Kronika e ZezeLajme

Drejtori i Dubravës “liron” të burgosurin e rrezikshëm

Bujar Basha, i cili po vuante burgimin në kohëzgjatje prej 14 vjet e dhjetë muaj në Burgun e Dubravës, është lejuar nga drejtori i burgut të shkojë për fundjavë në shtëpi.

Por, nga 1 gushti, ky i burgosur – i cili disa herë ka ikur nga burgjet e Kosovës – nuk është kthyer më në Dubravë.

Drejtori i Burgut të Dubravës, Haki Maxharraj, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ka nënshkruar vendimin që Basha ta shfrytëzonte pushimin e vikendit, i cili iu takon të burgosurve që kanë kryer dy të tretat e dënimit. Tani, ai ka lëshuar kërkesë për arrestimin e tij.

Por, Maxharraj dhe mënyra se si është liruar Bujar Basha, i konsideruar si njeri i rrezikshëm, është duke u hetuar nga një komision i formuar nga drejtori i Shërbimit Korrektues, Resmi Hoxha.

“Kemi pranuar informatën që Bujar Basha është lejuar të shfrytëzojë vikendin dhe nuk është kthyer. Ne kemi formuar një komision për të ditur saktë se si është liruar dhe si ka ndodhur tërë rasti”, ka bërë të ditur Hoxha.

Pas kalimit të vikendit, Basha kishte bërë kërkesë që vendimi t’i zgjatet edhe për disa ditë, pasi një familjar i tij ishte i sëmurë.

“Ne ia kemi shtyrë ditët dhe ai, me vendimin e dytë, është dashur që të kthehet në burg me datën 6 gusht në ora 18, por nuk është kthyer”, ka thënë Maxharraj.

Bujar Basha (1981) nga Prizreni është i dënuar për shkak të një vjedhjeje që e ka kryer menjëherë pas luftës në Kosovë. Ai ishte arratisur disa herë nga burgu dhe së fundi ishte pjesë e grupit prej shtatë vetave që kishin ikur nga Dubrava, duke përdorur edhe armët e zjarrit.

Në arrati ai kishte kryer një rast tjetër grabitjeje në një argjendari në Drenas, me ç’rast kishin mbetur të plagosur dhe dy policë. Pasi ishte kapur, në nëntor 2009, atij i është shqiptuar dënimi i unisuar me gjithsej 14 vjet e dhjetë muaj.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button