kënaqur nga modifikimi, duke detyruar në një “ripagëzim”, këtë herë me emrin 150° Italia.
Në komunikatën e Ferrarit, nuk mungonte ironia ndaj Fordit: “Në emërtimin e ri mungon gërma F, kështu që nuk do të jetë më e mundur që kamionçinat e tyre të ngatërrohen me një makinë të Formulës 1”.